Skandal 10 milionë USD me tenderët, ARRSH shpall fituese ofertat 30% më të larta

Jan 9, 2021 | 10:44
SHPËRNDAJE

Edhe pse në kohë pandemie dhe në një krizë ekonomike të fortë, abuzimi i frikshëm me tenderët në Shqipëri nuk ndalon, duke shpallur fituese kompanitë që ofrojnë mbi 30% më shumë se ofertat më të ulëta.

cats-61

“News24” ka zbuluar dokumentet ku ARRSH-ja e drejtuar nga Ergys Verdho përfshihet në një skandal të përmasave të mëdha ku brenda pak ditësh ka shpallur fituese të dy tenderëve për ndërtimin e rrugëve kompanitë që kanë ofruar mbi 10 milionë dollarë më shumë se ofertat më të ulëta.

Për tenderin e mbikalimit që do të lidhë “Unazën e Madhe” të Tiranës me autostradën Tiranë-Elbasan, ARRSH-ja ka shpallur fituese kompaninë “ALB BUILDING”, e cila ka kërkuar rreth 14,7 milionë dollarë.

Rreth 5 milionë dollarë më shumë se dy oferta që të jenë të paktën 30% më të lira, përkatësisht me 9 milionë dollarë dhe 9,7 milionë dollarë. Por, çmimi më i lirë i ofruar që është kriteri kryesor për të fituar tenderët e ndërtimit të rrugëve nuk i ka mjaftuar Autoritetit Rrugor Shqiptar për të klasifikuar fituesin.

HIJE DYSHIMI

Për të skualifikuar këto oferta, institucioni i drejtuar nga Ergys Verdho ka nxjerrë arsye absurde, që kurrsesi nuk e justifikojnë pranimin e ofertave më të shtrenjta. Në një rast përmendet si shkak për skualifikim se kompania me ofertën më të mirë nuk ka një certifikatë teknike për kamionin vetëshkarkues dhe në një rast tjetër se makineria vijëzuese e rrugës nuk ka dokumentin e zhdoganimit të vitit 2003.

E njëjta situatë me tenderin tjetër, atë të rrugës Palasë-Dhërmi, ku fituese është shpallur kompania “Gjikuria” me 15 milionë USD, ndërkohë që oferta më e ulët ishte 9,7 milionë dollarë.

Në këtë rast, ARRSH-ja përmend si arsye për skualifikimin se disa kamionë po përdoren dhe në kontrata të tjera tenderësh, apo disa arsye të tjera që fare mirë mund të rregullohen dhe kurrsesi nuk mund të justifikojnë rrëzimin e ofertës më të mirë.

Në dy tenderë me një vlerë totale prej 30 milionë dollarësh, abuzimi i ARRSH-së është 10 milionë dollarë. Këto janë para të taksapaguesve dhe që në mënyrë të papërgjegjshme shpërdorohen.

tenderi verdho 3 tenderi verdho tenderi verdho2

Skandali ku është përfshirë ARRSH-ja ka disa aspekte, nga njëra anë është skualifikimi i ofertave dukshëm më të ulëta dhe nga ana tjetër, ngrihet pyetja se mbi ç’bazë janë projektuar rrugët që janë nxjerrë për t’u tenderuar me çmime reference shumë herë më të larta se vetë kompanitë llogarisin t’i kryejnë punimet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura