Skandali i FIFA-s, Blatter mohon akuzat: Reputacioni i futbollit po tërhiqet zvarrë. Platininë akush nuk e do

May 28, 2015 | 18:08
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Kreu i qeverisë botërore të futbollit (FIFA), Sepp Blatter do të merret në pyetje për skandalin koruptiv që ka përfshirë FIFA-n ditët e fundit.

Kreu i FIFA-s, Sepp Blatter

Blatter-it i është njoftuar nga policia zvicerane se nuk mund të largohet nga vendi në ditët në vijim. Ka dyshime se në këto skandale është i përfshirë edhe ai.

Deri tani, policia zvicerane ka arrestuar disa zyrtarë të FIFA-s për korrupsion, ndërsa disa prej tyre do të ndiqen në gjendje të lirë.

Kjo ka bërë që FIFA të përfshihet nga një tërmet i vërtetë, vetëm pak kohë para mbajtjes së zgjedhjeve për kreun e saj, ku kishte planifikuar të kandidonte edhe Blatter. 

18:00- Blatter mohon akuzat

Pas akuzave për korrupsion ka reaguar edhe Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter. Sipas “BBC”, Blater ka thënë se edhe pse këto ngjarje janë një turp për futbollin, ai nuk mund ti monitorijë të gjithë. Sipas rrjetit televizi anglez, Blater po kërkon rizgjedhjen si president të premten. Duke folur në ceremoninë e hapjes së kongresit FIFA në Cyrih, Blater tha se ngjarjet e javës kishte “hedhur një hije të gjatë mbi futbollin”. Ai tha: “Ne nuk mund të lejojmë që reputacioni i futbollit të tërhiqet zvarrë nëpër baltë”. Sipas “BBC”, Blater shpresonte se kjo ngjarje do të jetë një pikë kthese për korrupsionin. 

 

17:00-Blatter refuzon të dorëhiqet

Kreu i FIFA-s, Sepp Blatter ka refuzuar që të japë dorëheqjen edhe pse një gjë e tillë i është kërkuar miqësisht nga kreu i UEFA-s, Platini, me gjithë skandalin e korrupsionit që ka përfshirë organizmin më të lartë të futbollit botëror.

Blatter i ka thënë Platinisë se ai nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe se do të kandidojë edhe në zgjedhjet e nesërme për kreun e FIFA-s.

Blatter është vënë në qendër të një skandali korrupsioni që kap shifrat e 140 milionë eurove. Deri tani, policia zvicerane ka arrestuar gjashtë zyrtarë të lartë të FIFA-s, të cilët janë nga Amerika Qendrore dhe Latine. 

15:12-Platini: Nuk votoj Blatter-in, por Princin Ali

Kreu i UEFA-s, Platini ka deklaruar ditën e sotme se është i tronditur nga skandali i FIFA-s dhe se ai nuk do ta votojë më Blatter-in. Platini tha se do të votojë për Prince Ali për President të FIFA-s.

“Sot patëm një takim me 54 anëtarët dhe nesër do të shohim se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet presidenciale. Pjesa më e madhe e federatave europiane të futbollit do të votojnë Princin Ali. Njerëzit nuk e duan më Sepp Blatter dhe aty përfshihem edhe unë. Të gjithë duan që FIFA të jetë e fortë, por me këtë që ndodhi, FIFA nuk është më e tillë”, tha Platini. 

 Më tej, Platini foli edhe për takimin që pati me Blatter, ku i kërkoi që të jepte dorëheqjen. “I kërkova atij që të flisnim si burri me burrin. Ai më tha se ishte tepër vonë. Unë i kërkova që të hiqte dorë pasi po e dëmtonte imazhin e FIFA-s. Nuk është e lehtë t’i thuash këto gjera një miku. E them këtë me lot në sy dhe me dëshpërim. Por FIFA ka patur shumë skandale”, tha Platini. 

14:00 – Putin: Skandali i FIFA-s, inskenim amerikan

Presidenti rus, Vladimir Putin hedh dyshime se skandali i korrupsionit që ka përfshirë FIFA-n është inskenuar nga SHBA-të. Putin i cilësoi si të çuditshme akuzat e autoriteteve amerikane ndaj FIFA-s, ndërkohë që kjo organizatë e ka bazën në Zvicër.

“Kjo është një përpjekje tjetër e SHBA-ve për ta shtrirë juridiksionin përtej vendit të tyre”, tha ai. Putin shtoi më tej se hetimet po bëhen me qëllim që të ndalojnë rikandidimin e Blatter-it për kreun e FIFA-s dhe prandaj ky skandal doli në dritë tani, në prag zgjedhjesh.

 13:29- UEFA: Nuk i bojkotojmë zgjedhjet e nesërme

UEFA nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet për kreun e FIFA-s, që do të mbahen ditën e nesërme, pavarësisht skandalit që ka përfshirë institucionin më të lartë të futbollit botëror.

Kështu, UEFA ka vendosur që të marrë pjesë në zgjedhjet e ditës së nesërme dhe do të mbështesë fort Prince Ali, kandidatin që sfidon Sepp Blatter-in në këtë post.

Blatter është duke tentuar që të marrë një mandat të pestë në krye të FIFA-s, por me skandalin që ka përfshirë organizmin botëror të futbollit, duket se nuk do t’ia arrij. Ndërkohë, David Gill, kreu ekzekutiv i Komitetit të FIFA-s ka thënë se do të japë dorëheqjen nëse Blatter zgjidhet sërish.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura