Sinjal për ndryshim kursi/ Kryeministri i ri i Malit të Zi mbështet nismën “Ballkani i Hapur”

May 11, 2022 | 13:54
SHPËRNDAJE

Ndërsa qeveritë e mëparshme nuk iu bashkuan nismës ndërkufitare, kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, sinjalizoi të martën një ndryshim kursi.

52061096012_383d088e6b_o-e1652257577740-1536x864-1

Kryeministri malazez Dritan Abazoviç tha të martën se Mali i Zi duhet të mbështesë nismën “Ballkani i Hapur”, të krijuar nga qeveritë e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Në një intervistë për televizionin Klan Kosova, Abazoviç tha se një nismë e tillë mund të rrisë besimin mes vendeve të rajonit dhe të përmirësojë komunikimin.

“Nisma Ballkani i Hapur është bërë për gjashtë vende. Jo për pesë vende e gjysmë apo tre vende e gjysmë, por për gjashtë vende. Të gjithë ata që marrin pjesë përfaqësojnë veten dhe vendin e tyre”, tha Abazoviç.

“Nuk e di se kujt i pëlqen të presë në kufi. Nuk po flas vetëm për turistët nga Kosova në Mal të Zi, por edhe për qytetarët malazezë që duan të shkojnë në Serbi, apo kudo në rajon”, shtoi ai.

Në një samit në vitin 2019, kryeministri shqiptar Edi Rama, kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç u zotuan të punojnë së bashku për nismën.

Ata ftuan edhe vende të tjera të Ballkanit, por Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nuk janë bashkuar deri më tani.

E quajtur fillimisht një “mini-Shengen” ballkanik, nisma e sapo-emërtuar “Ballkani i Hapur” synon të imitojë qarkullimin e lirë të njerëzve, kapitalit dhe mallrave të zonës Shengen të BE-së, fillimisht midis tre vendeve, por potencialisht në të gjithë rajonin.

Bosnja dhe Mali i Zi kanë thënë se nuk shohin përfitime të veçanta nga kjo, pasi lehtësimi i udhëtimit dhe tregtisë tashmë mbulohet nga marrëveshja më e gjerë tregtare CEFTA ndërmjet vendeve në Evropën Juglindore, ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se do të preferonte një version të përmirësuar të Marrëveshjes CEFTA.

Ndërsa blloku qeverisës i Abazoviçit mbështet nismën Ballkani i Hapur, partia më e madhe në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve, DPS, kundërshton bashkimin me nismën.

Më 20 prill, Abazoviç tha se qeveria do të vendoste me një shumicë prej dy të tretash për të mbështetur tema të ndjeshme si bashkimi me nismën “Ballkani i Hapur”, nënshkrimi i një marrëveshjeje themelore me Kishën Ortodokse Serbe dhe një regjistrim të popullsisë.

Ish-qeveria nuk e mbështeti nismën e Ballkanit të Hapur. Nëntorin e kaluar, kryeministri i atëhershëm Zdravko Krivokapiç tha se nuk kishte nevojë t’i bashkohej nismës pasi qëllimi i vendit të tij ishte anëtarësimi në BE.

Gjithashtu në nëntor, zëvendëssekretari amerikan i shtetit Gabriel Escobar tha se nisma e Ballkanit të Hapur nuk do të funksiononte nëse nuk përfshinte të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se sfidat kryesore të nismës janë kontrollet kufitare.

Në dhjetor, zëvendëskryeministri i atëhershëm Abazoviç tha se Mali i Zi do të mbështesë çdo lloj përmirësimi të bashkëpunimit rajonal.

Gjithashtu në dhjetor, komisioneri i zgjerimit të BE-së Oliver Varhelyi vlerësoi nismën e Ballkanit të Hapur si një pasuese të Procesit të Berlinit, një nismë e mëparshme e mbështetur nga BE-ja për të nxitur bashkëpunimin rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe u kërkoi shteteve të tjera të bashkohen.

Reporter.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura