Skandalet e prijësave si dhunë pushteti

May 29, 2016 | 12:26
SHPËRNDAJE

Frano KulliFRANO KULLI

Nëse do të kishte një “zë” të besueshëm në statistikat e shtetit për skandalet, besoj se denduria e skandaleve të pushtetit vetëm në dy javët e fundit ka qenë më e larta e shumë viteve. Skandalet kanë qenë jo vetëm të shumtë në numër, duke  mos lënë thuajse asnjë ditë politike joskandaloze, por edhe për nga “brumi” kanë qenë skandale shumë të rënda.

Kryetari i kryebashkisë rrethon gjykatën përpara një procesi gjykimi për punët e tij, drogë që hyn e del nga toka, nga deti e nga ajri, përfolur e dyshuar si e komanduar nga zyrat e shtetit, në Policinë e Shtetit hyn e përdoret një pajisje përgjimi të kundërligjshëm (e dyshuar si e tillë nga prokuroria e shtetit), një deputet i spikatur (shkrimtar) kërcënohet e shantazhohet halabakçe nga një zyrtar lokal, përfliten të tjera video skandaloze që do të publikohen në ditët e afërme dhe… në burg përfundon një zyrtar seksoman i provincës.

Ndërkohë, dy fëmijë kanë humbur jetën në një aksident, rrugës për të takuar të atin e burgosur, dënuar për shkelje ligji të ndërtimit pa leje të strehës së këtyre fëmijëve. Një aksident që si shkak ka prapë një akt korruptiv të një zyrtari të lartë. Dhe akoma edhe sot nuk ka, së paku një “mea culpa” për jetët e humbura nga vetë ministri i përfolur, si përgjegjës në mënyrë të tërthortë.

Deputeti i kërcënuar, zoti Ben Blushi, e ka deponuar kërcënimin që i është bërë në aulën e parlamentit; aty janë deponuar e deponohen edhe të gjitha skandalet e tjera. Akuza më e fundit që rri pezull është ajo që lidhet me arsyen e ndërrimit të emrit të vetë zotit Kryeministër. Po në atë sallë, në sallën e zanafillës së ligjeve që drejtojnë republikën, asgjë tjetër nuk ka ndodhë përveç pohimit të skandaleve, pasuar prej korit të sharjeve të ndërsjella, që me i “pasë randë edhe rruga”.

Tallëse dhe cinike, pa kurrfarë nderimi për republikën e as për popullin. Dhe kaq. Askujt prej tyre nuk i hyn ferrë në këmbë. Askush nuk gjykohet e jo më të dënohet nga ata. Kur, më së paku, vetëm me dendurinë e skandaleve të pohuara këtë javë, pa ripërsëritur se për përbërjen e atij parlamenti është miratuar ligji unikal, i pakundgjendshëm në vendet demokratike, ligji i dekriminalizimit, ai parlament sot ka mjaftueshmërisht arsye për të qenë i shpërndarë.

Më së voni sot, kur edhe ka filluar të zbardhet lista e të vetëdeklaruarve si të dënuar nga gjykatat e huaja (dihet, mjaft më të besueshme se tonat) dhe gjykatat shqiptare. Por kjo nuk ka ndodhë e as ka gjasë të ndodhë; këtë statukuo (gjendje ekzistuese) politike e mban gjallë një pakt i heshtur dhe tinëzar, që lëvrin në kurthin e garës me kualitetin e kriminelëve, i cili e ka rrënuar shpresën e shqiptarëve.

Ekonomia drejt theqafjes dhe cilësia e jetës qytetëse në teposhtë (tatëpjetë), qeveria, që në vend të ardhurave për frymë ka shtuar frikën e burgimit, në vend të drejtësisë e barazisë përpara ligjit ka rritur me progresion gjeometrik, diferencimin e një grushti pasunarësh të dyshimtë e pushtetarësh të korruptuar, të paprekshëm prej ligjit dhe së drejtës, këto e të tjera e kanë bërë të frikshme të ardhmen e shqiptarëve që duan të jetojnë këtu…

Do të shkruente e do të fliste njëri prej deputetëve në shenjë të parlamentit të 1924- s, Gjergj Fishta: “… Qeveria shqiptare, me faj të vet, ka lanë me u prishë urat e rrugët, ka ba zyret çerdhe klikash e intrigash e shkollat agjenci propagandash e partish, e ma teper me taksa e tatime të paarsyeshme ka shue tregun e fikë popullin; sheh po k’to punë populli shqiptar e me zemer të plastë do të rr’fejë (rrëfejë) se, asnji qeveri e hueja, posë Serbisë, nuk i solli ma dam Shqipnisë se vetë Qeveria shqiptare, n’dashtë t’ia ketë ngjitë vehtes atdhetare, n’dashtë kombtare, n’dashtë okcidentale (perëndimore)…” (Hylli i Dritës, 1924/ 2.fq.74).

Rrethi ynë vicioz, nëpër të cilin qarkullon e shkuara, po edhe e sotmja, një- soj, është i frikshëm… Edhe sot, si 90 vjet më parë. Mosbesimi i njerëzve te prijësat skandalozë ka plot arsye të cilat shtohen përditë. Po akoma edhe më keq është se bashkë me qeverisjen është korruptuar edhe sistemi i lirisë së zgjedhjeve. Ngjizja e forcave të reja shpresëndërtuese duket e vagëlluar, aq sa mposhtja e së keqes që na ka pushtuar, duket mision i pamundur… Zoti ndihmë për të shndritur mendjen e shqiptarëve!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura