“Sistemi bankar i mirëkapitalizuar, kreditë e këqija ranë në 12,9 %”

Oct 16, 2018 | 8:21
SHPËRNDAJE

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, më 12 dhe 14 tetor mori pjesë në mbledhjet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, të cilat u zhvilluan në Bali, Indonezi.

Gent-Sejko.-Foto-Kortezi-Banka-e-Shqiperise

Gjatë pjesëmarrjes në këto mbledhje, Guvernatori Sejko zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ku bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare. Guvernatori theksoi se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të shënojë përmirësim dhe shprehu angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të mbështetur rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë. Përsa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se ai shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë, i mirëkapitalizuar dhe likuid.

Rënia e mëtejshme e treguesit të kredive me probleme në nivelin 12.9%, më i ulëti në këto vitet e fundit, është një shenjë mjaft pozitive, e cila i hap rrugë rritjes së pranisë dhe kontributit të sistemit bankar në ekonomi dhe nxitjes së mëtejshme të një kreditimi të shëndetshëm.

Më tej, Guvernatori Sejko theksoi se sistemi bankar është aktualisht nën një proces konsolidimi dhe siguroi përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së se Banka e Shqipërisë, në përputhje të plotë me mandatin e saj ligjor, do të ushtrojë me përpikëri dhe rreptësi rolin e saj rregullator dhe mbikëqyrës, duke garantuar që aktorët e rinj në treg të përmbushin plotësisht kërkesat rregullative dhe ligjore të përcaktuara, e duke ruajtur të pacenueshëm stabilitetin financiar të vendit.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në zhvillimin dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura