“Situatën më të jashtëzakonshme e kam kaluar në…”/Ilir Meta rrëfen 30 vitet në politikë: Biseda me Nanon para dorëheqjes! Ja pse e pranova Presidencën

Nov 26, 2020 | 10:01
SHPËRNDAJE

Duke folur në forumin “Biseda për tranzicionin”, nën moderimin e prof. as. dr. Belina Budini në UET, Presidenti Meta ka bërë një rrëfim shumë ndryshe për karrierën e tij 30-vjeçare në politikën shqiptare.

meta nano

Meta është ndalur në disa momente kulminative të jetës së tij në politike, duke nisur që nga vitet kur ishte student në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, te zgjedhja për t’u bashkuar me Partinë Socialiste, momentet kritike të kohës kur ishte Kryeministër e deri te miratimi me 140 vota i Reformës në Drejtësi.

Si momentin më të vështirë në karrierën e tij politike, Meta tha se kishte qenë kur mbante pozicionin e zv.kryeministrit në vitet 1998-1999 gjatë luftës në Kosovë, kur u përjetua një krizë humanitare ndër më të mëdhatë e dekadave të fundit në gjithë Europën. Por në këtë bisedë në forumin “Biseda për tranzicionin”, Meta nuk i shpëtoi edhe komentit për situatën aktuale politike në vend, ku tonet sërish i pati shumë të forta. Presidenti tha se ajo që po ndodh me Gjykatën Kushtetuese, prej tij ishte paralajmëruar edhe më herët, por nga ana e maxhorancës tentativa për të kapur shtetin nuk ishte ndalur. Kreu i shtetit shtoi edhe se gjatë fillimit të pandemisë kishte bërë përpjekje për të përafruar palët, duke organizuar mbledhjen e Këshillit Kombëtare, ku mori pjesë edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, por qeveria nga ana tjetër provokoi sërish, duke dërguar fadromat dhe Policinë për të shembur godinën e Teatrit Kombëtar.

Cila është konsiderata juaj në lidhje me sfidat dhe arritjet tuaja më të rëndësishme? Flasim të institucionit që ju drejtoni, por gjithashtu edhe tuajat personalisht si drejtues politik në kontekstin e tranzicionit politik në Shqipëri. Cilat janë këto sfida dhe arritje, sipas jush?

Një nga sfidat më të mëdha për mua ishte të kaloja nga lëvizja e dhjetorit, ku unë isha pjesëmarrës në takimin me Ramiz Alinë si përfaqësues i Fakultetit Ekonomik, ku u vendos pluralizmi politik, të kaloja pas një viti në kundërshtim të plotë me erën që frynte atëherë në PD, demokraci e antikomunizëm i frikshëm, pasi edhe shumë nga ata që kishin qenë komunistë u bënë më ekstremistë sesa ata që kishin qenë të persekutuar, pra të kaloja në krahun tjetër dhe të bëhesha një nga themeluesit e FRESSH. Ky kalim u bë në një kohë kur në PS nuk hynte asnjë i ri dhe e kishe të vështirë të gjeje një njeri poshtë 50 vjeç. Pastaj sfida tjetër ishte në ‘92- shin, kur unë nuk doja të bëhesha deputet, kjo është e vërteta, dhe PS-ja mori vetëm 6 mandate maxhoritar dhe unë isha një nga këta 6 deputetë maxhoritarë dhe në një zonë të vështirë si ajo e Tomorricës. Jam deputeti i parë që i është hequr imuniteti. Ishte pa asnjë arsye, por një hakmarrje ndaj popullit të Skraparit që ishte i vetmi që votoi majtas dhe unë thjesht ndihmova që të evitohej një konflikt mes popullsisë dhe Policisë. Kjo më ndihmoi për t’u bërë më popullor në opinionin publik. Me burgosjen politike të Fatos Nanos, unë u bëra nënkryetar i PS-së dhe kjo më dha më shumë mundësi për të dalë në plan të parë. Nuk kam pasur ndërmend të bëhem politikan, as Kryeministër dhe as President. Qëllimi im ka qenë që të ecja më tej sa i përket formimit tim si ekonomist, akademik, madje bëra një përpjekje kur mbarova shkollën, për t’u larguar. Madje kjo ishte kontrata ime me PSnë që do të pranoja të bëhem deputet, por do të iki më pas se doja të vazhdoja shkollën.

Ka një tension që ne e kemi vënë re në mënyrë të vijueshme ndërmjet institucioneve dhe aktorëve në Shqipëri në kontekstin e zhvillimeve dhe ngjarjeve të caktuara. Si mendoni, pse ndodh kjo dhe kush prevalon: aktorët apo institucionet? Edhe te figura juaj momentalisht dhe angazhimi juaj, ne kemi parasysh të gjithë këtë tension të shpalosur të dukshëm edhe në zhvillimet aktuale. Ju ndiheni më tepër aktor apo institucion?

Dua të them që në sjelljen time si politikan ka prevaluar atdhedashuria. Kjo vazhdon të prevalojë dhe burimi i tensioneve vjen për shkak se unë ndjej që cenohen interesat kombëtare, që kërcënohen interesat publike. Se unë vë re që janë kapur institucionet, se mund të flas me shumë përgjegjësi. Edhe përpjeka për të kapur në mënyrë të turpshme edhe Gjykatën Kushtetuese, siç dihet, se si u kap me zgjedhjen antikushtetuese të zonjës Marku dhe me gjithë ato procedura. Pra, për të kapur çdo gjë në këtë vend dhe për të ardhur në një situatë që kemi një Parlament njëpartiak, nëse me thoni që është dypartiak, atëherë iu kërkoj falje, kur kemi një qeveri që komandon Parlamentin dhe kur kemi një Parlament që miraton ligje preferenciale për njerëz të caktuar, jashtë çdo standardi kushtetuese, në shkelje edhe të parimeve themelore të barazisë dhe konkurrencës dhe në një shkelje të madhe të interesit të publikut. Duhet të kemi parasysh që jam Presidenti në situatën më të vështirë që ka pasur historia e Shqipërisë, jo vetëm për arsye se kompetencat e Presidentit që nga viti 2008, kur u bë ajo ndërhyrje e shpejtë dhe skandaloze në Kushtetutë e në vazhdimësi, qëllimisht janë bërë në mënyrë që të dobësohen themelet e shtetit të së drejtës dhe të forcohet pushteti i ekzekutivit, i Kryeministrit dhe i partisë. Atëherë u bën edhe listat e mbyllura të deputetëve, të cilët janë më shumë pronë e kryetarëve, sesa janë përfaqësues të votës së qytetarëve. Kështu që tek unë gjithmonë prevalon atdhedashuria, përgjegjshmëria.

Gjithmonë kam bërë çdo gjë për t’i shmangur konfliktet dhe jo për t’i krijuar konfliktet. Nëse, për shembull, do të merrnim rastin e Reformës në Drejtësi, e cila u bë dhe është një nga arritjet e mia personale për interes të vendit, u bë vetëm me insistimin tim të jashtëzakonshëm të 5-6 viteve më parë, që u votua me 140 vota, për arsye se në ato kohë shumica e aktorëve të tjerë politikë bënin lojëra, për të krijuar një krizë dhe vetëm ai votim dha rekomandimin pozitiv për Shqipërinë, për çeljen e negociatave. Po të marrim rastin e Gjykatës Kushtetuese, unë e kam paralajmëruar me kohë se synohet të arrihet këtu dhe kam kërkuar prej kohësh që të bashkëpunohet për të mos arritur këtu ku jemi, ku vendi është pa Gjykatë Kushtetuese dhe kujt i intereson kjo gjë? Qytetarëve shqiptarë kurrë nuk iu intereson, institucioneve të pavarura kurrë nuk iu intereson, investitorëve vendas dhe të huaj kurrë nuk iu intereson. Kjo i intereson vetëm sjelljes arbitrare të qeverisë për të qenë e pakontrolluar. Dhe gjithmonë Presidenti ka qenë 3 hapa para për ta shmangur konfliktin. Kam kërkuar bashkëpunim, po nuk kam marrë asnjëherë përgjigje. Janë përpjekur ta vendosin Presidentin para faktit të kryer, sepse qëllimi ka qenë një dhe mbetet një: kapja e Gjykatës Kushtetuese.

Marrim rastin e tanishëm, se nuk para e thonë këtë gjë, se nuk iu intereson, ata e çuan Presidentin në “Venecia”, nuk e çoi Presidenti edhe për mënyrën e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese. Dhe “Venecia” e ktheu përgjigjen shumë qartë, duke thënë se Presidenti kishte vepruar në mënyrën më të qartë dhe foli qartë se kush i kishte krijuar këto konflikte. “Venecia” dha edhe rekomandime të qarta, të cilat këta nuk i respektuan. Presidenti i kërkoi kryetarit të Parlamentit, që hajt çfarë ndodhi, ndodhi, tani të shikojmë përpara. Dhe çfarë bënë ata ditën e fundit të Parlamentit: miratuan ligjin që heq betimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë te Presidenti, që është në kundërshtim me gjithë rekomandimet e “Venecias”.

Kjo do të thotë se ka një përpjekje të qeverisë për të kapur gjithë Gjykatën e Lartë, por përveç asaj, edhe Gjykatën Kushtetuese përmes Gjykatës së Lartë. Pra kjo tregon kush ka vullnet për të bashkuar dhe kush për konflikt? Tjetra, gjatë Pandemisë. Presidenti bëri çdo gjë për të qetësuar situatën. Opozita reale nuk është në Kuvend dhe vura në lëvizje një organ që nuk është i përshtatshëm për këto çështje, siç është Këshilli i Sigurisë Kombëtare, për të përfshirë edhe zotin Basha. Por çfarë ndodhi? Kur u krijua ideja se po ngrohet koha dhe situata po shkonte drejtësisë, çfarë bëri qeveria? Shkuan dhe hodhën në erë Teatrin Kombëtar.

Pse, çfarë urgjence kishte dhe kur vendi ishte në gjendje të jashtëzakonshme? Pra 1300 policë shkojnë në një godinë me artistë në 3 të natës, sepse ka një vullnet për të krijuar konflikt artificial, për t’i kapur institucionet. Presidenti ndonjëherë i rrit tonet, sigurisht pasi për derisa institucionet kushtetuese nuk funksionojnë dhe në rast do të kishte një prokurori serioze, ajo që ka ndodhur me Gjykatën Kushtetuese nuk do të kishte ndodhur. Grupi i strukturuar kriminal në Ministrinë e Drejtësisë sot do të ishte në burg dhe nuk do të guxonte njeri të bënte më manipulime të tilla. Dhe Presidenti nuk do të kishte asnjë arsye të thërriste popullin në 2 mars. Unë e thërras popullin që t’i them zgjohu. Problemi është që po zbrazet Shqipëria nga rritja e varfërisë, pabarazisë nga minimi që i bëhet në vazhdim edhe interesit publik edhe interesit kombëtar. Sa herë që qeveria ka kërkuar një zgjidhje te Presidenti, ai e ka dhënë.

Në kuptimin e trashëgimisë, ju çfarë Presidenti mendoni se do të dilni? Si e gjetët këtë institucion dhe në çfarë stadi, për zhvillimet demokratike? Si mendoni se do të mbaheni mend si President?

Unë nuk mund t’i them këto gjëra ende, pasi jam ende në krye të detyrës. Por ajo që mund të them se largimi nga Kuvendi dhe mosfutja në zgjedhjet e 30 qershorit kanë qenë gabime të opozitës. Pas përpjekjeve sistematike të Kryeministrit për të kapur Gjykatën Kushtetuese, duhet të kemi parasysh që Presidenti ishte i vetmi institucion që pengonte të gjitha planet që demokracia shqiptare të binte në një gropë të madhe. Nëse do t’i kisha dhënë notë, do t’i vija notën 10 me yll Kryeministrit tonë, është se ka arritur atë gjë që se ka arritur askush më parë, sepse ka manipuluar raportet ndërkombëtare, që paraqiste situatën këtu sikur këtu po bëhej çudi me reformat, ndërkohë që ne e dinë se po të kishte ecur kështu me reformat, do të na ishin çelur negociatat. Ne jemi në këtë situatë për shkak se politikanët kanë dalë nga kontrolli i popullit. Qeveria ka dalë nga kontrolli i popullit dhe përpiqet ta mbajë në presion, ta intimidojë e frikësojë popullin. Kjo është e gabuar dhe nuk është tipari i një vendi demokratik. Por të mos harrojmë se Shqipëria as pas 2025- ës nuk i çelim dot negociatat. Ndërkohë, Serbia i ka çelur negociatat që në vitin 2014, Mali i Zi që në vitin 2012. Mos të harrojmë që në 2006-ën kemi qenë shumë përpara, pra në një kohë të shkurtër këto dy vende na kaluan. Ne nuk i kemi pasur problemet e brendshme të këtyre vendeve dhe është një situatë shumë e keqe se vendi është defaktorizuar në rajon.

Duke i krahasuar rolet dhe pozicionet që ju keni pasur, atë të Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe aktualisht të Presidentit, por edhe role të tjera, në cilin prej këtyre roleve, ku jeni gjetur më mirë si shtetar dhe si protagonist politik dhe në kuptim të zhvillimeve demokratike? Sot jeni në një pozicion të vështirë, le të themi, apo jeni ndjerë më mirë si President?

Unë gjithmonë kam zgjedhur rrugën më të vështirë. Unë mund të kisha kaluar me PD-në në vitet ‘90, pasi isha afër me Gramoz Pashkon. Si zgjidhje për t’u angazhuar e ndjeva në një moment të vështirë për të majtën, kur ajo ishte në pikiatë morale. Bindjet e mia kanë qenë gjithmonë socialdemokrate. Në fillim të viteve ‘90 u vu në diskutim lufta antifashiste dhe unë duke qenë nga Skrapari dhe i lidhur me një familje, i lidhur me luftën, pasi kam lindur në një shtëpi që ka qenë spital partizan, e ndjeva pak si cenim të asaj krenarisë së historisë e kështu me radhë. Kam qenë i bindur se të gjithë ikin në një anë, s’ka demokraci. Jam mësuar të zgjedh më të vështirën, kurrë më të lehtën. Sepse nuk do t’i duhesha as vendit, as atyre që kanë simpati për mua.

Në cilët nga rolet, si President, Kryeministër apo Kryetar Kuvendi, cili i ka realizuar aspiratat tuaja?

Secili nga rolet ka pasur specifika. Si Kryeministër kam qenë një Kryeministër i suksesshëm po ta shohësh me parametrat e sotëm. E kam marrë drejtimin në një kohë të vështirë, kur ishte PS-ja në krizë. Kam qenë Kryeministër, jo si kryetar partie. Së dyti, kam pasur një opozitë të paparë, me në krye profesor doktor Sali Berishën. Nuk ishte e lehtë të ishe përballë një opozite aq energjike. Institucionet ishin tepër të brishta pas ’97-ës. Dhe gjendja ekonomiko-financiare ishte shumë e vështirë. Nuk kishe mundësi për të marrë kredi më shumë se 200 milionë dollarë. Unë u rizgjodha, por më pas ishte një ritëm i jashtëzakonshëm reformash, që vështirë kanë ndodhur më parë, ndoshta në 2005-2006, kur erdhi PD-ja, që pati një ritëm të fortë ndoshta për shkak të procesit të stabilizim-asocimit. Por atëherë ne kishim një situatë që kryetari i PS-së donte të bëhej President, por në zgjedhje ne kishim bërë një faull në Dushk, ku kishim marrë mandate që nuk na takonin për të kaluar 60% të mandateve. Dhe kushti ishte që Presidenti duhej të zgjidhej me konsensus, pasi në të kundërt do të pengohej integrimi i vendit. Më ofruan që të isha edhe kryetar i Partisë Socialiste, që kryetari i atëhershëm të bëhej President, por unë i thashë bëhu ti Kryeministër, bëhem unë ministër i Jashtëm dhe Presidenti të zgjidhej me konsensus. Çdo situatë ka pasur kënaqësitë e saj. Situatën më të jashtëzakonshme e kam kaluar më 1998- 1999, kur organizoja operacionet humanitare kur vinin shqiptarët nga Kosova gjatë luftës. Ajo ka qenë situatë e pabesueshme, as vetë nuk e di si e përballuam. Shteti ishte i varfër, por i mbijetuam falë solidaritetit të Kukësit e Hasit. Përballuam një krizë humanitare të paparë. Në ato momente kam kuptuar që nuk ka situatë të vështirë. Ne nga Skrapari themi kur ka situatë të vështirë, malet tona më të larta. Por sërish ne themi malet tona edhe më të larta.

Ku ishit në kapërcyell të ndryshimeve në vitet kur ndodhi ndryshimi sistemit?

Kam qenë në Fakultetin e Ekonomisë, vitin e dytë apo të tretë. Jam zgjedhur sekretar i rinisë. Kam qenë i rinisë, por nuk kam qenë anëtar partie. Në atë periudhë bëmë disa debate në Fakultet, pasi Ramiz Alia dërgonte përfaqësues të partisë për të testuar situatën. Më 8 dhjetor nuk isha ty, pasi ishin studentët në konvikte. Më pas, kur filluan grumbullimet, ishim të gjithë aty dhe kur po zgjidheshin përfaqësuesit për takimin me Ramiz Alinë, më zgjodhën një nga tre përfaqësuesit nga Ekonomiku.

Pse zgjodhët politikën si rrugëtim?

Unë them që më zgjodhi politika mua. Ose zgjodhëm njëri-tjetrin.

Ju thatë që aspironit të ishit pedagog?

Po ashtu i thosha. Jeta është si të marrë. Ajo që mbaj mend është që i thosha Spiro Dedës, i thosha që kam një hall, jam deputet dhe doja të ikja, më kishin hequr imunitetin, por nuk ikja dot. Më tha çfarë do të bëhesh: politikan, pedagog apo ekonomist? Po i thashë të dyja. Nëse do politikan më tha, nuk duhet të ikësh, pasi ato që do të mësosh këtu tani, nuk ke për t’i mësuar në asnjë universitet të botës. Dhe vërtet ajo ka qenë një periudhë vërtet intensive.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura