Sipërmarrja kriminale dhe profesioni vrasës

SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO pellumb nako

Bota e sipërmarrjes krimi nale me specialitetet e saj të shumta, nuk mund të ishte e plotë edhe pa zanatin e vrasësit. Duket qartë që edhe vendi ynë nuk i shpëton dot këtij lloji profesioni makabër. Në komunikimet policore po zënë vend rregullisht dhe më shpesh fenomene kriminale, me viktima të shkaktuara nga autorë profesionistë. Pohime të tilla nuk kanë ngelur vetëm në kuadrin e analizave të gazetarëve të quajtur investigativë. Këta të fundit, në fakt, kanë kaluar në një konstatim tjetër. Në atë të pranisë së vrasësve të huaj me pagesë në aktivitetin kriminal brenda territorit shqiptar, duke dhënë alarmin për rreziqet e tij. Normalisht, edhe publiku ndihet i shqetësuar për konstatime të tilla.

Në realitet, prania e vrasësve me pagesë, të huaj apo të vendit, është pasojë e nivelit më të lartë ku mbërrin akti kriminal. Sepse njëlloj si në tregun e punës normale, edhe në botën e krimit ekziston tregu i kërkesës dhe ofertës. Përderisa “bursa” e botës kriminale ka kërkesa për vrasës profesionistë, natyrshëm nuk do të mungojnë edhe ofertat. Qoftë nga vrasës shqiptarë, qoftë nga ata të huaj.

Pra, nëse dimë dhe njohim faktin se kemi në qarkullim vrasës me pagesë të huaj apo shqiptarë, problemi për ne mbetet të njihet profili i atij që e kërkon këtë shërbim dhe përse. Aty ku lind mendimi kriminal, njëlloj përgjegjës si profesionistët e vdekjes ekzekutorë të këtij mendimi.

Sepse vrasësi profesionist kushton. Dhe punëdhënësi duhet të ketë gjendje financiare të fuqishme për “ta punësuar”. Normalisht, porositësi i vrasjes kërkon “punëtor” kur ndodhet në fazën e legalizimit, apo sa ka fituar statusin e biznesmenit të ligjëruar. Proces ky, që ndjek transformimin të tij nga kriminel në biznesmen. Për rrjedhim, ai kërkon të mos e rrezikojë atë. Kur përplasja bëhet e pashmangshme, janë të shumta arsyet që nuk e orientojnë kategorinë e kriminelëve-biznesmenë drejt ligjit, por drejt likuidimit fizik të shkaktarit të problemit. Ndaj dhe thirret në ndihmë vrasësi me pagesë. Të huajt kushtojnë më shumë, por janë më të sigurt për të mos u ekspozuar.

Biznesi i krimit, njëlloj si biznesi legal, kërkon tregjet dhe aktivitetin kriminal me rentabël për të siguruar fitimet. Mundësisht në kohë sa më të shkurtër. Sipërmarrja kriminale e shpërndarjes së drogës apo e shfrytëzimit të prostitucionit brenda territorit të vendit nuk është me përfitime të mëdha, për shkak edhe të kërkesës së kufizuar për to dhe kohës së gjatë për t’u pasuruar. Vendi ynë ka popullsi të vogël. Pra, treg të kufizuar. Për të njëjtën arsye ka dhe rrezikshmëri. Presion të publikut. Kurse nga ana e tij, vrasësi profesionist ka avantazhin për mundësinë e përfitimit të menjëhershëm të parasë, duke përfshirë këtu edhe rrezikun që merr përsipër. Rrezik ky, që motivon pagesën e majme

Një logjikë e tillë bën të lindë vetvetiu pyetja se cilët janë punëdhënësit e vrasësve me pagesë. Nga vijnë ata? Nga bota kriminale, e biznesit apo edhe nga korrupsioni i niveleve të larta të pushtetit?

Përgjigjja duhet kërkuar gjithmonë brenda përfitimit ekonomik. Ndërmarrja kriminale punon e orientuar drejt dhe vetëm përfitimit ekonomik. Nëse do të shihej konkretisht kjo gjë, do të rezultonte se leverdia më e madhe e krimit me bazë në territorin e vendit tonë është kultivimi i kanabisit, përpunimi dhe tranzitimi i drogave të forta me destinacion gjithmonë tregun ndërkombëtar. Destinacioni i krimit të organizuar shqiptar është tregu i huaj. Sepse është i gjerë. Kurse në tregun e vendit, e vetmja sipërmarrje e tij me leverdi mbetet pastrimi i parave.

Ato vijnë në sasi kolosale jo vetëm nga veprime kriminale me burim brenda territorit, por edhe nga ai i lidhur me importin dhe trafikun e drogave të forta, të kryer tërësisht jashtë territorit dhe tregut shqiptar. (Vetëm në tri raste të fundit u sekuestruan pasuri prej 15 milionë eurosh.) Ky aktivitet sjell të ardhura shumë më të mëdha sesa ato të bazuara territorialisht në vendin tonë. Është tjetër gjë drejtimi i trafiqeve nga brenda vendit dhe që zhvillohen jashtë territorit të tij. Kjo mënyrë veprimi madje duket se është shpesh shkaku që organet tona ligjore e minimizojnë aktivitetin e krimit të organizuar me vulë shqiptare, kurse ato të huaja e vlerësojnë shumë më të lartë.

Megjithatë, grupimet kriminale me bazë veprimi jashtë dhe brenda territorit, me të gjitha llojet e aktiviteteve të tyre, përfshi edhe korrupsionin e të gjitha hallkave shtetërore, në finale dynden te pastrimi i parave. Ky i fundit kthehet në një ortek që rrokulliset dhe rritet duke u ushqyer nga të gjitha tregjet ndërkombëtare dhe vendore të biznesit kriminal, për t’u përplasur me fuqi shkatërruese vetëm në tregun e brendshëm vendor. Të gjitha rrugët, pra, të çojnë në Romë.

Pastrimi i parave riprodhon në zinxhir akte të tjera kriminale. Hallka e parë mbetet korrupsioni. Pa korrupsion të organeve qeveritare, nuk ka mundësi reale për pastrim parash. Paraja e ofruar nga sipërmarrja kriminale konceptohet si “investim” prej tyre, ndaj dhe nuk kursehet. Përfituesi nuk mund të jetë dikush dosido. Ai duhet të jetë me pushtet. Ndryshe ryshfeti nuk quhet investim, por “bamirësi”. Njeriu i pushtetit ose krijon mundësi të futjes së parave në kanale legale, ose kthehet në ortak me përftim për veten dhe në mbulim të “investitorit”. Automatikisht më pas ai do të kërkojë të lidhet ngushtë me pushtetin. Pse jo të mos bëhet edhe parlamentar.

Siç u përmend me lart, është korrupsioni i individëve me pushtet ai që e kthen sipërmarrësin kriminal në biznesmen. Mundësia më e madhe konkrete për transformimin e statusit të tyre janë ndërtimet dhe shërbimet. Më të preferuarat janë shërbimet dhe investimet publike. Por edhe vetë pastrimi i parave nuk ngelet synimi i tyre final. Nuk është e udhës që edhe ato të mbahen në banka apo kesh në sasi të mëdha. Ndaj dhe një pjesë e mirë e tyre natyrshëm do të investohen në tregun e pasurive të paluajtshme. Në këtë treg, Shqipëria, si vend i vogël nuk ka mundësi të mëdha, as shumë alternativa. Për rrjedhim, të gjithë janë vërsulur drejt bregdetit për të blerë toka.

Këtu fillojnë edhe përplasjet. Sepse nga njëra anë ka para të shumta që kërkohet të investohen dhe nga ana tjetër, mundësi të kufizuara. Pasojat që rrjedhin janë mbivendosje interesash ekonomike të shumta të sipërmarrësve që vijnë nga bota e krimit, të atyre të ardhur nga bota e korrupsionit qeveritar, e kontrabandës, pushtetarë, biznesmenët normalë dhe në fund pronarët e ish-pronarët e tokës. Kurse oligarkët e PPP-ve kanë pjesën e luanit. Të gjithë këto grupime kanë kaq shumë para, saqë bregdeti nuk është në gjendje t’u kënaqë interesat. Ndaj dhe nuk janë të rastësishme ngjarjet e shëmtuara me drejtuesit e Hipotekave në Vlorë e Durrës, apo etiketimi i shumë ngjarjeve me termin “mafia e tokave”.

Këtu koklavitja arrin perfeksionin. Efektet e përplasjeve nuk vonojnë të marrin përmasa duke e kthyer vendin në farwest. Shtetarët dhe oligarkët përdorin hipotekat, policinë e gjykatat. Edhe të fortët. Kush u kundërvihet, përfundon në kanal. Kushdo qoftë. Kategoritë e tjera, kriminelë-biznesmenë apo biznesmenë-ishkriminelë i drejtohen fillimisht ryshfetit, pastaj presioneve, kërcënimeve, dhunës dhe në fund vrasësve me pagesë. Pronarët dhe ish-pronarët mbeten me duar në xhepa.

Asgjë nuk bën më pak se kjo edhe mafia.

 

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.