S’ka pyll pa derra, po ka… pyll derrash !

Jan 18, 2021 | 9:07
SHPËRNDAJE

FRANO KULLI

Frano-Kulli

Sjellja çnjerëzore e një personi, në aradhen e njerëzve-rojtarë shëndeti, aq më tepër në një “kohë kolere” si kjo që po kalojmë për shkak të virusit Covid-19, nuk mund të përcillet lehtë me thënien e hershme, po tashmë të zvargur prej neverie: “S’ka pyll pa derra”. Nëse sentenca jonë ka lindur njëherë e në një kohë për të stigmatizuar raste që me të vërtetë ndodhnin rrallë e kishin atë efekt goditës në vetëdijen e njerëzisë, aq sa ata kërkonin ta jashtëqitnin sa më parë prej trupit e kujtesës së shoqërisë, sot jemi krejt në të tjera rrethana. Sot, ajo pjesa e shoqërisë sonë e përcaktuar vetëvullnetshëm dhe me kërkesën e saj për të bërë shërbesat për shoqërinë në tërësi është ravijëzuar në vetëdijen tonë gati krejt si një pyll derrash. Pa shpirt e pa zemër, që ashtu si derrat e trashë vetëm duan të hanë e të hanë e të hanë. Për vete. I Gjithë sistemi i shërbesave këtu është rënduar kaq shumë nga e keqja dhe abuzimi me detyrën, nga korrupsioni, pra, nga keqpërdorimi i besimit dhe i parave tona caktuar për të shërbyer aq sa, ena imagjinare ku mund t’i fusnim ata, është mbushur me të keqen aq shumë, sa përditë derdhet e derdhet. E handraku (pisllëku) ka marrë dhenë. Kudo e për gjithçka dyshohet këtu ndër ne, dyshohet për shëndetësinë e trupën e saj. Dyshohet se të lënë të vdesësh po nuk u dhé para, madje t’i kërkojnë si një gjë që u takon, si një gjë të tyren. Ani, pse prej nesh e me paratë tona rrogëtohen. Me rroga të vogla apo të mjaftueshme, po vetë janë pajtuar me to. E megjithatë, përmbi rrogat që marrin e shpërfilljen përmbi to, të kërkojnë t’i paguash edhe ti shëndetligu, që të bie halli të shkosh në dorë të tyre. E kërkojnë me domosdo. Krejt në mënyrë të paligjshme e të padrejtë. Afërsisht si kjo Tirja “pastërtore”, në shpirtin e kalbur të së cilës shihej me zë e me figurë makabriteti i gjallesës së egër të pyllit. I asaj që ishte aty për ta shërbyer të sëmuren dhe shërbimi që fatzezës paciente i bën…i heq asaj ujin dhe frymën (oksigjenin). Dhe për këtë kërkon të paguhet përmbi rrogën.

Ndaj referenca juaj te sentenca me pyllin pa derra është një referencë tek e pavërteta e madhe, zoti Kryeministër. “Nuk mbulohet dielli me shoshë”, i nderuar zoti Kryeministër. Spitalet tona me numrat 1,2,3 a 4 të “kolerës”, janë vendi ku shkohet për të vdekur. E thonë shpesh e rëndom këto kohë, jo një po shumë, shumë njerëz këtë. E kanë lënë “të shkruar” ata fatzinj, që janë hedhur nga ballkonet e kateve të treta a të katërta të këtyre spitaleve, të përhumbur në disprimin (dëshpërimin) se mund të dalin gjallë prej aty. Ky është opinioni dominant që vjen si shtjellë në veshët tanë, përditë e për orë. Bashkë me ndodhitë e trishta. Referuar rasteve të ndodhura. Jo një, po shumë rasteve. “Mbretëria” juaj e spitaleve është lakuriq, zoti Kryeministër. E spitaleve, shërbesa në të cilat duhej të ishte falas, sipas premtimit tuaj. Se për ata, që “kolerën” u ka rënë rasti ta kalojnë pak më lehtë në shtëpi, e sigurt që nuk u kanë mjaftuar të ardhurat e së paku gjashtë muajve për ilaçet; për analizat, për grafitë, për skanerat e për shërbimin ambulator në shtëpi. Për këto ju nuk flisni, as nuk i përmendni. As nuk i shënoni në statistika. Po kjo duket e s’mund të mbulohet me gjethe fiku. As vetëm me lavdërimin e gazetarit të “Stop”-it, që zbuloi Tiren. E kështu të lash duart si Pons Pilati. Jo, jo, zoti Kryeministër. Tirja nuk ka sesi të jetë e vetmja, e shkëputur prej zinxhirit të një sistemi. Është sistemi që përbëhet e mbahet prej shumë hallkave si Tirja.

Dhe nuk është vetëm shëndetësia kështu. Po kështu është lakuriq mbretëria juaj e ujit dhe e dritave, zoti Kryeministër. E të gjithë administratorëve të pasurive tona, të zgjedhur prej jush. Të lënë në terr e pa ujë ty që s’ke 30 mijë lekë t’i paguash, ata që kanë në dorë çelësat e dritave e të ujit. Ata që janë me çelësa kasafortash përplot në shtëpitë e tyre. Përplot me pasuri ngritur mbi të padrejtën, ngritur përmbi vjedhjen e dhunimin, përfitues mbi abuzimin e mashtrimin, molepsur me të gjitha veset që ka njoftë njerëzimi qysh në fillesat e veta. Lakuriq është mbretëria juaj e punës dhe e bukës për nevojtarët, zoti Kryeministër. Të papasurit e nevojtarët për punë, rrëshqanthen rrugëve për të përditshmen, për bukën, zoti Kryeministër, nëse nuk mund të gjejnë një lidhje me ata që mbajnë çelësat e punëve, zoti kryeministër. Me drejtorin, me nëpunësin, me kryetarin, me shefin, me ministrin dhe me gjithë shpurën e zyrave të shtetit që kullandrisni (administroni) e drejtoni ju, zoti Kryeministër. Se të gjitha punët i keni ju në dorë. Iniciativa e lirë, principi mbi të cilin ndërtohen shoqëritë e vërteta demokratike, është vetëm një dokërr. Të gjithë ju jeni invadorët (pushtuesit) e punëve e të drejtave tona. Sot jeni vetëm ju. Nuk kanë shkëlqyer prej virtyteve as ata para jush. Korrupsionin si ekstraktin e veseve që i gërryen shoqëritë në demokraci, nuk e keni shpikur ju. Por nën qeverimin tuaj mbretëria e së keqes së korrupsionit është më e fortë se kurrë.

Ndaj, Tirja nuk është “derri” i pyllit pa derra. Siç jua kande (ju pëlqen) ta përcillni e ta përmbyllni shpejt e shpejt ju. E shumta e njerëzisë këtu mendojnë e thonë se ajo është njëra prej egërsirave të pyllit të derrave…

Po si u shndërrua kështu kjo shoqëria jonë? Në tridhjetë vite aspiratat tona të virtytshme për liri e prosperitet, pas rënies së regjimit gati pesëdhjetëvjeçar të dhunës, u deformuan e u shndërruan kështu në një skllavëri të veseve e të së keqes prej një grushti njerëzish sundimtarë?…

Unë kam njohur dikur një heroinë të shëndetit. Luçie Ndoja (Gazulli). E ka njoftë tanë Shkodra e katund e malësi. Kushdo që e ka hedhë nevoja e rasti në Spitalin e madh të Shkodrës përgjatë katër dekadave… Luçi, formimin e parë e kishte marrë në “Motrat stigmatine”- Kuvendi i murgeshave françeskane. Në shkollim e në edukatë. Pastaj, dihet historia e këtyre instituteve e shkollave; jeta e kishte zatetë Luçin infermiere. Në spital. Gjithë jetën atje, ditën e natën. Qe martuar vonë e s’pati fëmijë e gjithë dedikimi i saj qe për të sëmurët. Dikur doli në pension. Po prapë e prapë në spital… Dhe më tregonte një herë me humor Simoni, i shoqi:

-I them Luçit, Luç ti tashti mundesh me shku ma rrallë në spital.

-Jo, Simon, i përgjigjet Luçi, kanë nevojë për mu ata njerëz e baj mirë për ta me shkue. -Mirë, moj mirë, ban mirë për ata, por hin (hyn) në gjynah me mu …

Dhe derisa ka mbyllë sytë Luçi, me mend e me trup është gjendë atje pranë të sëmurëve. Në shërbesë të devotshme për ta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura