Skandal me fushën në Berat: Po paguajmë qera për të luajtur në Kuçovë, masa ligjore ndaj firmës

Nov 8, 2017 | 10:27
SHPËRNDAJE

Rikonstruksioni i stadiumit “Tomori” ende nuk ka përfunduar, pasi ka mbetur një pjesë e tapetit pa u shtruar. Ky rikonstruksion ishte parashikuar që të përfundonte përpara sfidës Tomori-Tirana, pasi duhet të ishte gati dhe të finalizohej inaugurimi i saj në këtë përballje.

tomori-stadiumi1-470x627

Sipas zyrtarëve të këtij institucioni, por edhe të klubit, është bërë e ditur se moszbatimi i kontratës së nënshkruar nga firma nënkontraktuese ka sjellë dëme të mëdha në arkën e klubit dhe këto janë të pafalshme. Madje, vonesa, sipas tyre, ka ardhur edhe për shkak se fillimisht u është dhënë për shtrim një tapet i një cilësie të dobët, i cili është kthyer mbrapsht, çka ka sjellë shtyrje të afateve.

Deklarata

Në një prononcim për “Panorama Sport”, në anonimitet, një prej zyrtarëve të Bashkisë Berat ka sqaruar gjithçka ka ndodhur.

“Ne jemi të gatshëm t’u tregojmë gjithçka në lidhje me këtë vonesë, si dhe pse kanë zgjatur kaq shumë këto punime. Si fillim na ka ardhur një tapet i llojit ‘Star 1’, i cili, pasi është prodhuar dhe ka mbërritur në Tiranë, nuk është pranuar nga Bashkia Berat dhe klubi i Tomorit me idenë që duam një tapet të cilësisë më të mirë, i cili do të ishte i certifikuar nga FIFA dhe UEFA.

Kjo bëri që gjithë procedura e shtrimit të tapetit të ndryshojë në kohë, pasi siç dimë i gjithë muaji gusht është pushim në ndërmarrjet jashtë vendit tonë, më saktë në Turqi, aty ku është bërë edhe porosia. Megjithatë, pas kësaj vonese, ne kemi vënë forca të shumta për t’i mbyllur sa më shpejt punimet, ku është përfunduar 80% e tapetit së bashku me rërën kuarts dhe gomën e zezë.

Ka ngelur rreth 20% e fushës pa u përfunduar dhe problemi kryesor ngelet tapeti. Natyrisht kjo është përgjegjësia e kontraktorit që e ka marrë dhe ne do të shikojmë të gjitha procedurat ligjore për gjithë këtë vonesë, për shkeljen e afateve. Do të mbajmë qëndrim ashtu siç e ka ligji me ndëshkime apo diçka tjetër ndaj firmës, sepse i ka sjellë dëme Bashkisë Berat dhe klubit.

Aktualisht kemi rënë dakord me kryebashkiakun e Kuçovës që ndeshjet t’i zhvillojmë në stadiumin e tyre, por nuk duhet të harrojmë që paguajmë qira për të zhvilluar një ndeshje dhe këto janë harxhime nga arka. Gjithsesi, ne i kemi lënë afatin e fundit që është data 15 nëntor dhe, nëse ata nuk e bëjnë, atëherë do të ketë penalizime apo ndërprerjen e kontratës, apo edhe marrjen e një firme tjetër sa më serioze që ta mbyllë sa më shpejt këtë histori, sepse kaloi çdo limit.

Firma ka hyrë në procedurat e tenderimit duke ditur që këtë vit buxhetor 2017 ka një sasi financash të përcaktuar, ndërsa për vitin 2018 ka pjesën e mbetur të buxhetit. Në kontratë është e shkruar e zeza mbi të bardhë që firma do ta mbarojë projektin brenda një afati, edhe pse një pjesë të buxhetit do ta marrë në vitin 2018.

Pra, nuk është se kanë ndryshuar rregullat, çdo gjë është në sistem. Megjithatë, ne besojmë se nuk është diçka alarmante dhe ndeshja e fundit që mund të luhet jashtë është vetëm ajo me Shënkollin”, u shpreh zyrtari i Bashkisë Berat. Tashmë do të mbeten për t’u parë të gjitha hapat që do të merren në lidhje me këtë çështje.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura