Sina: Tirana të mësohet me idenë se luan në të Parën. Shpresoj të mos i fusin hundët te punët e trajnerit

Sep 18, 2017 | 20:41
SHPËRNDAJE

Elvis Sina mendon se rrugëtimi i Tiranës në inferiore do të zgjasë vetëm këtë sezon. Përtej keqardhjes që ndien se ekipi më i titulluar në vend po luan në të Parën, ish-kapiteni thekson se tashmë drejtuesit, stafi dhe lojtarët duhet të pranojnë realitetin dhe të bëjnë Superioren në fushë. Ish-mbrojtësi i kryeqytetasve, në një intervistë për “Panorama Sport” komenton edhe formën që kanë zgjedhur tifozët për të protestuar ndaj presidencës.

Elvis Sina

Tirana debuton me fitore në të Parën, por me vuajtje. Si e pa Sina ndeshjen me Ilirinë?

Keq na vjen që e shohim Tiranën në të Parën, por realiteti nuk ndryshohet më. Rëndësi ka që ekipi ta marrë seriozisht këtë kategori, pasi ndeshja e parë tregoi se nuk ka kundërshtarë të lehtë. Tirana duhet të bëjë “superioren”. Gjithashtu duhet të dinë që: emri, trofetë, fanella dhe financat nuk vlejnë kur zbret në fushë. Jam i bindur që të gjithë kundërshtarët do japin jo 100%, por 120% përballë Tiranës, ndaj këta të fundit duhet t’i marrin mirë masat.

A duhet të ndryshojë Tirana diçka në ekip, që t’i fitojë më lehtë ndeshjet?

Tirana duhet të mësohet me idenë që është në të Parën. Dhe kjo kategori është 30% më e lehtë se sa Superiorja. Klubi vetë është më profesionist se ekipet e tjera që kanë në grup, ndaj me pak zgjuarsi dhe me lojtarë që luajnë me gjak, do t’i marrin edhe pikët. Nëse me Ilirinë hasën vështirësi, në Pogradec do të kenë edhe më shumë. Por, nëse grupi zbaton detyrat e trajnerit dhe tregohet korrekt taktikisht dhe teknikisht, do vijë edhe fitorja e dytë.

Sina

Superkupa, Kupa dhe kampionati janë vendosur nga mbrojtja dhe mesfusha. Mos ndoshta ka diçka që nuk shkon te sulmi?

Ky është problem i kahershëm. Edhe ata që bënë gola vjet, u shitën dhe mirë bënë, pasi ato parà i duheshin klubit. Por, nëse skuadra mbrohet mirë dhe organizon lojën, pak rëndësi ka kush e shtyn topin në rrjetë. E rëndësishme është që lojtarët në fushë të jenë një trup.

Si e vlerëson Sina punën e Ze Marias?

Me aq sa e kam ndjekur, dora e tij duket te disiplina sportive dhe përzgjedhjen e lojtarëve, apo edhe skemat. Disiplina sportive është risi dhe ajo i duhet klubit. Shpresoj vetëm që mos i fusin hundët te punët e trajnerit dhe ai ta bëjë punën siç duhet. Nëse ka ndërhyrje, rezultatet nuk vijnë dhe përgjegjësia do shpërndahet.

Sina

Mendoni se rrugëtimi i Tiranës në të Parën do zgjasë vetëm këtë sezon?

Mbase është herët për ta thënë, por mendoj se ngjitjen do ta sigurojnë 1 muaj e gjysmë para mbylljes së sezonit. Kanë edhe trofeun e Kupës mision dhe po ia dolën do ishte “bonus”, megjithatë mendoj se prioriteti i klubit duhet të jetë vetëm kthimi në Superiore.

Nëse ndodh më e keqja, a rrezikon Tirana që të përsërisë precedentin e Partizanit dhe Dinamos?

Këtë pjesë nuk e mendoj kurrë, pasi kam bindjen se do ngjiten. Por nëse nuk ndodh, ata që e kanë marrë përsipër që ta rikthejnë, jo lekë të kenë hedhur, por edhe gjak, duhet të ikin një orë e më parë.

Tifozët u rikthyen në stadium, por për të kontestuar presidencën. A e ndihmon ekipin ky fakt?

Unë përshëndes faktin që u rikthyen. Ekipin nuk është se e ndihmon ky fakt, por ata kanë zgjedhur që të bëjnë një “luftë” dhe mënyra e vetme është që ta bëjnë në këtë formë. Protestat le ta vazhdojnë, megjithatë skuadra ka nevojë për mbështetje.

E fundit, a ju ka rënë në sy ndonjë nga lojtarët?

Të huajt s’i kam ndjekur shumë, por shoh që Karabeci po bën kapitenin dhe po merr më shumë përsipër. Doka është një lojtar me të ardhme, por pas nuk mbetet as Hoxhallari apo Turtulli, të cilët kanë pësuar rritje në lojën e tyre. Pjesën tjetër do ta gjykojmë në vazhdim.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura