Sjelljet josociale, burim i kulturës mafioze

Dec 9, 2017 | 10:39
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO/ Ai quhet Altin. Së bashku me të shoqen, 25 vjet më parë, emigruan drejt perëndimit. Si zakonisht, në atë kohë, me gomone. Burrë e grua punuan fort. Nga dy punë secili dhe mblodhën ca para. Mblodhën mjaftueshëm, pasi kishin fatin të mos paguanin qira, ndryshe të vështirë do ta kishin. Ideja për një biznes privat në qytetin e tyre të lindjes, në jug të Shqipërisë, nuk u ndahej nga mendja. Qytet ky, që brezat e dikurshëm e kishin kthyer në perlë. Bleu një shtëpi të vjetër. E riparoi dhe e zmadhoi. Kalvari i lejeve të panumërta të duhura dhe jo, pengesat tepër artificiale të shmangura me para, mbi dhe nën dorë, çuditërisht nuk e thyen vullnetin e tyre të hekurt.

pellumb nako

Ndërtuan një hotel të vogël me 6 a 7 dhoma. Hotel, ku arkitektura unikale, tradita e ndërthurjes së gurit, drurit dhe hekurit në ndërtim, hijeshuar me trëndafila të shumtë plot ngjyra, prodhuan një godinë të bukur me ambient familjar, intim, të ngrohtë. Mishërim i fjalës së Viktor Hygoit: “Një ndërtesë i përket pronarit, bukuria e saj i përket gjithë qytetit”. Dhe qyteti u bë më i bukur. Pas kënaqësive të para, filluan problemet. Të dyja makinat private të çiftit gërvishteshin qëllimisht. Kur vinin turistë, vendparkimi, megjithëse hapësirë publike, filloi të bllokohej me gurë. Shpesh turistët irritoheshin. Në kohën e pushimit, nga fqinji ngjitur, vinte një zhurmë masakruese. Plehrat e fqinjit tjetër hidheshin para derës. Po ashtu, edhe mbeturinat e ndërtimit të tjetrit. Netëve nuk po mungonin as gurët e hedhur mbi çati. Shumë u përpoq çifti t’i sqaronte dhe t’i sheshonte këto probleme. E pamundur. Lajmëruan policinë. Ata i thanë ta gjente vetë një mënyrë për t’i zgjidhur gjërat pasi nuk kishin ç’të bënin. Nuk kishte kundravajtje penale. U lodhën. U thyen. Mendimi për ta shitur filloi të bëhej gjithmonë e më shumë serioz. Po, ja, një ditë, Altini fton dikë për drekë. Dikë që e kishte pasur në klasë gjatë fëmijërisë.

Por tani ai ishte dikush. Dikush, që mbante mbi shpatulla një të kaluar të lidhur fort me punë të errëta dhe disa vite burg jashtë shtetit. Aktualisht biznesmen. Shumë autoritar dhe fjalëpakë. Nuk bëhej shaka me të. Të gjithë e njihnin dhe mirë madje. Shumë konflikte kishte zgjidhur ai. Altini i tregoi hallin që e kishte zënë. Pas drekës, për të pirë kafen, hipën në tarracën plot trëndafila, nga ku pamja e qytetit të priste frymën. Tarraca shihej qartë edhe nga fqinjët. Pastaj, Altini përcolli shokun e tij, që makinën e kishte parkuar atje ku ishin gurët. Mjaftoi kjo dhe Altinit, bashkë me të shoqen, nuk ia gërvishtën më makinën. As zhurmë nuk pati më, as gurë për t’i bllokuar vendparkimin apo për t’ia hedhur mbi çati. Plehrat u zhdukën. Atë mbrëmje, kanalet televizive u bënë jehonë komenteve qeveritare për boom-in turistik në Shqipëri. Historia nuk ka asnjë presje të shtuar. Dhunë, tensione, konflikte të tilla, që të helmojnë shpirtin, ndodhin përditë. Thuajse çdo individ në Shqipëri ka përjetuar qenien viktimë të një apo më shumë sjelljeve josociale. Të tjerë e përjetojnë pothuaj përditë. Ata ndihen të pazotë. Sidomos shtresat sociale të margjinalizuara. Nuk kanë ku të kërkojnë zgjidhje e për rrjedhim, konflikti mbetet pa asnjë përgjigje. Pushteti qendror është tepër larg për “këto vogëlsi”. Ai lokal, inekzistent. Policia Bashkiake është mjaft e zënë me vënien e gjobave. Ajo e shtetit ka shumë punë më të rëndë- sishme për të bërë. Institutet jofitimprurëse e ndërmjetësuese bëjnë paradë konferencash.

Po ashtu edhe organizatat e ndërkombëtare. Dhe pastaj, sikur të kemi shpikur rrotën, në një zë, të gjithë bërtasim: shoqëria shqiptare gjeneron shumë dhunë. Jo! Jo, vetëm ajo shqiptare. Kudo në botë, por ajo shqiptare nuk ka përgjigje. Dhe pasojat nuk vonojnë. Shumë ia mbathin, ikin. Nuk janë të paktë konfliktet e sjelljeve josociale që mahisen dhe kalojnë në akte të rënda. Jo më kot, kronikat e zeza flasin aq shpesh për vrasje për një gardh, për një pemë apo për një vijë uji. Sipas sociologëve “sjelljet josociale nënkuptojnë një tërësi shqetësimesh të ndryshme sociale që nuk plagosin fizikisht askënd, por prishin rregullat elementare të jetës sociale, rregulla këto që lejojnë krijimin e besimit”. Shqipëria i ka me shumicë. Ka një boshllëk të madh në dhënien përgjigje viktimave të përditshme të sjelljeve josociale, boshllëk që duhet mbushur urgjentisht. Po nga kush? Altini e zgjidhi hallin, por jo me institucionet e shtetit. Personazhi i tij qeveris. Dhe paralel me shtetin. Madje shteti jo rrallë mbështetet tek ta, i bën pjesën e tij. Por përsëri sociologët thonë: “Shteti duhet të sigurojë praninë e autoritetit të tij në çdo qelizë të shoqërisë edhe për problemet më të vogla, pasi në mungesë të tij, një autoritet tjetër do të mbushë boshllëkun dhe ky autoritet do të jetë paralel me atë të shtetit. Kjo është kulturë mafioze”.

Ajo që thonë sociologët duhet materializuar në aksion të organeve kompetente, në mënyrë që problemet të zgjidhen. Hapat e bëra nga ana e policisë në lidhje me “policimin në komunitet” janë në rrugën e duhur, por ato përqendrohen më shumë në përmirë- simin e shërbimit të policisë ndaj publikut dhe jo në përpunimin e një qasjeje të qartë me objekt luftën kundër sjelljeve josociale. Problemet madhore, hera-herës brenda saj, e zbehin këtë rol. Numri 112 i urgjencave zgjidh problemet e zonave urbane, por jo të atyre rurale e periferike. Megjithatë, e vetme, policia nuk mund të jetë në gjendje të bëjë gjë të madhe, aq më tepër kur i mungojnë instrumentet e duhura ligjore. Të gjitha sjelljet jo civile duhet të jenë subjekt gjobash dhe kur përsëriten, të kthehen në kundravajtje penale. Pushteti lokal duhet të marrë përgjegjësitë për të garantuar qënien e shtetit pranë shtetasve të tij. Në terren ai duhet të ketë “ndërmjetës socialë”, personel ky i formuar mirë, me detyrë identifikimin, monitorimin dhe ndërmjetësimin e konflikteve të vogla në çdo njësi banimi e mbështetur nga policia e shtetit. Kjo e fundit duhet të bëjë “një policim në afërsi”, e pasuar nga organe drejtësie “në afërsi” me objekt edhe gjobat apo konfliktet e shqetësimet më të vogla, si ato që përjetoi Altini. Zgjidhjen e tyre dhe shpejt. Në vende shumë më të pasura dhe me të konsoliduara se Shqipëria zhvillohen procese të shpejta gjyqësore edhe për çështje me vlerë 100 euro. Policia bashkiake nuk duhet të ketë objekt pune vetëm ndëshkimin me gjoba. Gjithsesi zgjidhjet aty janë. Dhe të shumta. Mjaft që institucionet kompetente t’i vlerësojnë sjelljet josociale si fenomene që gërryejnë rëndë shoqërinë, që minojnë solidaritetin dhe besimin e saj duke u kthyer në burim pasigurie, në çerdhe të një kulture mafioze; shkak për largim, për braktisje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura