S’ka marrëveshje me Belgjikën për ekstradimin e Mark Frrokut, deputeti do të përgjigjet përpara drejtësisë shqiptare

Mar 30, 2015 | 22:24
SHPËRNDAJE

Mungesa e një marrëveshjeje ekstradimi mes Shqipërisë dhe Belgjikës ka qenë shkaku i hapjes së procedimit penal me akuzën e “vrasjes” ndaj deputetit Mark Frroku.

MARK FRROKU NE GJYKATEN E LARTE

Edhe pse krimi ka ndodhur në Bruksel në vitin 1999, deputeti i dyshuar duket se do të përgjigjet para drejtësisë shqiptare për këtë ngjarje. Prokuroria e Përgjithshme ka sqaruar dje procedurën e ndjekur për çështjen penale për vrasje ndaj deputetit Mark Frroku, pasi është vënë në dijeni të dosjes nga Interpoli dhe Ministria e Drejtësisë.

Pas hapjes së kësaj procedure, duket se ka dy variante juridike për ecurinë e çështjes. I pari është transferimi i dosjes belge në Shqipëri dhe paraqitja e saj para gjykatës shqiptare me akuzën e vrasjes ndaj deputetit.

Varianti i dytë është njohja e vendimit penal të Belgjikës në Shqipëri, duke sjellë në Tiranë vendimin që do të japë Gjykata belge pas shpalljes së tij.

Prokuroria tha se ka zbatuar nenin 6 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë për “Zbatimin e ligjit penal për vepra penale të kryera nga shtetas shqiptarë”, ku thuhet se për vepra penale të kryera nga shtetas shqiptarë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë zbatohet ligji penal vendës.

Ndërkohë, sipas këtij neni, ligji penal i Shqipërisë është i zbatueshëm edhe për shtetasin shqiptar që kryen krim në territorin e një shteti tjetër, kur krimi është njëkohësisht i dënueshëm dhe derisa nuk është dhënë për të një vendim përfundimtar nga një gjykatë e huaj.

BAZA LIGJORE
Në këtë nen theksohet se kushti për dënueshmërinë e njëkohshme në territorin e shtetit tjetër nuk zbatohet në rastet e krimeve të korrupsionit në sektorin publik ose privat, si dhe të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.

Më tej, në këtë bazë ligjore, sqarohet se sipas këtij neni, shtetas shqiptarë do të konsiderohen edhe ata persona që, përveç shtetësisë shqiptare, gëzojnë edhe shtetësi tjetër. Prokuroria theksoi se në rastin e Mark Frrokut ka vënë në zbatim edhe nenin 7 të ligjit për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja për urdhrat ndërkombëtarë të arrestit të shtetasve shqiptarë.

Sipas këtij neni, pika 3, prokurori i Përgjithshëm, nëpërmjet prokurorit pranë Gjykatës kompetente për procedimin penal të shtetasit shqiptar, mund të procedojë për arrestimin e përkohshëm të shtetasit shqiptar.

Po kështu, bazuar në këtë ligj, parashikohet se prokurori pranë Gjykatës kompetente për procedimin penal të shtetasit shqiptar, shënon në regjistrin e njoftimeve të veprave penale të dhënat e urdhrit ndërkombëtar të arrestit, me qëllim kryerjen e veprimeve procedurale verifikuese për fillimin e procedimit penal.

Sipas Prokurorisë, Mark Frroku akuzohet për ngjarjen e ndodhur më datë 5 mars 1999. Në këtë kohë, Aleksandër Kurti, lindur më 03.01.1975, u qëllua me thikë për vdekje nga 4 autorë, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Saint– Gilles, Bruksel.

Sipas Prokurorisë, autor i kësaj ngjarjeje besohet të jetë shtetasi Mark Frroku, i njohur ndryshe si Besnik Morina, i njohur ndryshe si Dritan Frroku, i njohur si Piro Sfrani (Sofrani).

Sipas disa dëshmitarëve, Besnik Vuka ishte autori i goditjeve me thikë. Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë me iniciale L.S. “Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Trazhgim Sokolaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura