Skandali i drejtësisë, Rudi Vata 12 vite në dyer të institucioneve për të fituar pronat e tij!

Feb 16, 2022 | 13:01
SHPËRNDAJE

Ish-kapiteni i Kombëtares dhe ish-lojtari i Celtic, Rudi Vata, prej vitesh po përballet me një betejë ligjore për të fituar të drejtën e tij për një investim të kryer në vitin 2007 në qytetin e Shkodrës.

Gazeta “Panorama” është interesuar pranë institucioneve të drejtësisë dhe ka mësuar se Rudi Vata dhe babai i tij, Pjetër Vata, prej 12 vitesh janë në pritje të gjetjes së drejtësisë. Skandali dhe pingpongu institucional ka nisur që në vitin 2010, kur ishte afati i fundit kur ish-kapiteni i Kombëtares do duhet t’i jepte familjes së tij çelësat e disa dyqaneve të prenotuara dhe të paguara në vitin 2007 në një qendër tregtare në Shkodër, e njohur si kompleksi “Bexhisten”.

Qendra Tregtare Bixhistan ne Shkoder
Qendra Tregtare në Shkodër, Bexhisteni

Gazeta ka hulumtuar pranë institucioneve të drejtësisë dhe ka mësuar se Rudi Vata në vitin 2007 ka porositur dhe paguar 5 dyqane në qendrën e re tregtare, që do ndërtohej buzë liqenit të Shkodrës. Ish-lojtari i Celtics ka firmosur një kontratë noteriale me shtetasin, Astrit Meshnuni, biznesmen i njohur në Shkodër. Mësohet se Rudi Vata dhe familja e tij i kanë paguar shtetasit Astit Meshnuni paratë për prenotimin e disa dyqaneve, për të cilët palët kanë rënë dakord dhe janë kryer pagesat në vlerën e 167 mijë eurove.

Por problematikat kanë nisur në vitin 2010, kur Astrit Meshnuni është vrarë pranë banesës së tij dhe prona në fjalë u ka kaluar familjarëve, gruas Pranvera Meshnuni dhe fëmijëve të mitur. Mësohet se familja Vata pas përfundimit të objektit ka kërkuar kalimin e dyqaneve në pronësinë e tyre, por kjo nuk u është mundësuar nga e veja e Astrit Meshnunit, e cila ka pretenduar se dyqanet e porositura kanë sipërfaqe më të mëdha se porosia e 2007 dhe si e tillë ato duhet të paguhen dhe me një shumë tjetër ekstra prej 50 mijë eurosh.

Dokument i firmosur para noterit ku vertetohet pagesa e kryer nga Pjeter Vata ne adrese te Astrit Meshnunit per dyqanet e Bixhistanit
Dokument i firmosur para noterit ku vertetohet pagesa e kryer nga Pjeter Vata ne adrese te Astrit Meshnunit per dyqanet e Bixhistanit

KONFLIKTI

Sipas dokumenteve të siguruara nga gazeta “Panorama”, dyqaneve të porositura dhe të paguara nga ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata, u është shtuar sipërfaqja në dokumentet e pronësisë të lëshuara nga ZRPP-ja e dikurshme e Shkodrës (kadastra e sotme), e drejtuar nga Neritan Kalimashi.

Mësohet se familja Vata nuk ka pranuar të paguajë shumën ekstra të kërkuar nga e veja e Astrit Meshnunit dhe si e tillë ka kërkuar nga ZRPP që t’i korrigjojë sipërfaqet në bazë të kontratës noteriale, të firmosur në vitin 2007. Që nga viti 2010 deri në vitin 2015, mësohet se babai i Rudi Vatës i ka dërguar shkresa të vazhdueshme institucionit të ZRPPsë për t’u njohur të drejtën në bazë të kontratës noteriale, por përgjigjet nuk kanë dhënë asnjërën zgjidhje.

Dokumenti i firmosur para noterit, i marreveshjes mes Rudi Vates dhe Pranvera Meshnunit per pagesen e plote te kryer
Dokumenti i firmosur para noterit, i marreveshjes mes Rudi Vates dhe Pranvera Meshnunit per pagesen e plote te kryer

PADIA

Në dokumentin e siguruar nga gazeta “Panorama” rezulton se në vitin 2015 Rudi Vata ka bërë një padi në prokurori ndaj Pranvera Meshnunit, Neritan Kalimashit, Bardh Shllakut dhe zyrës së ZRPP-së. Ish-kapiteni i Kombëtares ka kërkuar nga Prokuroria hetimin e pronares së kompleksit “Bexhisteni” dhe zyrtarëve të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për “Mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve”.

“Në kallëzimin në fjalë, këta shtetas pretendojnë se janë mashtruar nga shtetasja Pranvera Meshnuni, me të cilën kanë lidhur kontrata për blerjen e disa njësive tregtare, në kompleksin Bexhisteni. Pronat në fjalë, në kundërshtim me ligjin, janë regjistruar në emër të shtetases në fjalë, dhe përveç këtij fakti, njësitë tregtare të blera prej tyre rezultojnë me sipërfaqe më të madhe nga sipërfaqja e blerë prej tyre, duke futur në këto njësi dhe sipërfaqet që janë pronë e përbashkët.

Ky fakt është bërë pengesë në vijimi që pronat në fjalë të kalojnë në emrin e tyre, për shkak se shtetasja Pranvera Meshnuni ka kërkuar pagesën e një çmimi shtesë për sipërfaqet e përbashkëta. Më konkretisht, në kallëzimin në fjalë shpjegohet se njësia nr. 190, me sipërfaqe 39.2 m2 është regjistruar me sipërfaqe 49m2, njësia nr.191, me sipërfaqe 39.2m2, është regjistruar 49m2, njësia 192 me sipërfaqe 39.2m2 është regjistruar me sipërfaqe 49m2, njësia 162 me sipërfaqe 44.3m2 është regjistruar me sipërfaqe 64.13m2, njësia 140 me sipërfaqe 73.60 m2 është regjistruar në ZRPP Shkodër me sipërfaqe 95.68 m2”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë.

Dyqani i blere nga Rudi Vata i nxjerre ne qera nga Pranvera Meshnuni
Dyqani i blere nga Rudi Vata i nxjerre ne qera nga pronarët e Qendres Bexhisteni

PRETENDIMET

Gjatë dëshmisë në Prokurorinë e Shkodrës, babai i Rudi Vatës ka thënë se sipërfaqja e dyqaneve të porositura ka qenë reale, por në dokumente ajo është falsifikuar me qëllim për t’u marrë më shumë para.

“Në deklarimin e tij, shtetasi Pjetër Vata shpjegon se, pasi kanë likuiduar shumën për blerjen e dyqaneve në kompleksin që do ndërtohej nga shtetasi Astrit Meshnuni, kanë pritur që objektet në fjalë të kalonin drejtpërdrejt në pronësinë e tyre, por kanë marrë dijeni se këto objekte ishin regjistruar në pronësi të shtetases Pranvera Meshnuni dhe fëmijëve të saj, dhe se sipërfaqet e përcaktuara në certifikata e pronësisë ishin më të mëdha se sipërfaqet e përcaktuara në kontratë, fakt për të cilin shtetasja Pranvera Meshnuni iu ka kërkuar lekë shtesë.

Në deklarimin e tij, ky shtetas shpjegon se sipërfaqja e dyqaneve të blera prej tyre është reale, pra, janë ndërtuar objekte me të njëjtën sipërfaqe, për të cilën kanë lidhur kontratë, por në certifikatën e pronësisë është shënuar sipërfaqe më e madhe, duke përfshirë këtu edhe sipërfaqet e përbashkëta.

Sipas këtij shtetasi, pronarja e kompleksit, shtetasja Pranvera Meshnuni, nuk i pengon në shfrytëzimin lirisht të objekteve të tyre, por ndërkohë nuk pranon të bëjë kalimin e pronësisë në favorin e tyre pa i paguar çmimin për sipërfaqet e përbashkëta”.

Dokumenti i prokurorise, ku ZRPP pranonte korrigjoje siperfaqen e dyqaneve te blera nga familja Vata!
Dokumenti i prokurorise, ku ZRPP pranonte korrigjoje siperfaqen e dyqaneve te blera nga familja Vata!

E PADITURA

Nga ana tjetër, e paditura Pranvera Meshnuni ka thënë para prokurorëve se ajo është dakord që t’i japë familjes Vata certifikatat e pronësisë për 5 objektet e porositura pa sipërfaqen shtesë në dokumente, por ka këmbëngulur se blerësi duhet të paguajë sipërfaqet e përbashkëta.

“Në deklarimin e saj, shtetasja Pranvera Meshnuni shpjegon se nga ZVRPP Shkodër i është kërkuar ndarja e pasurisë, duke hequr ambientet e përbashkëta nga certifikatat e pronësisë për 5 njësi tregtare, të cilat ishin ende të regjistruara në emrin e saj. Kjo shtetase shpjegon se ka pranuar ta bëjë një veprim të tillë dhe në vijim ka marrë certifikatat e pronësisë për 5 njësitë tregtare në fjalë, pa përfshirë ambientet e përbashkëta, të cilat kanë dalë me vete.

Po ashtu, kjo shtetase shpjegon se është detyrë e blerësit të që paguajë sipërfaqet e përbashkëta. Lidhur me njësitë tregtare në fjalë, kjo shtetase shpjegon se nuk kishte lidhur akoma kontratë shitjeje me palët, pasi këta shtetas nuk kanë pranuar të ulen në bisedime, duke iu drejtuar organeve shtetërore pa u sqaruar më parë me të”, theksohet në dokumente.

Faksimile e vendimit te prokurorise se vitit 2016, pushon ceshtjen e ngritur nga Rudi Vata, pasi ZRPP pranon te korrigjoje metrat e dyqaneve
Faksimile e vendimit te prokurorise se vitit 2016, pushon ceshtjen e ngritur nga Rudi Vata, pasi ZRPP pranon te korrigjoje metrat e dyqaneve

VENDIMI I ZRPP

Pas drejtimit në Prokurori, ZRPP Shkodër ka pranuar korrigjimin e sipërfaqeve të dyqaneve të blera nga Rudi Vata dhe familjarët e tij, por dorëzimi i tyre ka mbetur ende pezull.

“Nga shkresa dhe kartelat në fjalë rezulton se, mbi bazën e ankesës së shtetasit Rudi Vata janë bërë korrigjime e sipërfaqeve sipas planrilevimeve për pasuritë objekt konflikti. Nga kartelat në fjalë rezulton se sipërfaqet e njësive tregtare, për të cilat kanë pretendime kallëzuesit, janë korrigjuar dhe aktualisht janë të regjistruara me të njëjtën sipërfaqe, për të cilat ata kanë lidhur fillimisht kontratat e kaparit me shtetasin Astrit Meshnuni”, thekson Prokuroria, e cila ka vendosur të pushojë çështjen në viti 2016. Por, edhe pse institucioni i Hipotekës u ka njohur të drejtën familjes Vata, këta të fundit nuk kanë mundur të marrin tapitë që u përkasin.

Çështja në fjalë ka përfunduar në Gjykatën e Shkodrës. Nga viti 2016 deri në vitin 2018, Rudi Vata dhe familja e tij kanë kërkuar të drejtën në Gjykatën e Shkodrës.

2- Vendimi i Gjykates se vitit 2018 qe i njeh te drejten Rudi Vates per pronesin e 5 dyqaneve ne Bixhisten

GJYKATA E SHKODRES

Në dosjen e siguruar nga gazeta “Panorama”, mësohet se familja Vata e ka fituar këtë betejë në Shkallën e Parë për të marrë tapitë e 5 dyqaneve të porositura dhe të paguara (e përfunduar në vitin 2010 dhe gjykuar në vitin 2018) plot rreth 8 vite më parë.

Por, në Gjykatë, familja e Rudi Vatës ka kërkuar që t’u paguhet nga pala e paditur, Pranvera Meshnuni dhe dëmi financiar i shkaktuar nga mosdorëzimi në kohë i dyqaneve të paguara.

“Përveç dëmshpërblimit për të dyja kontratat e kaparit në masën 5% të këstit të fundit për mosrespektim të afateve të dorëzimit, paditësit i lind e drejta e dëmshpërblimit edhe për dyfishin e shumes se kaparit konform nenit 602 të Kodit Civil si dhe për qiratë e munguara, ku dëmshpërblimi do të rritej për rreth 250,000 euro të tjera, por paditëset kërkuan nga ana e Gjykatës qe dëmshpërblimi të minimizohet në shumën prej 50.000 eurosh, e cila do të përdoret për riparimin e punimeve me cilësi të dobët, eliminimin e lagështiravë të mureve, për bojatisjen e mureve tavaneve etj.”.

Ndërkaq, Gjykata ka vlerësuar se: “Nga kontratat e kaparit të lidhur midis Pjetër Vatës dhe të ndjerit Astrit Meshnini, si dhe kontratës së kaparit Evia Balozi me të ndjerin Astrit Meshnuni, ku të drejtat e kësaj kontrate nëpërmjet kontratës kalim të drejtash i kanë kaluar paditësit Rudi Vata, rrjedh një detyrim kontraktual, që palët kanë rënë dakord në qoftë se nuk realizohet kontrata e shitblerjes së pronave që përshkruhen në kontratat e kaparit, do të paguhet një vlerë prej 5% e këstit të fundit.

Por kësti i fundit, sipas kontratës së kaparit, është shuma totale e blerjes 85.190 (tetëdhjete e pesë mije e njëqind e nëntëdhjetë Euro) dhe për kontratën tjetër 31.360 (tridhjetë e një mijë e treqind e gjashtëdhjetë) euro, atëherë logjikisht me anë të një veprimi aritmetik, shuma e pretenduar nga pala është e drejtë sipas marrëveshjes së palëve kontraktuale.

Gjykata sa më sipër vlerëson duke u mbështetur edhe në kërkimin përfundimtar të palës që dëmshpërblimi të jetë në shumën prej 50,000 (pesëdhjetë mijë) euro. Sa më sipër, Gjykata vlerëson se padia e paditëseve Pjetër Vata e Rudi Vata është e bazuar në ligj e prova dhe si e tillë duhet pranuar sipas kërkimit të tyre përfundimtar…”, thuhet në dokumentin e Gjykatës së vitit 2018.

VENDIMI

Në vitin 2018, gjyqtari Hasan Selimi ka vendosur të pranojë kërkesën e familjes Vata, si dhe t’i dëmshpërblejë ata me shumën e 50 mijë eurove.

“VENDOSI:

1.Pranimin e kërkesëpadisë së paditësve Pjetër Lekë Vata dhe Rudi Pjetër Vata.

2. Detyrimin e palës së paditur Pranvera Meshauni, Amine Meshuuni, Muhamet Meshnuni dhe Arnise Meshnuni, të përmbushin detyrimin që rrjedh nga kontrata e kaparit bërë para notere Valbona Hajdari me datë 23.11. 2007 me nr. rep 4226; nr.kol. 3148 në favor të paditëseve Pjetër Leke Vata dhe Rudi Pjetër Vata, si dhe detyrimin që rrjedh nga kontrata e kalimit të të drejtave, datë 30.04.2010 me nr.rep.2146; nr. kol 1515 në favor të Rudi Vatës, bërë para notere Valbona Hajdari, si dhe detyrimin e palës së paditur të përmbushë detyrimin që rrjedh nga kontrata e shitjes (paraprake e detyruar) datë 31.05.2010 me nr. rep 2673; nr.kol 1882, bërë para notere Valbona Hajdari si dhe dëmshpërblimin e palës paditëse në një vlerë prej 50.000 eurosh për vonesat ne përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kontratat e nënshkruara nga palët.

3. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër të kryejë veprimet sipas këtij vendimi. 4. Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë. U shpall sot në Shkodër, më 10.10.2018″, thuhet në vendimin e Gjykatës së vitit 2018.

Por beteja e Rudi Vatës për të fituar të drejtën e tij vazhdon ende në Gjykatën e Apelit.

Mësohet se ende në vitin 2022, Rudi Vata dhe familja e tij nuk kanë marrë drejtësi për investimin e kryer rreth 15 vite më parë.

Qendra Tregtare Bixhistan ne Shkoder nga para

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura