“S’ka bir k.. që të trembi ty”!, Limos Dizdari tregon bisedën me Kryeministrin pas kërcënimit: Duan Shtëpinë e…

Dec 21, 2020 | 15:22
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Kompozitori i njohur, Limoz Dizdari, ish-deputet i Partisë Socialiste të Delvinës, tregon letrën kërcënuese që ka marrë pak ditë më parë dhe akuzon organet ligjzbatuese për indiferencën e treguar për të mos e çuar çështjen në Prokurori.

pjimage - 2020-12-21T090139.045

Duke folur për gazetën “Panorama”, zoti Dizdari shprehet se kërcënimet ndaj tij janë të përsëritura si në vitin 2018 dhe vijnë nga persona të lidhur me pushtetin që duan t’i marrin atij qendrën e artit “Dea” në Ksamil dhe ta përdorin si pronë për biznes. Ai kujton dhe telefonatën që ka marrë nga Kryeministri i vendit, Edi Rama në vitin 2018, kur ka marrë kërcënimin e parë me jetë, ndërsa shprehet se nuk ka marrë asnjë reagim nga 42 letra që i ka dërguar Kryeministrit, Presidentit të Republikës dhe kryetarit të Kuvendit.

Ju keni marrë një letër kërcënuese dhe e keni denoncuar në Polici. Çfarë përmbante ajo letër?

Po unë kam marrë një letër kërcënuese. Kërcënimi ishte shumë i sofistikuar. Hodhën një zarf ku kishte një letër ku më qanin hallin se duan të të helmojnë dhe kërkonin ndjesë se nuk mund të identifikoheshin. Po jua lexoj letrën:

“I dashur profesor, jam një person që jua dua të mirën. Tani për tani nuk mund të identifikohem se cili jam, sepse kam arsye të forta.

I dashur profesor Limozi, dua t’ju ve në dijeni se keni armiq që duan t’ju bëjnë keq. Arsyet dihen dhe ju vetë e dini. Profesor Limozi, duan t’ju helmojnë, prandaj bëni kujdes me ushqimin që konsumoni, gjithashtu dhe me pijet që pini. Shpreh mendimin tim se këtu ku ju vendosët të jetoni, duhet të zgjidhni punonjësit më të besuar për t’ju shërbyer që t’ju duan dhe nuk ju bëjnë keq. E theksoj se jam i informuar mirë prandaj ju them të bëni kujdes mirë tani se më vonë s’ka kuptim. Kam shpresë se për ca kohë do t’ju takoj nga afër. I nderuar profesor Limozi, kujdes nga punonjësit, sepse ke ujqër që duan t’ju kafshojnë, ke armiq që duan t’ju helmojnë”.

Pjesa e parë e letrës mund të interpretohet si njëlloj përkujdesje ndaj meje që të huton, ndërsa pjesa e fundit kur thoshte se “ke ujqër që duan t’ju kafshojnë dhe armiq që duan t’ju helmojnë”, mua më shqetësoi. Unë të keqen kam kohë që e ndjej dhe kjo është një gjë e përsëritur. Në vitin 2018 më kanë kërcënuar hapur, kanë ardhur këtu dhe më kanë kërcënuar hapur.

Persona të identifikuar?

Po, po, presona që erdhën dhe më kërcënuan ballë për ballë. Në atë kohë unë bëra një konferencë për shtyp për të bërë publike edhe këtë kërcënim. Në atë kohë isha dhe këshilltar i Akademisë së Shkencave. Opinioni u sensibilizua. Ishte ajo ditë kur Sali Berisha në Parlament kishte bërë thirrje për revolucion dhe rrëmbim armësh…Më mori në telefon Kryeministri Edi Rama dhe më tha se “nuk ka bir kurve që të trembi ty!”. Unë i thashë se “janë ata rrugaçët e tu, ata batakçinjtë..”

Te cilët dyshoni se po ju kërcënojnë? Keni emra konkretë?

Konkret është fakti se gjatë vitit 2017, 2018, 2019 dhe 2020 ne i kemi dërguar 42 letra qeverisë, Kryeministrit, Presidentit, Kryetarit të Parlamentit dhe drejtuesve të institucioneve dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Kjo tregon se kjo trysni është një trysni e organizuar nga shteti. Pra, unë nuk e kam kërkesën dhe kërcënimin nga individë, sepse ata e dinë se me mua nuk bëjnë dot pazarllëqe, më jep këtë, të të jap atë dhe prandaj kërkova që përmes këtyre letrave të prononcohej shteti. Absolutisht nuk ka asnjë reagim! E vërteta është se letrat që i kam dërguar edhe Kryeministrit, edhe kryetarit të Kuvendit edhe Presidentit janë vërtet letra të egra.

Kërcënimet nuk vijnë për shkak se jeni njeri i artit dhe kulturës, por janë kërcënime që lidhen me pronën ku ju jeni zhvendosur në Ksamil që është Qendra e Kulturës?

Në Shtëpinë e Kulturës në Ksamil, Qendra e Artit “Dea” unë kam bërë një investim shumë të madh, rreth 800 mijë dollarë janë shpenzuar për ta bërë funksionale për komunitetin dhe duke e kthyer në një qendër kulture. Unë nga Tirana mora vetëm pianon me vete dhe Adrianën, gruan, asgjë tjetër. Sot, Qendra e Artit “Dea” ka 5 piano, ndërsa Ksamili ka blerë dhe 14 piano të tjera nëpër familje. Nga Ksamili një vajzë ka mbaruar Universitetin e Arteve për muzikë. Një vajzë tjetër, e cila mësoi pianon këtu, shkoi në Lion të Francës dhe fitoi konkursin nacional të Lionit dhe po bëhet pianiste shumë e mirë atje. Pra, ne këtë po bëjmë, po merremi me art dhe po u mësojmë fëmijëve dashurinë për artin. Kam bërë një bibliotekë model me rreth 8500 tituj librash dhe nuk po arrij dot ta dixhitalizoj. Kam bërë sallonin e librit “Migjeni”, sallonin e veprave të artit “Abdurrahim Buzo”, mbi 150 vepra, ndërsa në ambientet e jashtme janë mbi 25 vepra skulpturore. Të huajt kur vijnë këtu befasohen kur shohin këtë ambient. Ambicia ime ka qenë që këtu të ndërtojmë një teatër të Operës. Por, me kë ta bësh?! Ai po i vë kazmën të gjitha teatrove.

Pra, kërcënimet vijnë nga persona që duan ta kthejnë Qendrën e Artit në biznes?

Kërcënimet vijnë nga oligarkët, të cilët mesa kam marrë vesh duan të më heqin mua nga këtu për të bërë biznes me Qendrën e Kulturës.

A ju kanë ardhur oferta që ju të largoheni nga ai vend apo të bashkëpunoni?

Ata e dinë që mua nuk mund të më bëjnë oferta të thjeshta, afera parash. Unë jam një eremit, që kam ikur nga Tirana, që çdo ditë e më shumë po më duket vetja se kam qenë i çmendur që kam marrë këtë vendim. Kur më pyesin njerëzit se si kaloj në Ksamil, u them: Heq keq, por jam i lumtur. Por, tani po e kuptoj se marrëzia është e madhe, se nuk i kisha marrë të gjitha parasysh kur vendosa të vija në Ksamil. Nuk e kam menduar kurrë se shteti nuk do të ishte solidar me mua. Janë tri arsye që gjykoj: e para, unë jam i vetmi deputet nga Parlamenti i viteve 2000 që kam mbajtur qëndrim dhe kam folur kundër prishjes së teatrit; e dyta, është një vazhdë që vijon me prishjen e të gjitha institucioneve kulturore. Më thuaj a ka institucione kulturore në Shqipëri?! Nuk ka! Madje një ministër i qeverisë më ka thënë që ta heq nga mendja se nuk do më lenë në këtë punë që po bëj, sepse unë u kam prishur punë me deklarimet dhe qëndrimet e mia. E di u thashë, sepse nuk u lashë që të privatizonit. Sepse çfarë donin të privatizonin? Duan ta privatizojnë në mënyrë të shëmtuar dhe antiligjore. Kjo është e papranueshme! Unë duke e njohur shtetin, nuk mund të bie dakord me këtë. Unë kam marrë një shkresë nga prefekti i Vlorës, ku më thotë se po më dërgon një punonjës të Kadastrës. Për çfarë më duhet mua punonjësi i Kadastrës, për të ligjëruar gabimet që bëjnë ata vetë?! Të gjitha këto janë truke, sepse duan me çdo kusht që të më përzënë nga kjo Shtëpi e Artit, ndërsa investimi e ka kaluar shumëfishin për të pasur të drejtën që ta privatizoj këtë objekt.

Ndjeheni i rrezikuar, keni frikë nga kërcënimi që ju kanë bërë?

Unë nga këto nuk kam ndonjë ndjenjë frike, por jam i detyruar të ndjek linjën shtetërore. Mora në telefon dhomën operative të Policisë, lajmërova për kërcënimin dhe erdhën menjëherë. Sipas ligjit, një denoncim duhet t’i kalojë Prokurorisë për 48 orë. Kanë kaluar 78 muaj dhe akoma nuk e kanë vënë ujin në zjarr.

Çfarë reagimi pati nga Policia pas denoncimit tuaj?

Asnjë reagim. Mora shefin e Komisariatit, pasi kishin kaluar 12 ditë, dhe e pyeta. Ai më tha, që jam informuar, keni ndonjë shqetësim tjetër?! I thashë se nuk kam asnjë frikë, por po ju pyes nëse i keni bërë detyrat e shtëpisë që ju takojnë apo jo?! A e keni çuar denoncimin në Prokurori? Ai më tha: Prokuroria është e bllokuar, sepse e ka zënë COVID-19. I thashë: Po nëse vjen më plagos ndonjë, ti do presësh që Prokuroria të kalojë virusin?!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura