“Sistemi zgjedhor të vendoset me referendum”- Kryemadhi: Pas miratimit të reformës zgjedhore do shkojmë në zgjedhje të parakohshme

Jan 15, 2020 | 20:52
SHPËRNDAJE

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u shpreh se pas miratimit të reformës zgjedhore vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

E ftuar në “Euronews Albania”, ajo tha se njeriu që vonoi reformën zgjedhore për të mbajtur këtë situatë dhe se ka interes për këtë stanjacion është Edi Rama.

Kryemadhi-Elbasan

Qytetarët marrin atë që perceptojnë nga televizionet. Sot isha në Përrenjas, kam takuar shumë njerëz. Kam takuar edhe në Tiranë grupe të shumta interesi. Të gjithë shikojnë që ka një shpresë. Pse? Sepse e dinë shumë mirë që pas reformës zgjedhore, vijnë zgjedhjet e reja. T’iu bëj një pyetje. Nëse nuk do miratohej reforma zgjedhore, kujt i interesonte stanjacioni? Se mua nuk më intereson stanjacioni, më interesojnë zgjedhjet e reja. Biznesit i interesojnë zgjedhjet e reja. Kujt i intereson ky stanjacion? Vetëm Edi Ramës. Çfarë do bëjë Edi Rama që të mos bëhen zgjedhjet? Do shtyjë reformën. Po nëse miratohet reforma përfundimisht ku do shkosh? Do shkosh në zgjedhje. Edi Rama po të ishte i mençur do të kishte bërë zgjedhje për 45 ditë, menjëherë sa dogjëm ne mandatet. Por mesa duket këshilltarët i ka pasur të gabuar”, tha Kryemadhi.

Sa i takon sistemit zgjedhor, Kryemadhi u shpreh se forca politike që ajo drejton është për një sistem proporcional rajonal me lista të hapura.

Ky sistem, sipas Kryemadhit, do të përfaqësojë më mirë votuesit në të gjithë Shqipërinë, duke u dhënë mundësinë qytetarëve të zgjedhin. Madje kryetarja e LSI hodhi tezën që sistemi zgjedhor të shkojë në referendum duke qenë se shoqëria civile ka mbledhur 50 mijë firma.

Ndryshimi i sistemit nuk iu kërkua as PD-së dhe as LSI-së. Nuk ka trokitur në dyert tona qoftë dhe me një mesazh telefonik për të thënë që ne kemi këtë ide për sistemin, por ky sistem shkoi në Parlamentin ilegjitim dhe është dorëzuar tek Damian Gjiknuri. Tani përfaqësuesi i interesave të këtij propozimi dhe vjen dhe pala tjetër. Jemi për sistem proporcional, rajonal me lista të hapura si LSI, se ne kemi bërë grevë urie për sistemin. Në qoftë se ne do të kemi një sistem proporcional kombëtar të 140 deputetët do të dalin nga Tirana. Po ata në Kukës, Tropojë, Gjirokastër dhe Berat me kë do të përfaqësohen? 140 deputetët e Tiranës do të marrin votat e tyre këtu me njëri tjetrin.
Dhe tjetra është se cila është garancia dhe kush do të mbajë përgjegjësi politike sepse normalisht fusin në listat e tyre binzesmen që do të blejnë vota.

Pse të mos ta ndryshojnë Kushtetutën shqiptarët, me votë, me referendum? A kemi mbledhur 50 mijë firma për referendum? Hajde të bëjmë referendumin dhe ta vendosin vetë shqiptarët se çfarë lloj referendumi do jetë. Hajde të bëjmë zgjedhje të lira, të kemi një Parlament legjitim dhe ligji i parë që do të miratohet të jetë ligji për Referendumet dhe shqiptarët të shkojnë në referendum për të vendosur për sistemin dhe të bëhemi gati për përgatitjen e sistemit të ri dhe për t’u sjellë shqiptarëve një risi në jetën politik“, u shpreh kryetarja e LSI.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura