Sinjale lamtumire, Pogba refuzon rrogën stratosferike nga Mançester Junajtid

Jul 24, 2021 | 9:02
SHPËRNDAJE

Pol Pogba bën gati lamtumirën e tij të dytë nga Mançester Junajtidi. Të paktën janë këto lajmet që vijnë nga Anglia ditën e djeshme, teksa Pol Pogba ka vendosur të refuzojë çmendurinë e 60 milionë paundëve bruto në sezon (përfshirë taksat që duhet të paguajë vetë lojtari, duke nënvizuar se futbollistët taksohen me 50 për qind në Angli), që i kishin ofruar drejtuesit e “Djajve të Kuq”.

pol pogba

Rroga prej 30 milionë paundësh neto sezonale do ta kishte bërë Pogbanë pa dyshim më të paguarin në Premier Ligë, por mesa duket, planet e mesfushorit francez janë të tjera për të ardhmen e tij.

Dhe ndoshta në kokën e Pogbasë ka nisur të hyjë bindshëm oferta e ardhur nga PSG-ja, e cila duke parë afrimet e Donarumës, Hakimit, Ramosit e Vajnaldumit, pa harruar këtu Nejmarin e Mbapenë, premton për një formacion “Galaktikësh” sezonin e ardhshëm, por mbi të gjitha, ka ambicie shumë herë më të mëdha sesa ato të Mançester Junajtidit.

Gjithsesi, nëse PSG-ja e josh “Oktapodin” Pol me yje dhe miliona (flitet për një rrogë prej 50 milionë eurosh përfshirë taksat nga parisienët), nga skena nuk është se kanë dalë edhe Reali i Madridit dhe Juventusi.

Në Spanjë kanë nevojë për një emër të madh pas rindërtimit të “Santiago Bernabeut” dhe Pol Pogba është pa dyshim futbollisti i duhur për të bërë inaugurimin e tij sa më të bukur.

Por problem te Reali për momentin janë paratë që mungojnë për shpenzime, ndonëse presidenti Florentino Perez ka treguar gjithmonë se është njeriu i surpriza të mëdha.

Dhe në fund Juventusi, me bardhezinjtë që kurrë nuk e kanë mohuar dëshirën e rikthimit të madh, ndonëse më shumë sesa kartoni, problem janë gjetja e të paktën 20-25 milionë eurove rrogë neto që kërkon Pogba për të shkelur sërish në Torino.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura