Skandal, Tirana-Vllaznia do të luhet pa tifozë. Gafë e dyfishtë me kryendeshjen, zbulohen prapaskenat

Nov 7, 2019 | 9:31
SHPËRNDAJE

Tirana-Vllaznia do të luhet pa tifozë në stadium, nesër në orën 18:00. Dhe kemi të bëjmë me një skandal që mund ta prodhojë vetëm futbolli shqiptar. Jo vetëm sepse kryendeshja e kësaj jave do të luhet pa praninë e spektatorëve, por sepse tregon seriozitetin e organizatorëve të garës, FSHF-së, dhe gjendjen e klubeve shqiptare.

vllaznia tirana

Ta saktësojmë që në fillim: problemi nuk qëndron se një ndeshje e nivelit të tillë luhet me drita dhe pa tifozë, por sepse nëse do të respektohej rregullorja dhe klubi i Tiranës do të tregonte pak më shumë përgjegjshmëri, kjo ndeshje do të luhej nesër ashtu siç i takon, me tifozë në stadium. Le t’i marrim gjërat me radhë…

Vendimi i Disiplinës

Më 2 tetor, Komisioni i Disiplinës vendosi ta dënonte Tiranën me katër ndeshje pa tifozë për incidentet që ndodhën në derbin me Partizanin më 29 shtator. Po me një urdhër të FSHF-së ky dënim u përgjysmua, pra nga katër në dy ndeshje.

ilion gilman lika vllaznia tirana

“KF Tirana, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive në organizimin e ndeshjes kundër FK Partizani, datë 29.09.2019, duke mos vlerësuar nivelin e riskut, duke mos garantuar zbatimin e ligjit, mbarëvajtjen e rregullit dhe qetësisë në stadium, si dhe për sjelljen e gabuar të spektatorëve duke shfaqur materiale propaganduese me të cilat kryen provokime me karakter politik dhe shoqëror, në bazë të nenit 63/1/a, nenit 63/1/b, nenit 64/5, nenit 65/3/a/b/c/d/ e/f/h/j/k dhe nenit 65/4/b/ të KDS, dënohet me zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës si dhe gjobë në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë. Në zbatim të nenit 32/3 të KDS, pezullimin e pjesshëm të zbatimit të këtij dënimi duke urdhëruar shlyerjen e gjysmës e tij”, thuhej ndër të tjera në vendimin e Disiplinës.

Deri këtu, çdo gjë në rregull. Tirana luajti pa tifozë në ndeshjen e Kupës kundër Shënkollit dhe më pas kundër Laçit në kampionat. Dënimi konsiderohet i shlyer. Por jo, në Shqipëri ndodhin thagma edhe kur vjen puna për interpretimin e rregulloreve, sepse ndeshja pa tifozë kundër Shënkollit nuk është marrë në konsideratë nga Komisioni i Disiplinës, që për hir të së vërtetës nuk ka pasur as ndonjë komunikatë zyrtare nga FSHF për këtë gjë. Dhe çfarë ndodh? Le të mbyllim dyert e stadiumit edhe për ndeshjen me Vllazninë, që dënimi të quhet i shlyer. E pabesueshme, por e vërtetë.

vllaznia tirana

Prapaskenat

Ka dy variante se përse Tirana-Vllaznia do të luhet pa tifozë. I pari është që Disiplina u vonua të mblidhej para se të luheshin ndeshjet e Kupës në mesjavë dhe atëherë u kritikua ashpër se i hoqi padrejtësisht Partizanit mundësinë që të shlyente dënimin. Kjo, pasi kampionët luajtën që të martën. Kritika të drejta në adresë të federatës dhe Komisionit të Disiplinës. Zotërinjtë që marrin në shqyrtim çështjet disiplinore nuk është e thënë që të mblidhen patjetër ditën e mërkurë. Jo më kot janë tri trupa gjykuese me nga tre anëtarë. Mund të mblidheshin edhe të hënën…

Por, le të kthehemi te ngjarja e ditës. Duke qenë se FSHF u vu në vështirësi kundrejt Partizanit, atëherë vendosi të mos e konsideronte të vlefshme shlyerjen e dënimit të ndeshjes në Kupë as për Tiranën. Gabim dy herë. Po, po, është njësoj si ato gafat që bëjnë arbitrat shqiptarë shpesh gjatë sezonit: pasi kanë kuptuar se kanë gabuar në dëm të një ekipi në pjesën e parë, në të dytën bëjnë një tjetër padrejtësi në dëm të ekipit tjetër për të “kompensuar” gabimin… Skandaloze!

Varianti i dytë

Jemi në pikën kur klubi më i titulluar në vend po përballet me një situatë absurde dhe po i hiqet mundësia që në një ndeshje delikate të ketë tifozët e tij në krah; të arkëtojë disa para më shumë; të krijojë atmosferën e duhur, qoftë edhe për të ndihmuar trajnerin e ri. Po çfarë ndodh? Tirana, si një nga klubet më të rëndësishme në vend, jo vetëm që nuk e ngre zërin kundrejt kësaj padrejtësie, por e pranon edhe si fenomen.

selman stermasi

Natyrisht, një heshtje e tillë nga klubi bardheblu ka ngjallur edhe dyshime. Shumë tifozë mendojnë se edhe Tiranës “i pëlqen” ky vendim, sepse kështu shmang ndonjë incident të mundshëm dhe një dënim akoma më të rëndë për të ardhmen. Nëse, largqoftë, do të ishte vërtet kështu, atëherë kemi prekur fundin. Të mbyllësh stadiumet nga frika e disa tifozëve që bëjnë si huliganë (tani që ka hyrë edhe ligji kundër dhunës në fuqi), nuk bën gjë tjetër veçse t’u dorëzohesh disa njerëzve që nuk kanë lidhje as me tifozërinë dhe as me kulturën e të mbështeturit skuadrën e zemrës.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura