S’ka sinjalistikë, dhjetëra aksidente tek Unaza e Plazhit

Aug 30, 2015 | 13:56
SHPËRNDAJE

Unaza Plepa-Shkozet, pjesë e “bypass”-it të Durrësit, po kthehet ndër akset rrugore më të rrezikshme, për shkak të shtimit të numrit të aksidenteve që ndodhin aty. Edhe pse konsiderohet ndër arteriet kryesore të vendit, për të lidhur Jugun me Veriun, nëpërmjet autostradës Tiranë-Durrës, në të gjithë gjatësinë e saj vihet re mungesa e elementeve të sigurisë.

Ura e PlazhitDhjetëra aksidente kanë ndodhur në këtë segment të shkurtër, ndërsa brenda këtij muaji dy persona kanë humbur jetën.

Rasti më i fundit është ai i pak ditëve me parë, ku 24-vjeçari E.L. gjeti vdekjen pasi u përplas nga një automjet, teksa po tentonte të kalonte në njërin prej kryqëzimeve të rrugës me motoçikletë. Por, ky nuk është aksidenti i vetëm me pasojë vdekje që ka ndodhur në këtë segment që prej ndërtimit të tij.

Degëzimet e shumta që shërbejnë si hyrje-dalje në një zonë të urbanizuar, mungesa e mbikalimeve, si dhe mosfunksionimi i dy nga tre semaforëve, të cilët duhet të shërbejnë për rregullimin e lëvizjes së automjeteve e këmbësorëve mbeten shqetësuese.

Përgjatë gjithë aksit prej 4 km, janë vendosur vetëm dy mbikalime. Por këto janë të pamjaftueshme për banorët, të cilët në mungesë të tyre kanë vendosur shkallë dërrase, si një alternativë për të kaluar nga njëra korsi në tjetrën.

Banorët, banesat e të cilëve shtrihen në dy anët e rrugës, apelojnë për shtimin e mbikalimeve dhe elementeve të tjera të sigurisë, pasi jeta e tyre sa herë që detyrohen të komunikojnë me anën tjetër të rrugës, vihet në rrezik. “Aksidentet në këtë rrugë thuajse ndodhin çdo javë, deri më pasojë vdekje.

Këmbësorët janë më të rrezikuarit, pasi këtu mungojnë mbikalimet. Ne, si të vetmen zgjidhje kemi parë vendosjen e disa shkallëve prej dërrase, të cilat shërbejnë për të kaluar trafikndarësen. Por as ato nuk janë të sigurta, për shkak se automjetet ecin me shpejtësi dhe ne rrezikojmë teksa kalojmë nga njëra anë e rrugës në tjetrën”, shprehet njëri prej banorëve.

LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura