Sistemi shëndetësor, BB 32 milionë euro financim

Mar 1, 2015 | 9:43
SHPËRNDAJE

Përmirësimi i efikasitetit për kujdesin shëndetësor dhe rritja e aksesit financiar për shërbimet në këtë sistem, janë dy kolonat që do të gjejnë mbështetje në projektin e fundit të mbështetur nga Banka Botërore. Bordi Ekzekutiv i kësaj Banke miratoi dhënien e një mbështetjeje financiare prej 32.1 milionë euro për projektin e përmirësimit të shërbimit shëndetësor. 

Përfaqësuesja e BB Sayed dhe ministri Beqaj

Ky i fundit, ka një kosto totale prej 36.1 milionë eurosh, por diferenca do të financohet nga vetë qeveria shqiptare. Projekti vjen pas të dhënave të mbledhura për situatën në sistemin shëndetësor në vend ku më të prekurit janë të varfrit. Një raport i Bankës Botërore, shpenzimet nga xhepi i pacientëve përbëjnë më shumë se gjysmën e shpenzimeve në shëndetësi dhe vetëm gjysma e të varfërve janë të mbuluar nga sigurimet shëndetësore. 

Po kështu, shpenzimet në rritje për shëndetin kanë çuar më shumë familje drejt varfërisë kurse pagesat nën dorë mbeten akoma një problem.

NDIKIMET

Projekti për përmirësimin e sistemit shëndetësor pritet të ketë disa ndikime kyçe lidhur me mundësinë që iu ofrohet qytetarëve për të marrë këtë shërbimin. Kjo, në fakt është e integruar edhe me projekte të tjera që në thelb përbëjnë reformën në sistemin shëndetësor.

“Qeveria ka treguar angazhim të madh për të ndërmarrë reforma në disa fusha kyçe duke përfshirë këtu përmirësimin e sistemeve të financimit të shëndetësisë dhe shërbimeve spitalore, reformën në sektorin farmaceutik dhe zgjerimin e mbulimit nga sigurimet shëndetësore. Projekti i ri do të mbështesë reformat në sektorin shëndetësor, duke synuar përmirësimin e aksesit dhe të efikasitetit në shërbimet e kujdesit shëndetësor” tha Tahseen Sayed, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Shqipërinë, pas miratimit të kredisë nga Bordi Ekzekutiv i bankës Botërore.

Drejtuesja e projektit, Lorena Kostallari, e ka cilësuar këtë “sipërmarrje” si vijim të projekteve të tjera që do ecin paralelisht dhe do të kenë impakt direkt te qytetarët.

“Nga fundi i projektit pritet të racionalizohet me 800 numri total i shtretërve në spitale të vogla në rrethe, sipas Masterplanit Spitalor, duke përmirësuar paralelisht shërbimet në spitalet kryesore rajonale. Si rezultat i reformës në sektorin farmaceutik, parashikohet një ulje prej 25 për qind e çmimit mesatar për 10 barnat më të përdorura me recetë dhe për 10 barnat më të shtrenjta spitalore. Kjo do të ndikojë pozitivisht në mbrojtjen financiare nga shpenzimet për kujdesin shëndetësor. Projekti do të mundësojë një rritje deri në 65 për qind të mbulimit nga sigurimet shëndetësore të të varfërve” tha Kostallari.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura