“Skandalet e Trumpit nuk janë më ndonjë gjë e madhe”

Sep 30, 2020 | 9:20
SHPËRNDAJE

INES POHL

ines pohl

Në kohë normale, një President amerikan edhe mund të rrëzohej nga zbulime të tilla si truket tatimore. Por Donald Trump me truket e tatimeve ka gjasë madje që të përfitojë, thonë ekspertët, para debatit të parë televiziv.

Uashingtoni politik për pak minuta mbajti frymën të dielën në mbrëmje: Në një raportim ekskluziv, gazeta “New York Times” publikoi hapur se Presidenti Donald Trump në 10 nga 15 vitet e fundit nuk ka paguar tatime në nivel federal, në vitin 2016 si edhe në vitin e parë si President, madje 750 dollarë. Nga raportimi mund të mendosh se Donald Trump ose ka qenë mjaft i paskrupullt në mënjanimin e tatimeve, ose një biznesmen shumë i keq – ose, gjë që është më e mundur, ai i ka të dyja. Për ta kuptuar më mirë: Qytetari amerikan mesatarisht paguan 12.200 dollarë tatime, 16 herë më shumë se Trump. Presidenti vetë menjëherë i damkosi këto informacione si gënjeshtra që i përhap shtypi liberal për ta dëmtuar atë.

PAK PARA DUELIT TELEVIZIV

Nuk është rastësi që gazeta liberale “New York Times”, që prej muajsh lufton me të gjitha mjetet publicistike kundër rizgjedhjes së Trumpit, këtë lajm bombë e lëshon pak para duelit të parë televiziv, me shpresën e dukshme që këto informacione të ndihmojnë sfiduesin demokrat, Joe Biden, në debatin televiziv të martën (29.09). Ky është dueli i parë nga tri duele televizive dhe merr një rëndësi të veçantë në këtë vit të koronës, kur kandidatët dhe ekipi i tyre organizojnë shumë pak mitingje zgjedhore publike dhe ku pritet që miliona vetë t’i ndjekin përmes televizionit. Çdo 15 minuta do të trajtohet një kompleks temash: Gjykata Supreme, pra më konkretisht do të flitet për pasuesen e gjyqtares së ndjerë Ruth Bader Ginsburg, situata e COVID-19, ekonomia, racizmi dhe dhuna në qytete, bilanci politik i Trumpit dhe Bidenit, si dhe integriteti i zgjedhjeve në vetvete. Shërbimet Sekrete amerikane i tremben ndikimit nga jashtë si në vitin 2016. Trump prej javësh pretendon se votimi me postë është i pasigurt dhe i manipulueshëm dhe hap rrugën kështu për të kontestuar votimin në rast moszgjedhjeje.

Gjatë transmetimit nuk është parashikuar një verifikim faktesh. “Ndoshta kjo histori nuk ka për të ndryshuar ndonjë gjë në sjelljen në votime të përkrahësve të Trumpit”, thotë Sheri Berman, politologe në “Bernard College” në Universitetin e Columbias. Në peizazhin mediatik mjaft të polarizuar ka shumë pak vetë që i ndjekin zhvillimet. Përveç kësaj, në vitet e kaluara njerëzit janë mësuar me gënjeshtrat e shumta dhe skandalet. “Kjo nuk është më ndonjë gjë e madhe këtu në Shtetet e Bashkuara”, thotë Berman.

NJË PROVË PËR ZGJUARSINË E TRUMPIT

Po kaq nuk mjafton: Politologia e konsideron të mundur që Trump përmes mënjanimit të tatimeve, madje te disa përkrahës të tij, të fitojë pikë sepse veprimin e tij ata e shohin provë se sa i zgjuar është Presidenti dhe sa mirë di që me truke të caktuara të nxjerrë përfitimin më të madh për vete. Por çfarë mundësish ka atëherë Joe Biden të fitojë pikë në këtë duel të parë televiziv kaq të rëndësishëm e që do të ndiqet me vëmendje brenda e jashtë SHBA-së.

Për të pasur vërtet ndikim te votuesit e pavendosur, Biden duhet të përqendrohet te cilësitë e tij më pozitive e të argumentojë pse është kandidati më i përshtatshëm për t’u përballuar me situatën ekonomike të vështirë në vend. Ai duhet të synojë të përmendë edhe sjelljen në qeveri të personelit mjaft të kualifikuar, një qeveri që do të jetë e aftë nga dita e parë, thotë ekspertja Berman. “Ne pamë në vitin 2016 te Hillary Clinton se fokusimi tek elementi negativ i kundërshtarit nuk mjafton”. Raportimi për truke tatimore të Trumpit te shumica shkakton tanimë vetëm një ngritje supesh, është e bindur Berman. “Të gjithë e dinë ndërkohë, se çfarë njeriu është Donald Trump. Ata e votojnë atë për politikën e tij, ose sepse thjesht nuk i duan demokratët”. D.W.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura