Silvi Bardhi: Jam grua tradicionale, vlerësoj femrën që ka pastërti shpirtërore

Jun 9, 2015 | 15:04
SHPËRNDAJE

Silvi Bardhi, në javët e fundit të shtatzënisë
Zëdhënësja e PD-së është në javët e fundit të shtatzënisë dhe pret djalin e dytë. Zbuloni jetën e Silvi Bardhit në familjen private dhe politike, si dhe një përgjigje për kampin e majtë, për ironinë që bënë me deklaratën e saj gjatë shtatzënisë së parë kur tha: “Kur fliste Doktori (Berisha), më lëvizte djali në bark”…

Një bebe në pritje për selinë blu. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi, është në javët e fundit të shtatzënisë, përpara se ta bëjë Jonin 2-vjeçar me vëlla. E intervistuar nga “Panorama”, ajo nuk e fsheh aspak entuziazmin për anëtarin e ri të familjes, por paralelisht do të qëndrojë e angazhuar edhe në familjen politike, ku ka një post të lakmuar nga shumë femra. Megjithatë, Silvi Bardhi nuk ndihet e kërcënuar për karrierën, pasi, siç thekson ajo “Partia Demokratike mbështetet mbi vlerat e familjes dhe kjo jo vetëm që nuk më penalizon, por më shton përgjegjësinë për të punuar më shumë dhe më fort”. Ndërkaq, zëdhënësja e PD-së ka dhënë edhe një përgjigje për kampin e majtë, për ironinë që bënë me deklaratën e saj gjatë shtatzënisë së parë, kur tha: “Kur fliste Doktori (Berisha), më lëvizte djali në bark”. Zbulojeni gjatë intervistës….

Silvi, sapo keni bërë publik një lajm të bukur, do të shtoheni me një bebe. Si u prit lajmi në familje?
Sigurisht, me lumturi. Donim aq shumë që Jonin ta gëzonim me një motër ose vëlla. Dëshira më e madhe e imja ishte që djalin tim të mos e lë vetëm. Pavarësisht kohës së shkurtër, për mua kjo është zgjidhja më e mirë për fëmijët. Të mos kenë shumë diferencë moshe nga njëri-tjetri. Kjo i bën ata më të afrueshëm dhe kuptohen më lehtë. Fati do që familja jonë të gëzohet me një tjetër djalë dhe unë jam mëse e lumtur për këtë fakt. Do të jenë 2 vëllezër, do të kenë të njëjtën botë, të njëjtat lojëra, të njëjtat kërkesa dhe kjo besoj do t’u krijojë një lidhje të veçantë gjatë gjithë jetës.
Mund të na zbuloni emrin e bebes?
Nuk kemi pasur kohë të mendojmë për emrin, për shkak të fushatës. Por jemi ende në kohë. Kanë mbetur pak më shumë se 6 javë nga lindja. Gjithsesi formën dhe përmbajtjen e kemi të qartë: emër i shkurtër dhe shqiptar.
Fëmijët janë bekim, por si do të organizoheni ju për punën, njëkohësisht edhe t’i kushtoni kohë fëmijës (për pak do të bëheni me dy)?
Sekreti qëndron te harmonia familjare. Pa të, asgjë nuk do të arrija në jetë. U jam mirënjohëse përjetë familjeve tona të nderuara, të cilat gëzojnë respektin tim maksimal për përkrahjen dhe kurajën që më japin në realizimin e objektivave të familjes sime. Ndihem e përkëdhelur nga fati, pasi jam e rrethuar me njerëz të mbarë, të mirë në shpirt e të pasur në dijeni. Koha gjithmonë është e pamjaftueshme për djalin tim. Ne e kërkojmë vazhdimisht njëri-tjetrin gjatë gjithë ditës. Komunikojmë edhe në telefon kur na merr malli. Gjithmonë pas punës, Joni është ai që më largon perden e lodhjes e më rikthen në energjinë e mëngjesit. Aroma e tij më mbush me jetë dhe sa herë që mundem falënderoj Zotin për këtë bekim të madh.
A keni ndokënd që ju ndihmon për punët e shtëpisë?
Në fakt jam grua tradicionale. Ndihem mirë kur gjithçka e bërë, është nga duart e mia. Edhe kur unë pastroj me vështirësi këto kohë, Joni hedh lodrat pikërisht në vendin e rregulluar, unë s’ndihem keq, por mendoj gjithmonë faktin se sa mirë i bën fëmijës kur sheh prindin të lëvizë në shtëpi dhe ai ndihet i sigurt. Në shumë raste, ai luan mbi mobiliet që sapo i kam shtruar, vetëm për të më treguar se sa shumë i pëlqen rregulli. Unë në atë moment lë çdo gjë dhe luaj bashkë me të.
I keni lejuar dhe mundësuar vetes që t’i rrisni fëmijët me një dado apo jeni tradicionale edhe në këtë drejtim?
Kam një ndihmë dhe një mbështetje të jashtëzakonshme nga mamaja ime. Joni tani ka mbushur 2 vjeç e tre muaj dhe kur e shoh falënderoj me zemër mamin për të gjithë kujdesin që ka treguar për ta rritur me aq shumë sakrificë. Sa herë më ka ardhur keq për të gjithë mundin që shkarkon te djali im, kam menduar për një mbështetëse, por e kam kuptuar se e kam vrarë pak shpirtërisht, pasi mami, Jonin e konsideron shpirtin e saj, pa të cilin nuk bën dot. Ndaj, e kam mbyllur si temë që të kem dado. Sigurisht që të gjithë familjarët e tjerë e adhurojnë djalin tim dhe mezi presin ditën që ta takojnë. Kur ai largohet, sytë e tyre mbushen me lot e unë ndihem me fat që djali im rrethohet me dashuri dhe përkujdesje të jashtëzakonshme, në çdo detaj. Shpesh ndiej keqardhje për shumë fëmijë të tjerë, të cilët nuk kanë kaq shumë dashuri afër vetes, janë të braktisur, apo të shfrytëzuar për interesa të ndryshme. Nëse një ditë do të kisha mundësi, do t’u shërbeja këtyre fëmijëve, si nga ana institucionale, politike, por edhe fizike. Është kategoria, e cila gjeneron të ardhmen e vendit, e nëse nuk investon seriozisht e me përkushtim, ekzistenca e tyre humbet, e kjo është fatale për një komb.
Nuk mund t’i shpëtoj dhe unë dëshirës për t’ju bërë një pyetje “alla politike”. Gjatë shtatzënisë së parë, ju keni deklaruar se “kur fliste Doktori (Berisha), ju lëvizte djali në bark”, një deklaratë kjo mjaft e komentuar nga kampi i majtë, apo jo?
Nëse fëmija lëviz, kjo është shenjë jete dhe shëndeti të plotë të bebes. Madje, sa më shumë të lëvizë, aq më mirë është. Deklarata ime reflektoi shenja urrejtjeje nga kampi i majtë, persona të cilët nuk dinë vlerën e familjes dhe respektit ndaj gruas, gruas që sot i kërkojnë votën. E kanë të dëshmuar, botërisht u dihen aferat. Unë vijoj të shijoj frytet e një familjeje të shëndetshme dhe jam krenare çdo ditë.
Politika tashmë është shtuar me femra, cilën prej tyre vlerëson më shumë?
Vlerësoj femrën që simbolizon pastërtinë shpirtërore, butësinë e fjalës, fisnikërinë e mendimit dhe finesën e pamjes së jashtme. Çdo grua e tillë, për mua është shembulli se si duhet të ecësh në jetë dhe karrierë.
Cila është marrëdhënia juaj me koleget në Partinë Demokratike?
Falë natyrës që më karakterizon, unë jam paqësore, e qetë dhe me këmbë në tokë. Modestia më ndihmon të kem shumë miq, pa asnjë dallim statusi. Koleget tregojnë mjaft respekt dhe unë mundohem të mos thyej asnjë rregull etik ndaj tyre. Kam nderin dhe fatin të punoj me profesioniste e mbi të gjitha me njerëz fisnikë. Shumica e atyre që i hyjnë politikës, duket sikur kanë për qëllim të bëhen të pasur, pasi në deklarimet pranë ILDKP-së rezultojnë milionerë.
A jeni bërë ju e pasur me politikën?
Jam rritur me punën dhe nga puna kam arritur të mbaj veten dhe familjen. Jetoj si çdo familje shqiptare, e cila me ndershmëri ka arritur në jetë. Fle e qetë natën dhe zgjohem e lumtur në mëngjes. Kaq më mjafton për t’i dhënë shembull edhe fëmijëve të mi nesër, e të vazhdoj të jem po aq e qetë edhe në vitet në vijim.
Ju i jepni shumë rëndësi familjes, por a nuk mendoni se kjo mund t’ju penalizojë? P.sh. vendi i punës mund të kërkojë njerëz me më pak angazhime, më “free” dhe jo nëna me fëmijë?
Partia Demokratike mbështetet mbi vlerat e familjes dhe kjo jo vetëm që nuk më penalizon, por më shton përgjegjësinë për të punuar më shumë dhe më fort. Kam fatin të kem një mbështetje të pakursyer nga familja për të realizuar sa më profesionalisht punën time. Sot, teknologjia ka lehtësuar shumë rrugë, për të cilat do të më duhej kohë e gjatë për t’i arritur. Nëse do të jetonim në sistemin diktatorial, ashtu siç ne jemi rritur nga prindërit tanë plotë sakrifica, do të ishte shumë e vështirë, gati e pamundur për të realizuar ëndrrat. Me ndryshimin e sistemit, karriera për nënat e reja është bërë më lehtë e arritshme, nëse ke vullnet dhe dashuri për punën. Gjithsesi një grua pa familjen e saj të re, nuk mund të jetë e suksesshme plotësisht edhe në karrierë. Realizimi në jetën personale, pa dyshim që reflekton edhe në atë profesionale. Këtë dëshiroj për çdo vajzë të re, e cila ka filluar të ndërtojë jetën e saj.

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura