Sintezë e qasjes nacionale ndaj tërmetit dhe faktorëve socio-politikë

Dec 15, 2019 | 10:26
SHPËRNDAJE

ARSEJDA GJYLI *

arselajdagjyli

Në shoqërinë shqiptare, në ngjarje të tilla, të cilat tejkalojnë përmasat e vetvetes, si në rastin konkret, thelbi natyror i tërmetit, marrin përgjithësisht… përmasa kombëtare e gati– gati nacionale. Që pas rënies së tërmetit, i cili tronditi realitetin dhe përditshmërinë tonë, duke lënë pas një numër të madh viktimash e po ashtu dëme të jashtëzakonshme materiale, qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, e cila fillimisht është administruar më së shumti nga grupime apo shoqata me qëllime nacionale dhe solidare.

Është e legjitimuar tashmë, se kauza të tjera publike nuk bëjnë dot bashkë shoqërinë tonë në këto përmasa, por ngjarje të tilla jetike mund të arrijnë të zgjojnë ndjenja të forta solidarizimi. Referuar edhe qasjeve të ndryshme teorike nacionaliste apo edhe biheviorale të sjelljes, tregojnë se solidarizimi është elementi thelbësor për të bërë bashkë njerëzit, e në mos kombet.

Në këto raste, një nga shfaqjet e sjelljeve kolektive është solidarizimi për hir të kombësisë dhe historisë së përbashkët. Në këtë retorikë, Kosova, diaspora shqiptare në Zvicër, Gjermani, SHBA etj., na treguan edhe një herë lidhjen e fortë kombëtare përmes natyrës nacionale që mori kjo ngjarje.

Gjithsesi, përpos kësaj shfaqje masive solidariteti, e cila i mungon shoqërisë sonë dhe pa dyshim duhet parë më një optikë shumë pozitive, duhen analizuar gjithashtu problematikat, të cilat lidhen më së shumti me mungesën e shtetit ligjor dhe kontrollit shtetëror, korrupsionin, mangësi institucionale, mosgjenerimi i ekspertizës për menaxhimin e emergjencave civile, mënyra sesi administrohet lajmi dhe mediat sociale, qasja e psikologëve etj.

Në këtë kuadër, për të sintetizuar situatën aktuale, në mënyrë sa më evidente dhe të kuptueshme për publikun, le të marrim në shqyrtim komponentët bazë shkak–pasojë të kësaj situate: Qyteti i Durrësit, i cili ka pësuar edhe goditjen më të rëndë në këtë ngjarjeje, është udhëhequr për 12 vite nga një qeverisje vendore, e cila synimin e vetëm kishte betonizimin, duke filluar nga bregdeti e deri në qendrën e qytetit me projektin “Veliera”.

Një masakër e tërë urbane, duke mos respektuar rregullat bazë të ndërtimit. Gjithashtu, gabimi i dytë politik rrjedh nga mosmarrja e masave për parandalimin apo parapërgatitjen për raste të fatkeqësive natyrore, përmes trajnimit të duhur të ekspertëve për situatat e emergjencave civile, pajisja me mjetet e duhura për të përballuar krizat, institucionalizimi i këtij komponenti tejet të rëndësishëm shtetëror etj.

Së treti, mungesa e një kuadri rregullator dhe të zbatueshmërisë sipas kritereve europiane të ndërtimit dhe urbanizimit të qyteteve, kjo jo vetëm për Durrësin dhe Tiranën, por për të gjitha qytetet e Shqipërisë.

E së fundmi, mungesa e transparencës në politikëbërje dhe hedhja hi syve ndaj opinion publik. A duhet targetuar vetëm qeveria sot si mbartësja e vetme e këtij mëkati? Pa dyshim që jo! Vetë opinion publik, në gjithë vendet demokratike, duhet të jetë rregullatori kryesor i problematikave publike. I rikthehemi edhe njëherë solidaritetit në ditët tona më të zeza, i cili nuk gjenerohet as në përditshmërinë tonë, as edhe për problematikat tona më të mëdha. Kjo po ashtu na adreson te mungesa e një oponence të vërtetë, roli i opozitës qeveritare, i cili është vendosur paralel me atë të qeverisë, duke bërë paqe me humbjen e kredibilitetit të vet.

Pa dyshim që opozitës nuk i takon të rebelohet apo të protestojë në ditë si kjo, por sigurisht që opozita duhet të ishte në krye, me një strategji, e cila, duke qenë më pranë qytetarëve, e targeton atë si një alternativë më të mirë për qeverisje. Për rrjedhojë, shohim se vendin për të bërë opozitë e kanë zënë disa targetgrupe, të cilat lehtësisht i evidentojmë në media sociale. Në këtë kategori shohim grupe gazetarësh, të pavarur apo të infiltruar, të cilët përhapin panik në media sociale, kemi militantët e dikurshëm të Partisë Socialiste, që sot kanë ditën për të goditur qeverinë, janë grupimet të cilat zotërojnë faqe online duke dezinformuar apo keqinformuar.

Pa dyshim se të gjithë janë të lirë të shprehen në media apo rrjete sociale dhe ndalimi i kësaj lirie do ishte kryekëput veprim komunist, por duhet thënë se e drejta e gjithsecilit për të informuar është e barasvlershme me të drejtën për të mos u shqetësuar nga lajme të pavërteta apo panik i panevojshëm. E së fundmi, zëri që po dëgjohet më së shumti, nuk është ai i psikologëve të certifikuar, pasi të paktë janë ata psikologë, të cilët kanë zgjedhur të jenë aktivë dhe të zbusin psikozat e frikës dhe kaosit në shoqëri.

Gjithashtu, vëmendja e institucioneve arsimore nuk po vihet te mirëqenia psikologjike e fëmijëve, por thjesht në çështje teknike. Pjesa më e rëndësishme e një tragjedie të tillë është ana humane dhe psikologjike, duhet me patjetër që psikologët, në të tilla situata, të dalin nga zyrat dhe të veprojnë praktikisht në të mirën qytetare.

Në këto rrethana, shohim qartë se tërmeti e ka tejkaluar konceptin e tij si një fenomen thjesht natyror, por ai sot na shfaq problematikat më bazike, na i bën ato më evidente, duke dhënë një mësim për të gjithë aktorët socialë. Gjithashtu, forma nacionale që merr solidariteti mes shqiptarëve duhet të jetë një mësim për përditshmërinë, se përmes reagimit dhe solidarizimit me kauzat publike, do mund të marrim në dorë fatin e jetës sonë si komunitet.

*Pedagoge në Universitetin “Luarasi”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura