Simone de Beovoir dhe Sartre/ Korespondenca e përjetshme e dashnorëve

Aug 3, 2018 | 20:10
SHPËRNDAJE

Kafeneja “Café de Flore” në Saint-Germain-des-Près është një kafene mitike, çka e kemi parë prej disa vitesh në ekranin francez në filmin “Les amants du Café de Flore”, (Të dashuruarit e kafenesë Flore), kushtuar Sartre-it e Beauvoir-it. Gjatë luftës dhe pas luftës, aty mblidheshin Sartre, Beauvoir, Albert Camus dhe shumë intelektualë në zë të asaj kohe. Një miqësi e ngushtë u lidh mes Sartre dhe Camus-ë, i cili para disa kohësh kishte ardhur nga Algjeria dhe kishte zbarkuar në Paris, ku punonte në shtëpinë botuese “Gallimard”.

Camus po bëhej ndërkohë një nga emrat më të dëgjuar në fushën letrare me botimin e veprës së tij L’Etranger, (I huaji), të cilën Sartre e përshëndeti nxehtësisht me një kritikë të gjatë. “Camus ishte i bukur, – kujtonte për ato vite Simone de Beauvoir, – ai dinte të vallëzonte dhe t’i joshte gratë”. Në atë kohë, Sartre dhe Beauvoir ishin dy figura të mëdha të inteligjencës franceze. Botimi i veprës së tij “Ekzistencializmi”, pas dramave dhe esesë filozofike “Qenia dhe Hiçi”, e kishin kthyer atë në një figurë madhore që i kishte kapërcyer me kohë kufijtë e Francës, edhe pse Partia Komuniste franceze përmes gazetës “L’Humanité”, e kritikonte atë se “kishte rënë në prehrin e kapitalizmit”. Në vitin 1954, Sartre e Beauvoir shkuan së bashku në Moskë dhe u pritën nga Hrushovi.45547878784

Në kthim, Sartre botoi disa reportazhe pozitive mbi Bashkimi Sovjetik, por, më pas, kur ndodhi kryengritja e Budapestit kundër ushtrisë sovjetike, ndryshe nga Partia Komuniste franceze, e cila e konsideroi sikundër-revolucion në shërbim të fashizmit, Sartre dhe Beauvoir e denoncuan atë publikisht dhe me forcë. Madje, ata kërkuan “demilitarizimin e kulturës në Lindje”, duke kritikuar ashpër metodën staliniste të ndalimit të veprave të Kafkës dhe autorëve disidentë, duke u bërë jehonë letërsisë së Solzhenicinit, Josef Brodskit, Jevtushenkos apo Bukovskit, të cilët u bënë të njohur përmes faqeve të revistës “Kohët Moderne”. Pikërisht në atë kohë, Sartre shkroi esenë Fantazma e Stalinit. Kjo, edhe veçanërisht protesta e Pragës në vitin 1968, ishte kthesa vendimtare dhe fundi i iluzioneve të Sartre-it, ku ai shkruan për “degradimin e pamëshirshëm dhe të vazhdueshëm të socializmit sovjetik”. Sidoqoftë, ai mbeti gjithnjë antiborgjez, antikapitalist dhe mbi të gjitha antimilitarist. Ishin po Sartre dhe Beauvoir, që u vunë në krye të intelektualëve kundër luftës së Francës në Algjeri dhe pro pavarësisë së Algjerisë përmes Manifestit të 121-ve. Kur Sartre deklaroi hapur gjatë një procesi se edhe ai do të fshihte dhe mbështeste luftëtarë të ushtrisë se FLN të algjerianëve për çlirim, shteti francez deshi ta dënonte, por gjenerali De Gaulle ndërhyri me shprehjen e famshme të tij se “Volteri nuk mund të futet në burg”. Ndërkohë, banda terroriste e OAS-it vërshonte në rrugët e Parisit me thirrjet: “Të vritet Jean Paul Sartre!”.

Disa bomba shpërthyen në pragun e shtëpisë së tij. Më vonë, në kohën kur Brezhnjevi pritej në pallatin presidencial nga Giscard d’Estaing, Sartre dhe Beauvoir zhvillonin një takim me disidentë të mbledhur nga Lindja, ku qindra gazetarë të botës i bënin jehonë një takimi të tillë epokal. Pikërisht në këtë kohë, Sartre hodhi parullën “Klasa punëtore sovjetike duhet të marrë pushtetin që i kanë vjedhur”. Në një intervistë të tij në revistën “Nouvel Observateur”, duke iu kthyer angazhimit të tij përgjatë një gjysmë shekulli, ai do të bënte “mea-culpa”-n e tij: “Më 1954 dhe gjatë katër viteve, unë isha i afërt me komunistët, por idetë e mia nuk ishin të tyret dhe këtë ata e dinin. Pa dyshim, thosha gjëra pozitive për Bashkimin Sovjetik, të cilat nuk i ndieja.8589695847

Po, kam gënjyer! E bëja këtë sepse kur ftohesh nga një vend, nuk bën ta shash atë. Për më tepër, nuk e dija që pas vdekjes së Stalinit, kulakët do të vazhdonin ende”. Sigurisht që ngjarjet më tronditëse në jetën e çiftit Sartre- Beauvoir ishin ato të vitit 68′ dhe epoka maoiste, ku ai u kërkonte studentëve në Sorbonne e gjatë manifestimeve në rrugët e Parisit që ata të bashkoheshin dhe t’u bënin luftë “pleqve që i qeverisnin”, duke u bashkuar sa të mundeshin me punëtorët.

Aq shumë shpresoi Sartre në ndryshimet ideologjike, sa që ata ranë në prehrin e maoizmit, duke shpërndarë në rrugë gazetën “La Cause du Peuple”, (Kauza e Popullit), të cilën Sartre drejtonte. Kur në vitin 1964, Sartre-it iu dha çmimi “Nobel”, ai e refuzoi atë, sepse mendoi se kjo mund të shfrytëzohej politikisht kundër tij, meqë deri atëherë çmimi “Nobel” nuk i ishte afruar asnjë disidenti nga Lindja europiane dhe asnjë shkrimtari me ide komuniste. Pranimi i këtij çmimi, siç mendonte ai, mund ta hidhte atë në krahun e konservatorëve të djathtë.

LETRA KASTORIT

Korrespondenca e Sartre-t dhe e Beauvoirit përbën sot një nga korrespondencat më të pasura të një çifti letrarësh e intelektualësh, korrespondencë kjo që kap një periudhë pothuaj gjysmë shekullore, nga viti 1926 e gjer në vitin 1963, vit kur zemra e Sartre-it pushoi së rrahuri. Letrat e tyre nuk u përngjajnë letrave të dashurisë të Apollinaire, Eluard apo Aragon. Ato nuk janë erotike, nuk shkruhet për buzë të etura, gjinj, seks, dëshirë. Nuk ka poezi të ndërthurura në to. Kjo korrespondencë i ngjan më tepër një lloj rrëfimi dyplanësh, një tregimi jetësor, ku ngjarje të ndryshme, gëzime dhe dhimbje, ata kërkojnë t’i ndajnë me njëri-tjetrin.

Por, mbi të gjitha, në to qëndronte mendimi, filozofia, gjykimi për libra dhe autorë, për qenien dhe hiçin, për Kiekergard, Kant, Heidegger apo Kafkën, për esetë dhe romanet që po shkruanin, për dramat që do të shkruanin, për titujt që mendonin tu vinin veprave të tyre. E, megjithatë, edhe Sartre e thoshte fjalën e ëmbël, ashtu siç e ndiente, pa e poetizuar. Në letrat e tij, ai e quante shpesh atë “lulja ime e ëmbël”… I shkruante se “në këtë botë nuk kam njeri tjetër veç teje”, se “ju dua me të gjitha forcat”… Në fillim, ajo ishte Simone, pastaj Kastor, siç do të mbetej dhe pseudonimi i saj. “Ti nuk e di se ç’gëzim më sjellin letrat e tua”, i shkruante ai kur ishte larg saj, në ushtri, para Luftës së Dytë Botërore, – ato ma transformojnë botën. Ti je forca dhe lumturia ime”… “Kam dëshirë të të shoh dhe të fle në krahët e tua”. Por në letrat e tyre, më vonë do të shpalosej një jetë komplekse, çka e bënte të veçantë këtë çift në peizazhin e mendimit letrar e filozofik të shekullit XX. Aty ishin dhe zemërimet e heshtura, xhelozitë, dhimbjet dhe hapësirat ku më pas rigjenin njëri-tjetrin, pasi ata, gjithnjë, pas çdo historie kalimtare apo të fortë e tronditëse, do ta rigjenin njëri-tjetrin. Ishte Simone de Beauvoir, që, pas vdekjes së Sartre-it, u kujdes për botimin e letrave të tij.965847

Duke folur për historitë e tyre, veçanërisht marrëdhëniet intime, dashuritë kalimtare të tij, ajo shkruante se: “Sartre kishte një ‘ego’ ekstreme dhe nuk dinte t’i thoshte ‘jo’ një personi. Nëse një femër i kërkonte diçka, ai i premtonte dhe hënën. Pastaj vinte tek unë dhe më thoshte: Wanda, (ose një tjetër), më tha se…” Por Simone e adhuronte këtë njeri. “Unë isha një grua inteligjente, -do të thoshte ajo, – ndërsa Sartre ishte një gjeni. Ai ishte një tip që nuk fliste shumë…” Kur filloi lufta, Sartre vendosi të mbante një ditar, edhe pse ai nuk i donte ditarët. Shkroi rreth 15 fletore, nga të cilat mbetën vetëm 5, duke përbërë një vepër më vete letrare, e cila do të quhej “Carnets de drôle de gurre”, (Fletoret e një lufte të çuditshme). Dashuritë e rastësishme apo “les amours contigentes”, ishte pakti që kishte lidhur Sartre dhe Simone që në fillimet e dashurisë së tyre. Ky ishte një pakt që rinovohej çdo dy vjet dhe që qëndronte në faktin se pavarësisht nga dashuria e përkushtimi ndaj njëritjetrit, ata mund të kishin flirte me të tjerë, por me një kusht: që asnjëherë nuk do ta gënjenin apo mashtronin njëri-tjetrin. Dhe ky kusht do të mbahej. Ja pse në jetën e tyre, ku ata nuk mund të jetonin pa njëritjetrin, u pleksën shumë histori flirtesh e dashurish të vogla, herë dhe të mëdha, dashuri të Simone-s me Jacques-Laurent Bost, me shkrimtarin amerikan Nelson Algren dhe Claude Lanzmann, (të tjerët si piktori spanjoll Fernando Gerassi, Arthur Koestler apo René Maheu, ishin kalimtarë). Ndërsa dashuritë e Sartre-it, përgjithësisht ishin me mikeshat e Simone-s, si Olga, Wanda, dhe rrallë ndonjëherë, kur ai i njihte vetë, siç ishte rasti i amerikanes Dolores Vanetti, (të njohur gjatë udhëtimit të parë të tij në Amerikë), e cila u çmend nga dashuria për Sartre-in dhe besonte se do të martohej me të. Por kjo martesë nuk do të realizohej, pasi pakti do të ishte gjithnjë në fuqi edhe në stuhitë më pasionante e më të mëdha.

Ata kishin vendosur t’i thoshin të vërtetën njëri-tjetrit. Gjatë një udhëtimi në Savoie, kur Simone kishte shkuar bashkë me një mikun dhe nxënësin e Sartrit, më pas, ajo do t’i shkruante atij: “Para disa ditësh më ka ndodhur diçka tepër e pëlqyeshme: Bëra dashuri me Botsi-n. Kaluam ditë idilike dhe net pasionante”. Pas vdekjes së Sartre-it në vitin 1980, tre vjet më vonë, Beauvoir botoi letrat që Sartre i kishte dërguar gjatë gjithë jetës së tyre të përbashkët, të titulluar “Lettres à Castor”, (Letra Kastorit), siç ishte pseudonimi i Simone-s gjatë luftës, por ku një pjesë të mirë të letrave ajo nuk i botoi. Për herë të parë, lexuesi i gjerë mësoi se ç’kishte ndodhur në të vërtetë në jetën e këtij çifti mitik dhe se deri ku shkonte kompliciteti mes tyre. Ata ia tregonin gjithnjë dashuritë e tyre njëri-tjetrit dhe ajo preferonte t’i dinte historitë e tij, sepse kështu i kontrollonte më mirë ato. Madje, ndodhte, veçanërisht gjatë dy dashurive të tyre amerikane, (ajo me shkrimtarin Nelson Algren dhe Sartre me Dolores Vanetti), që ata të rregullonin axhendën me njëri-tjetrin që të mos përplaseshin mes tyre. Algren ishte një dashuri e fortë e Simone-s dhe ajo u nda me dhimbje me të. Ai ishte “krokodili i ëmbël”, siç i shkruante ajo në letrat e saj dhe ajo ishte “bretkosa e tij e çmendur”.

Kur vdiq Beauvoir më 1986, katër vjet më vonë u botuan nga shtëpia botuese “Gallimard”, “Letra Sartre-it”, dhe lexuesi gjeti çelësin sesi rezistoi ky çift nga gjithë këto histori dhe sesi bënte Simone që të ishte gjithnjë primare në dashuritë e Sartre-it. Për herë të parë, Sartre kishte shkuar në shtrat me një grua gati dy herë më të madhe se ai në moshë. Atëherë ai ishte 18-vjeçar. Por, gjithnjë ai kishte kompleksin se ishte një djalë i shëmtuar dhe si për të luftuar këtë, ai zgjidhte gjithnjë vajza të bukura, të cilave ua merrte mendjen me kulturën dhe tipin e tij paqësor dhe libertin. Megjithatë, Sartre ishte i pari mashkull, me të cilin Simone do të puthej dhe do të shkonte në shtrat.

Sartre ishte më tepër shpirtëror sesa fizik. Në letrat që Simone i shkruante të dashurit të saj, shkrimtarit Algren, duke i folur për Sartre-in, ajo i pohonte se “Sartre nuk është i pasionuar pas seksualitetit. Ja pse gradualisht ne e kuptuam se ishte e panevojshme të flinim bashkë në të njëjtin shtrat”. Por. dhe Sartre kishte shkruar për marrëdhëniet e seksualitetin e tij. “Marrëdhëniet seksuale me femrat në një moment të dhënë ishin të detyrueshme, por unë nuk u kushtoja shumë rëndësi. Bëja seks pa ndonjë kënaqësi të madhe. Isha më shumë një masturbues femrash…” Megjithatë, erdhi një kohë kur ata do të festonin përvjetorin e paktit të tyre, siç ndodhte gjithnjë për ta rinovuar atë pakt. Atë ditë tetori, Sartre i kishte thënë: “Castor, ne nuk kemi më nevojë për këto pakte provizore, sepse askush tjetër nuk mund të na kuptojë ashtu siç ne të dy e kuptojmë njëri-tjetrin”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura