Siri

Mar 26, 2014 | 13:12
SHPËRNDAJE

RUDIAN ZEKTHI

  1. Duke qenë se asnjë shoqëri nuk është, as mund të jetë homogjene, por e përngjitur nga grupe me përbërje të ndryshme etnike, krahinore, fetare, profesionale, kulturore, çështje e dorës së parë është shqyrtimi  i marrëdhënieve të secilit grup me të tërin, e secilit grup me grupet e tjera dhe e secilit grup me premisat e tij të identitetit. Është shqyrtim i domosdoshëm jo përsa i përket mbijetesës (mbijetesa e trupave socialë dhe politikë të përngjitur është rregull dhe jo përjashtim), por për hir të drejtësisë sociale dhe kulturore dhe rrezikimit (kur konsiderohet rrezik dhe jo fatmirësi) të mbijetesës së njërit prej këtyre grupeve.
2. Mosshqyrtimi i natyrës së këtyre marrëdhënieve, pra më shumë sesa rrezik për mbijetesën, është zhvlerësim i atributeve të grupeve elitare të kësaj shoqërie. Shenjë e pranisë së elitës është kur ajo nuk përjashton nga pretendimet e saj njohjen e çdo madje pjesëze të trupit social që i përket. Kjo njohje nuk nënkupton medoemos pajtim me vlerat e secilit grup, por nënkupton detyrimin për seriozitet dhe kompetencë para shpalljes së gjykimit dhe qëndrimit ndaj këtyre vlerave.
3. Në të kundërt, çdo elitë që njohjen e saj për një grup (apo secilin nga grupet) e zëvendëson më njohjen e të drejtës së shoqërisë për të mbijetuar, dekonspiron vetveten dhe dëften falsitetin e vet. Pra qoftë kur nuk shqyrtohet fare (që do të thotë mungesë e kureshtjes intelektuale), qoftë kur shqyrtohet në funksion të mbijetesës të së tërës (mbijetesë e cila si rregull është e garantuar), të dyja janë versione që sinjalizojnë mungesën e elitës apo elita false.
4. Nga ana tjetër, ky shqyrtim në kushte të rreme alarmi për fatin e së tërës, është vetëm njëra së bashku me dy të tjera nga tri mundësitë që mbesin, pas neglizhimit a refuzimit të shqyrtimit. Dy mundësitë e tjera janë – angazhimi i hapur për sheshimin e diferencave dhe për homogjenizim të shoqërisë nëpërmjet ushtrimit të dhunës ndaj grupeve si rrezik dizintegrimi dhe sektarizimi dhe siç na duket më e arsyeshme dhe normale – angazhimi për t’i njohur këto grupe si të tilla në vetvete, pavarësisht nga efekti i supozuar potencial i tyre në mbarëvajtjen e gjithë shoqërisë.
5. Angazhimi i hapur për sheshim të pjesëve në funksion të përparësisë të së tërës mbi natyrën e dhënë njëherë e mirë të shoqërisë si një e tërë ka ndodhur jo rrallë në histori, herë si raison d’etat e herë si ideal transhendental, si simptomë e gjykimit organicist mbi natyrën e dhënë njëherë e mirë të shoqërisë si një e tërë. Dhe për çdo herë që ka ndodhur, ka qenë shpallje e njëanshme lufte e shoqërisë si e tërë ndaj grupit si trup i huaj për të.
6. Dallimi midis mundësisë së elitave që vajtojnë cektësisht rreziqet imagjinare të së tërës dhe u kërkojnë pjesëve – grupeve autocensurë ende pa e ditur cila mund të jetë e vërteta e të qenit të tyre e konceptuar nga ata vetë, dhe mundësisë së inxhinierisë sociale të aparatit shtetëror të eksituar nga egalitarizmi dhe homogjenia, që në thelb është gjendje lufte, është dallim i rremë ngaqë dhe kompetenca e atyre që ngulin këmbë në këtë dallim është e rreme.
7. Cilido që u kërkon grupeve heterogjene brenda trupit social autocensurë, para se të ketë tentuar t’i njohë ato dhe të vërtetat e tyre, është duke implikuar si qëndrim metodologjik të vetin se grupet kanë statusin e të qenit të toleruara. Prania e tyre tolerohet si e keqja më e vogël (e keqja më e madhe do të ishte afektimi i shoqërisë prej tyre, kurse e mira do të ishte, as më shumë, as më pak, që të mos ekzistonin fare).
8. Edhe në regjimet brutale të cilat kanë arritur deri në amputimin e një apo disa grupeve të përngjitura shoqërisë, ky amputim është akti final, i paraprirë nga shpallja e luftës, sepse origjina ka qenë po ashtu konsiderimi i tyre si të toleruara si e keqja më e vogël.
9. Kjo ngjashmëri midis qëndrimit të elitave të rreme dhe shpalljes së luftës, e ka burimin te refuzimi i njohjes së natyrës që bën të ndryshëm secilin nga grupet, apo tek e fundit e njëjta: njohja e kësaj natyre të grupeve si një favor që u bëhet atyre dhe jo si një veprim intelektual i çinteresuar e për këtë arsye shprehje e njerëzisë dhe miradaptimit.
10. Siç edhe kuptohet lehtë, ky çinteresim i njohjes – kjo njohje si sadisfaksion dhe mirëkuptim, përfaqëson mundësinë e fundit, ndër tri që mbeten (para apo pas refuzimit të shqyrtimit), për të përcaktuar marrëdhënien mes shoqërisë dhe grupeve të përngjitura dhe grupeve mes vetes. Është mundësia, mbetja jetime e së cilës shërben si indicie për mungesën e elitave të vërteta dhe si ftesë në fakt, që të preokupohemi që këto elita më në fund të shfaqen.
11. Dhe siç gjithashtu mund të kuptohet, ky version është më i vështiri sepse kërkon që grupet e përngjitura të një shoqërie të dalin nga statusi i të qenit të toleruar dhe t’u njihet statusi i të qenit njësi e vetvetishme në përngjitjen e atij gjësendi që mund të ekzistojë vetëm si i përngjitur, pra që është shoqëria. Dhe pra për pasojë nuk mund të ekzistojë njohja më vete e shoqërisë si një realitet historik konkret, e pavarur nga njohja e secilës njësi përngjitëse.
12. Në këtë pikë, kuptimi gjendet vetëm nëpërmjet një paradoksi: janë grupet e përngjitura që në mënyrë të natyrshme e tolerojnë shoqërinë, por ky tolerim (i cili vazhdon të përkojë me parimin e të keqes më të vogël) është thelbësisht i ndryshëm nga të qenit të toleruar të grupeve përngjitëse nga shoqëria. Ky tolerim përllogarit si të keqen më të vogël angazhimin për të jetuar së bashku me grupe të tjera në një proces përngjitjeje, por ama ndërprerjen e përngjitjes – përkatësisht zhdukjen, shkërmoqjen e shoqërisë e konsideron si të keqen më të madhe. Ky tolerim me të vërtetë përllogarit si më të mirën e mundshme dominimin e shoqërisë nga e vërteta e grupit, por shkërmoqjen e së njëjtës shoqëri e përllogarit si të keqen më të madhe.
13. Po të mos jetë kështu, po të mos jetë i vërtetë ky paradoks, atëherë mbetet si mundësi eksplicite – e afërt, apo implicite – e largët, shpallja e luftës së të tërës ndaj njërës prej pjesëve të saj. Dhe sigurisht, me ndonjë përjashtim që vetëm sa do të përforconte rregullin, kjo luftë do të përfundonte me fitoren e së tërës mbi pjesën, si një fitore e paralajmëruar ndaj më të dobëtit apo më të pambrojturit.
14. Këtu çështja pra nuk është cili do të fitojë luftën (siç shqetësohen elitat e rreme) sepse kjo është parashkruar. Çështja e vërtetë është, nëse kjo fitore është e dobishme apo e dëmshme, për vetë fitimtarin, ose e thënë ndryshe: edhe mund ta llogaritnim çfarë fituam nga fitorja, por a llogaritim dot çfarë humbëm prej saj?
15. Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, duhet të çojmë deri në fund paradoksin që ndërpremë më lart. Duke ia njohur çdo grupi brenda shoqërisë si pjesë të natyrës të tij të drejtën që ai ta kontestojë këtë shoqëri në emër të së vërtetës së vet që e dallon nga grupet e tjera përngjitëse, duke ia njohur të drejtën që çdo grup të ketë të drejtën të shpallë të vërtetën e vet si një sfidë shpirtërore dhe intelektuale ndaj shoqërisë si të tërë dhe jo ndaj ndonjë grupi tjetër përngjitës në veçanti, atëherë ai do ta mbështesë shpresën e vet të natyrshme për shkëlqimin e të vërtetës së vet, te garantimi i mbijetesës së kësaj shoqërie dhe jo te shkatërrimi i saj.
16. Për më tepër kjo shoqëri e tillë kështu, nuk do të ishte më një territor mosbesimi dhe mllefesh, por një shoqëri e gjallë, ku nevoja e çdo grupi për të provuar të vërtetën e tij do të kërkonte garantimin e kushteve të gjallërisë (jo të gjallërisë vetë) së të vërtetës të secilit grup tjetër.
17. Çdo shoqëri në këtë mënyrë, gjendet përballë mundësisë të zgjedhë luftën (e shpejtë apo të vonuar) ndaj ndonjërit prej grupeve përngjitës, ose ekumenizmin impenjues dhe plot pasiguri mes këtyre grupeve. Ky ekumenizëm do të kërkonte që grupet ta shpallnin të vërtetën e vet dhe jo të nxiteshin në autocensurë.
18. Për shembull: teologët shqiptarë që të intimiduar nga elitat e rreme shqiptare dhe të përfshirë nga kompleksi i fajit, ngurrojnë të thonë se shoqëria ku jemi nuk është më e mira e mundshme dhe se Islami është me siguri një kontribues potencial në të gjitha nivelet për përmirësimin e saj. Dhe se lufta në mbrojtje të të dobëtëve është një qëllim i lavdërueshëm dhe ajo që duhet të diskutohet janë mjetet në realizimin e tij dhe jo qëllimi.
20. Dhe se vajtja vullnetare në një luftë mbrojtëse, në të cilën ushtria qëllon mbi të pambrojturit, si veprim autonom i personit të panxitur nga fryma sektare dhe të paprekur nga mendjelehtësia e shpërnguljes me gjithë familjen në një zonë lufte, është një e drejtë e tij që ligjet mund ta ndalojnë, por jo ta zhvlerësojnë. Dhe nëse shkon jashtë këtyre kushteve, i nxitur nga sektarizmi brendafetar, ai bart mbi vete sektarizmin e të gjithëve ne, sektarizmin dhe mjerimin kulturor të gjithë kësaj shoqërie.
21. Për shembull: regjimi i Assadit në Siri ka zgjedhur luftën e shpejtë (në fakt si fazën e fundit të një lufte të vonuar), kurse elitat e rreme shqiptare duket se kanë zgjedhur luftën e vonuar (në fakt si fazën e parë të një lufte të shpejtë). Dhe ngjashmërinë mes tyre e dekripton fakti se kanë të njëjtët armiq: myslimanët shqiptarë që kanë shkuar në Siri.
22. Dhe këta myslimanë me këtë ikje për aq sa ajo është zgjedhje e pastër individuale (një pjesë së bashku me familjet) a nuk provojnë faktin se grupet përngjitëse edhe kur e konsiderojnë si një të keqe të vogël shoqërinë e përngjitur, i shmangen me çdo çmim të keqes së madhe: shkërmoqjes së kësaj shoqërie.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura