S’ka pushime për Saimir Pirgun, pas Spanjës këndon në “Bolshoi”

Jul 20, 2016 | 16:55
SHPËRNDAJE

Për tenorin Saimir Pirgu duket se nuk ka pushime. Nga Spanja në Moskë, pastaj në Francë për t’u rikthyer sërish në Spanjë e kështu me radhë… Gjithnjë e më i kërkuar e gjithnjë e më tepër i duartrokitur. Për 14 net me radhë, prej 19 qershorit deri më 8 korrik ai ka interpretuar në mënyrë “heroike”, siç do të shpreheshin mediat spanjolle, rolin e Rudolfos në operën e Giacomo Puccini-t “La Boheme” në “Gran Teatre del Liceu” në Barcelonë.

Saimir Pirgu në rolin e Rudolfos në operën “La Boheme”

Pirgu duhet të ndante rolin e Rudolfos me tenorin Matthew Polenzani, i cili anuloi pjesëmarrjen, duke ia lënë gjithë peshën tenorit shqiptar. Ka qenë një maratonë e vërtetë që zgjati për një periudhë trejavore, në një sallë me kapacitet 2300 veta.

Siç raportojnë mediat spanjolle, salla ka qenë e mbushur përplot dhe llogaritet që vepra të jetë ndjekur nga rreth 30 mijë spektatorë. Duke e konsideruar Pirgun si një “tenor të shkëlqyer”, “specialist të Moxartit dhe të bel canto-s”, ai është cilësuar si një “Rudolfo ideal”, me një pamje skenike elegante dhe muzikalitet të spikatur.

Duartrokitjet e publikut reflektonin një tjetër sukses të tenorit shqiptar. Dhe pa arritur të relaksojë kordat, Pirgu ka udhëtuar drejt Moskës, ku duhet të interpretojë rolin e Faustit, në datat 22 dhe 24 korrik në operën “La Damnation de Faust”, të Berlioz, në një nga skenat më prestigjioze botërore, në teatrin “Bolshoi” të Moskës.

Një produksion nga Peter Stein dhe dirigjim të Tugan Sokhiev. E paskëtaj do të ngjitet në një skenë nën yje, në “Choregie d’Oranges” në Francë për një koncert në Francë, ndërsa vjeshta do ta gjejë sërish në Spanjë.

Në fillimshtatori do të interpretojë në “Rekuiemin” e Moxartit për t’u rikthyer në “Gran Teatre del Liceu” në Barcelonë, me operën “Makbeth”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura