Silvio Berluskoni nuk përmbahet: Me Paladinon kemi pikë sa Milani, duam titullin kampion

Feb 3, 2023 | 19:34
SHPËRNDAJE

Silvio Berluskoni ka filluar të ëndërrojë gjëra të mëdha për Monzën. Fitorja e dytë në kampionat ndaj Juventusit duket se ka shtuar entuziazmin e ish-presidentit i Milanit i cili me klubin e ri, tani kërkon të shijojë të njëjtat suksese si me kuqezinjtë.

berluskoni

Këtë ai e ka shprehur në një mbledhje festimesh me skuadrën, për ta përgëzuar për sukseset e fundit dhe ecurinë e mirë nën drejtimin e Rafaele Paladinos.

“Që kur ka ardhur Paladino, rezultojmë në vendin e pestë në kampionat, bashkë me Milanin. Ne te Monza e besojmë me të vërtetë, duam që ta bëjmë edhe më të rëndësishme dhe mund ta themi Adriano, duam të fitojmë titullin kampion vitin e ardhshëm apo atë pas tij”, ishin fjalët e Berluskonit duke iu drejtuar Galianit mes duartrokitjeve të lojtarëve.

“Kemi blerë lojtarë të rinj, kemi dyfishuar hapësirën e kompleksit tonë stërvitor, që tani është më i bukuri dhe më i madhi në Itali. Tani kemi rregulluar edhe stadiumin me një shpenzim jo të vogël, 25 milionë euro. Por gjërat kanë ndryshuar, se kur erdhëm ne, vinin 300 vetë të shihnin Monzën e tani vijnë 10 mijë. Jemi të bashkuar dhe ajo që shkruajmë në dhomat e zhveshjeve vlen sidomos tani: kush ka besim te ne, lufton çdo pengesë dhe kush beson te ne, fiton. Duhet të bëjmë Monzën një skuadër të madhe”, tha Berluskoni në fjalimin e tij para ekipit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura