SKANDALI/ Arben Frroku nuk ishte në kërkim në sistemin e policisë

May 2, 2016 | 8:04
SHPËRNDAJE

Një hetim administrativ ka nisur në Holandë në lidhje me problematikën dhe vonesat që pasuan ndalimin e Arben Frrokut, në kërkim për vrasjen e Dritan Lamajt në Shqipëri.

Dokumenti me të cilin u kap i kërkuari në Holandë
Dokumenti me të cilin u kap i kërkuari në Holandë

Pas konfirmimit që Policia e Shtetit mori disa ditë më parë për arrestimin e Arben Frrokut në Holandë, nëpërmjet një shkrese zyrtare nga Interpol Haga, një tjetër shkresë ka mbërritur në Shqipëri, kësaj here për procedurat e shpalljes në kërkim.

Edhe pse biznesmeni është arratisur nga Shqipëria dhe është dënuar me burgim të përjetshëm, emri i Arben Frrokut nuk figuronte në listën e personave në kërkim të Interpolit.

Policia e kishte konfirmuar si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, por nuk dihet se si ka ndodhur që Arben Frroku nuk rezultonte në sistem si i tillë. Kjo vërtetohet jo vetëm në shkresat zyrtare që zyrat respektive të Interpolit shkëmbejnë herë pas here me njëra-tjetrën, por edhe nga një kërkim i thjeshtë në faqen zyrtare të Interpolit.

Nëse kërkon me gjeneralitetet e Arben Frrokut në këtë faqe, emri i tij nuk figuron, ndryshe nga më përpara, kur ai u shpall në kërkim, disa ditë pas vrasjes së Kryekomisarit Dritan Lamaj. Edhe pasi u arrestua në Greqi për llogari të drejtësisë shqiptare, emri i Arben Frrokut vazhdoi të qëndronte në faqen e Interpolit, në listën e personave në kërkim ndërkombëtar.

PROCEDURA

Kësaj here, edhe pse për të kishte një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit që e deklaronte atë fajtor për vrasje në rrethana cilësuese, duke e dënuar me burgim të përjetshëm, emri i Frrokut nuk ishte vendosur në listën e të kërkuarve ndërkombëtarisht.

Përveç kësaj procedure, që vlerësohet si e dyshimtë nga autoritetet holandeze, një tjetër procedurë që nuk ka funksionuar për rastin e Frrokut është krahasimi i gjurmëve të gishtave. Sipas shkresës së Interpol Hagës, nga veprimet e para hetimore është konstatuar se ka pasur një problem me njohjen e shenjave të gishtave të tij nga sistemi ku regjistrohen personat e kërkuar.

Pasi është ndaluar fillimisht nga policia në afërsi të aeroportit të Amsterdamit, Arben Frrokut i janë marrë shenjat e gishtave, por shenjat që gjendeshin në sistem nuk janë hapur e për këtë arsye për disa ditë nuk është arritur të zbulohej identiteti i tij i vërtetë.

Mbajtja e Frrokut, si person i ndaluar, ka ndodhur vetëm për shkak të dyshimeve për mosrregullsinë e dokumenteve të identitetit, pasaportës e patentës, por jo si person në kërkim. Në rast se nuk do të identifikohej, Frroku do të rifitonte lirinë më 17 maj, pasi i ishte kërkuar që të kthehej vullnetarisht në vendin e tij.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura