Skadimi i embargos/ Pompeo kërcënon me sanksione çdo vend që i shet armë Teheranit, dy superfuqi të interesuara në pritje

Oct 18, 2020 | 20:14
SHPËRNDAJE

Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Pompeo, kërcënoi se qeveria amerikane do të vendosë sanksione mbi këdo që i shet armë Iranit, pas skadimit të emgargos 10 vjeçare të Kombeve të Bashkuara mëngjesin e kësaj të diele.

pompeo

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të përdorin shërbimet e tyre kombëtare për të vendosur sanksione ndaj çdo individi ose entiteti që kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në furnizimin, shitjen dhe transferimin e armëve konvencionale në Iran,” thuhet në deklaratë.

“Të gjithë vendet që duan paqe dhe stabilitet në Lindjen e Mesme dhe mbështesin luftën kundër terrorizmit duhet të përmbahen nga pjesëmarrja në tregtinë e armëve me Iranin,” shtoi ai.

Sipas kushteve të marrëveshjes ndërkombëtare të vitit 2015 mbi programin bërthamor të Iranit, embargo e Kombeve të Bashkuara  që ndalon shitjen e armëve dhe pajisjeve të rënda ushtarake në Iran do të skadonte më 18 tetor.

Në gusht, Shtetet e Bashkuara, të cilat u tërhoqën nga marrëveshja tre vjet më parë, dështuan në përpjekjen e tyre për të bindur Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të zgjatur embargon dhe për të rivendosur sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit.

Kështu, Teherani njoftoi sot se embargoja e armëve tani është hequr, bazuar në kushtet e marrëveshjes.

Në shtator, Moska konfirmoi gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar ushtarakisht me Teheranin por edhe Kina gjithashtu nuk e ka fshehur qëllimin e saj për t’i shitur armë Iranit pas 18 tetorit.

LEXO EDHE: Skadon embargo 10-vjeçare e OKB, Irani tashmë mund të blejë armë pavarësisht kundërshtimeve të SHBA

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura