Situata nga COVID/ Bien rastet e reja, por rritet numri i viktimave! Veç Tiranës, një numër i lartë rastesh pozitive edhe në…

Nov 23, 2020 | 7:57
SHPËRNDAJE

Të dielën, kurba e infeksionit shënoi rënie. Në të gjithë vendin u raportuan 565 qytetarë të prekur me COVID-19, ndërkohë që gjatë gjithë javës u shënuan shifra rekord të infektuarish.

spitali covid rama pamjet1

Por rënia e numrave duket se është e lidhur edhe me rënien e nivelit të testimeve. Ndërsa përgjatë gjithë javës numri i testeve ishte mbi 2500, në 24 orët e kaluara janë kryer rreth 2100 teste, ku përfshihen edhe tamponët që kryhen nga strukturat private. Aktualisht në të gjithë vendin janë 16.220 të infektuar aktivë.

FATALITETET

Por e diela ka rënduar edhe më tej bilancin e viktimave si pasojë e COVID-19. Në harkun e 24 orëve janë 14 pacientë që kanë humbur betejën me sëmundjen, ndërsa prej fillimit të pandemisë, sipas të dhënave zyrtare, numri i viktimave në vendin tonë ka shkuar në 699 persona.

“Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 14 qytetarë me Sars-Cov 2 pozitiv në spitalet COVID: 6 qytetarë nga Tirana, 3 qytetarë nga Fieri, 2 qytetarë nga Korça, 2 qytetarë nga Përrenjasi, 1 qytetar nga Berati, të moshave 59- 82 vjeç”, ka bërë me dije ministria.

RASTET E REJA

Sakaq, referuar tabelës me rastet ditore, ajo që vihet re është shpërndarja e rasteve në të gjithë vendin. Nuk është vetëm Tirana që ka regjistruar një numër të lartë rastesh, Gjirokastra, Lezha, Elbasani dhe Lushnja janë po ashtu qytetet me një numër të lartë të infektuarish të zbuluar përmes tamponëve të kryer nga ekipet e epidemiologëve në terren si edhe atyre të kryer në institucionet private.

“Në 24 orët e kaluara janë kryer 2.084 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 565 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 146 raste në Tiranë, 71 raste në Gjirokastër, 50 raste në Lezhë, 37 raste në Elbasan, 30 raste në Lushnje, 28 raste në Gramsh, 25 raste në Sarandë, 24 raste në Kavajë, 22 raste në Shkodër, Fier, 18 raste në Kuçovë, 17 raste në Korçë, 14 raste në Tepelenë, 13 raste në Përmet, 10 raste në Krujë, Pukë, 7 raste në Vlorë, 5 raste në Librazhd, 4 raste në Devoll, 3 raste në Has, 2 raste në Malësi e Madhe, Bulqizë, 1 rast në Kurbin, Dibër, Pogradec, Peqin, Kolonjë”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë. Pozitiv është fakti që në 24 orët e kaluara, pas përfundimit të afatit 14-ditor, janë përfshirë në listën e të shëruarave edhe 373 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 15.842 që nga fillimi i epidemisë. Lidhur me rastet që po marrin mjekim në 3 spitalet COVID, aktualisht sipas Ministrisë po trajtohen 449 pacientë, 12 në terapi intensive, 6 pacientë janë të intubuar.

Përgjatë këtij muaji, qeveria riktheu masat kufizuese siç janë moslejimi i grumbullimeve me mbi 10 vetë dhe bllokimin e lëvizjes pas orës 22:00 të mbrëmjes. Ndërkohë që të enjten e 19 nëntorit hyri në fuqi vendimi për të rimbursuar paketën e barnave që përdoren për pacientët me COVID të cilët ndiqen në kushte shtëpie. Për të përfituar, nuk është e nevojshme që pacientët të paraqiten fizikisht në qendrën shëndetësore për të marrë recetën. Pasi të kenë kontaktuar me mjekun e familjes, receta do të lëshohet elektronikisht dhe tërheqja e barnave mund të bëhet në farmaci me kodin përkatës. Por edhe pse vendimi është zyrtarizuar, nuk është zbardhur ende lista me barnat të cilat do të rimbursohen. Ajo që dihet është se grup-medikamentet e përcaktuara në udhëzuesin për trajtimin e pacientëve me simptoma të lehta dhe të mesme (rastin kur diagnostikohet pneumoni) do të jenë pjesë e skemës.

“Paketa e mjekimit bazë përmban vitaminoterapi, antipiretikët, antibiotikët, antikoagulantët dhe kortizonikët, por është mjeku i familjes ai që përcakton se çfarë mjekimi duhet të marrë pacienti i diagnostikuar me COVID-19”, ka bërë me dije ministria. Për format e lehta, ku trajtimi përfshin vitamina, shurup për kollën apo edhe trisol, mbulimi financiar apo vlera që do të rimbursohet do të jetë deri në 1650 lekë. Ndërsa për të infektuarit që janë në stadin e dytë, pra kur vërehet pneumoni mbështetja financiare do të jetë deri në 10 900 lekë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura