Situata kritike/ Nga mbajtja me detyrim e maskës, mbyllja e çerdheve te kufizimi i lëvizjes me orare dhe grupmosha. Ja masat e reja që u morën në Kosovë

Jul 13, 2020 | 15:06
SHPËRNDAJE

is_200421_covid_test_800x450-600x360-2

Qeveria e Kosovës ka miratuar disa masa të reja për luftimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Me vendimet e reja bëhet e detyrueshme mbajtja e maskave nga të gjithë qytetarët jashtë shtëpive të tyre.

Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme për ndërmarrjen e masave, me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19 është për obligimin e të gjithë banorëve të Republikës së Kosovës që të bartin maskat për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive/banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2m në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre. Vendimi obligon gjithashtu që të gjitha institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme, në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Po ashtu, listës së qyteteve që futen në karantinë nga ora 21:00 deri në orën 5:00 u janë shtuar edhe Mitrovica e Jugut, Gjilani, Fushë-Kosova dhe Shtërpca.

Ndalesa fillon nga sonte (13 korrik).

Me vendimin e ri të Qeverisë, shtetasit e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Bosnje e Hercegovinës, s’mund të hyjnë në Kosovë pa e pasur me vete vërtetimin se kanë rezultuar negativ në testimet për COVID-19.

Qeveria ka aprovuar edhe vendimin me të cilin obligohen të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Bosnje e Hercegovinës, që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të dëshmojnë se nuk vuajnë nga COVID-19, me anë të vërtetimit që dëshmon testin RT-PCR negativ në Sars COV-2, jo më të vjetër se 72 orë nga koha kur paraqiten në kufirin e Republikës së Kosovës”, bëhet e ditur në vendimin e Qeverisë.

Sipas këtij vendimi, përjashtimisht nga ky vendim, të gjithë qytetarët e këtyre vendeve, gjatë hyrjes përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk kanë nevojë të prezantojnë vërtetimin për test RT-PCR, por ata do të nënshkruajnë një deklaratë ku deklarohen se në afat prej 3 orëve do ta lëshojnë territorin e Republikës së Kosovës.

“Edhe qytetarët e këtyre vendeve që shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” për udhëtim në vendet e treta, nuk kanë nevojë të prezantojnë vërtetimin për test RT- PCR”, thekson vendimi.

Nga ky vendim përjashtohen edhe transportuesit që vijnë nga këto vende në Republikën e Kosovës.

Transportuesit që vijnë nga këto vende në Republikën e Kosovës nuk kanë nevojë të prezantojnë vërtetimin për testin RT-PCR, por janë të detyruar të respektojnë protokollet për transport ndërkombëtar”.

Edhe transporti i organizuar me autobusë ose linja të rregullta ndërkombëtare në transit nga këto vende, nuk duhet të prezantojnë vërtetimin për testin RT-PCR, por ata nënshkruajnë deklaratën me të cilën obligohen të lëshojnë territorin e Republikës së Kosovës brenda 5 orëve”.

Qeveria e Kosovës ka marrë gjithashtu vendim që të kufizojë lëvizjen e qytetarëve mbi moshën 65 vjeç dhe të atyre me sëmundje kronike. Po ashtu, ka pezulluar aktivitetin e çerdheve publike dhe private.

Sipas vendimit të fundit të Qeverisë Hoti, të marrë të hënën, pensionistët dhe të të tjerët me sëmundje kronike do të mund të lëvizin nga ora 5:00 deri në orën 10:00 dhe nga ora 18:00 deri në orën 21:00. Pra, tetë orë gjithsej gjatë gjithë ditës.

“Qytetarët mbi moshën 65 vjeç dhe ata me sëmundje kronike (diabet, hipertensioni arterial dhe sëmundje zemre, sëmundje kronike të mushkërive, pacientët më sëmundje të veshkave, pacientët me imunitet të suprimuar, pacientët onkologjikë etj.) mund të dalin jashtë në ambiente publike vetëm në orët e hershme të mëngjesit nga orës 05:00 deri në orën 10:00 dhe në orët e mbrëmjes nga ora 18:00 deri në orën 21:00”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

E përpos çerdheve, janë ndaluar edhe aktivitetet sportive e kulturore në ambiente të mbyllura.

“Në vazhdim të masave tjera të luftimit dhe parandalimit të COVID-19, Qeveria ka pezulluar veprimtarin e çerdheve publike dhe private; aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive të mbyllura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Janë obliguar të gjitha qendrat tregtare në territorin e Republikës së Kosovës që veprimtarinë tregtare ta ushtrojnë prej orës 05:00 të mëngjesit deri në orën 21:00, duke zbatuar në përpikëri kushtet sipas Manualit për mbrojtje nga COVID-19, e mbi të gjitha mbajtjen e detyruar të maskave dhe krijimin e kushteve për distancë fizike të konsumatorëve”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Po ashtu, janë ndaluar ceremonitë fetare dhe grumbullimet e më shumë se pesë personave në sheshet publike, parqe dhe të ngjashme.

 Qeveria është shtyrë të marrë masa për parandalimin e koronavirusit, pasi në javët e fundit është rritur numri i të infektuarve dhe i të vdekurve,
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura