Sindrit Guri: Te Ostende nuk është si te Kukësi, në Kombëtare secili ka vendin e tij

Sep 3, 2018 | 14:23
SHPËRNDAJE

Sindrit Guri nuk ka arritur ende golin në Belgjikë ku përfaqëson fanellën e skuadrës së Ostendes. Por, duket se lojtari shkodran nuk e ka fare mendjen te ajo çështje, dhe është tërësisht i përqendruar te ndeshjet me kombëtaren. Ndërkohë në konferencën për shtyp ku së bashku me të ishte edhe Migjen Basha ai u shpreh:

guri

“Kam shumë për të dhënë, si për kombëtaren, edhe për klubin, siç e kam menduar unë të ardhmen time. Po mundohem të jap maksimumin në Belgjikë, ndërsa për kombëtaren dihet se motivimi është pa kufi. Më vjen keq për dëmtimin e Roshit dhe Sadikut. Është diçka negative për kombëtaren. Kjo është gjëja më e keqe për çdo futbollist. Nuk gëzohem, se më krijohen më tepër hapësira. Gjithkush ka vendin e vet në kombëtare. Do të mundohem të jap maksimumin dhe ta meritoj fanellën kuqezi. Gjithsecili ka peshën dhe përgjegjësitë e veta, do të jap gjithçka me kombëtaren. Ne duam të fitojmë çdo ndeshje. T’i harrojmë miqësoret që kaluan dhe të shohim përpara, nga dy ndeshjet e radhës.

Më mungon goli? Sulmuesi futet në presion vetvetiu. Është një rol që ta krijon këtë gjë, nga mos shënimi i golit. Lojtari duhet të jetë sa më i qetë dhe goli do të vijë. Trajneri në Belgjikë më ka ndihmuar shumë. Ndodh, edhe mund të mos shënosh në disa ndeshje, por me rëndësi është të mos dekurajohesh.

Nuk kam ardhur në kombëtare si për xhiro, por të jap maksimumin. Objektivi është suksesi i kombëtares, pak rëndësi nëse shënoj unë, Migjeni apo dikush tjetër. Në Belgjikë po provoj një nivel totalisht tjetër, në krahasim me Kukësin dhe Superligën Shqiptare. Është ndryshim i madh, ndaj po mundohem dita-ditës të përshtatem. Trajneri më ka dhënë besim që në fillim, më ka përfshirë në formacion rregullisht, ndaj ndihem mirë në këtë drejtim. Por, ka shumë ndryshim si kampionat dhe duhet të përshtatem.

Roli im kryesor është sulmues qendre, por në ndihmë të kombëtares mund të bëj çfarëdolloj roli, ku të më caktojë trajneri. Na presin dy ndeshje shumë të rëndësishme, mjaft domethënëse. Duhet të japim maksimumin, duke mos e mbajtur kokën mbas, nga miqësoret. Ftoj tifozët të na mbështesin, sepse ata janë forca jonë. Besoj se do të jenë aty për ne, siç kanë qenë gjithmonë për kombëtaren. Le t’i marrim me radhë ndeshjet, të mos shohim shumë larg, nga Europiani”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura