Situata brenda partisë/ Nënkryetarja e PD: Nëse Basha do më detyronte të votoja mes SHBA dhe Berishës, do e quaja akt të ulët lidershipi! Dualizmi na dëmtoi rëndë

Dec 4, 2021 | 18:27
SHPËRNDAJE

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma shprehet se kryedemokrati Lulzim Basha ndodhet në një moment ku po ndërton një marrëdhënie me demokratët për të krijuar profilin e tij politik.

grida duma sali berisha lulzim basha

Sipas saj, vendimi për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar, nuk mund ta hidhte për votim në forume pasi do të kthehej në një cikël që nuk do të mbaronte kurrë.

Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë”, Duma thotë se nëse Basha do e detyronte të votonte mes SHBA-së dhe Berishës, do e quante një akt të ulët lidershipi.

“Unë mendoj që sot është momenti i parë që Basha po ndërton një marrëdhënie me demokratët. Fakti që mori përgjegjësinë e një vendimi jo të thjeshtë, fakti që provoi për 3 muaj që tentoi të gjejë gjuhën e përbashkët me Berishën, e mori këtë vendim. Nuk u fsheh pas votës. Nëse Basha do më detyronte të votoja mes Berishës dhe SHBA-së, do e quaja një akt të ulët lideri politik. Nuk kanë qenë vendime që kanë ardhur dhe janë diskutuar me strategji. Vazhdimi i dyshes Berisha-Basha janë mirëpritur. Derisa ndërtuan një rrugë për 8 vite, u takonte të dyve të zgjidhnin çështjen që ndodhej partia. Nëse Basha do e hidhte në votë, do ishte një rezultat i njëjtë me këtë që është. Do të votonim për fitoren e PD dhe jo kundër Berishës. Edhe nëse bëhej kjo votë, do të thuhej se kryetari ka influencuar tek njerëzit e tij. Nuk do të mbaronte kurrë. Fakti që Berisha nuk e pranon, që kjo nuk është një çështje e tij, por e SHBA-së me Berishën, kjo është një çështje që unë nuk di si ta komentoj” – tha Duma.

Për nënkryetaren e PD-së, dualizmi në parti mes Berishës dhe Bashës ka dëmtuar rëndë fizionominë e opozitës. Ajo thekson se futja në zgjedhje me një listë të përbashkët me politikanë të së shkuarës dhe të ardhmes, ka qenë një tjetër element që e ka dëmtuar PD-në.

“Brenda forumeve të partisë, secili e dinte që dualizmi e ka dëmtuar rëndë fizionominë e opozitës së PD. PD doli në zgjedhje me një ekuilibër mes të shkuarës dhe të tashmes, me një listë me njerëz të së shkuarës dhe të ardhmes. Doli me një listë të ekuilibruar. Unë mendoj këtë, PD nuk duhet të ketë frikë dhe nuk duhet të hyjë më në zgjedhje duke u nisur nga numrat dhe më pas nga fryma. Duhet vendosur një brez i ri politikanësh që japin besim. Nuk dua të vetëdeklarohem për disa kualitete. Kjo kohë do na vijë të gjithëve. Është detyrë perëndimore dhe qytetare të pranosh se e reja është domosdoshmëri. PD nuk duhet të bëjë më ekuilibër me numrat” – tha Duma.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura