Sikur të isha socialiste

Apr 21, 2015 | 13:10
SHPËRNDAJE

LAURA VORPSI

   Diferencat programore midis dy partive kryesore politike në Shqipëri janë kaq të vogla, sa shumë lehtë mund të hidhesh sa te njëra te tjetra. LSI-ja dhe modeli i saj që po përhapet si epidemi është tjetërsoj, aty nuk hyn dot pa mik të fortë, pasi kjo organizatë fitimprurëse vjel gjithmonë frytet e pushtetit dhe nuk ndihet asnjëherë përgjegjëse për bëmat e saj. Partia ime e supozuar socialiste, ose Rilindja, tha në fillim se po bënte nga halli një aleancë me patericën e Saliut, por shumë shpejt e zuri qymyri me modelin e paturpshëm të LSI-së. Tashmë, zgjedhjet lokale janë afër dhe çdo ditë që i afron ato, duket se sjell me vete, njësoj ashtu siç sjell deti leshterikët: pakënaqësi, komente, debate, kandidatë trafikantë, gjykime, arrestime parazgjedhore dhe opinione pa fund. Politika mbetet buka jonë e përditshme, dashuria dhe urrejtja e njëkohshme. E them këtë pasi pothuajse në asnjë vend europian që kam udhëtuar, nuk kam hasur asnjëherë të rinj apo të reja, gra apo burra, pasanikë apo lypsarë që të jenë aq të përfshirë në politikën e vendit, sa ne shqiptarët. Pse ne shqiptarët jemi kaq shumë të epshur pas politikës? Politika përbën jo vetëm “produktet e shportës”, por shpesh edhe “fruta” të cilat, nëse na shijojnë personalisht, mund t’i ndajmë edhe me kolegët tanë, të përfshirë ose jo në politikë. Kështu, dikush do të mund të përfitojë “produkte të shportës” dhe “fruta”, deri sa të vijë qeverisja tjetër.
Nuk është e nevojshme të përsëris që nuk jam socialiste, por nëse do të bëja pjesë në këtë familje të madhe politike, sidomos pas zhvillimeve të fundit në këtë parti, nuk do të isha e lumtur me gjendjen aktuale të saj. Dëmshpërblimi i shpalosjes së bindjeve politike është i rëndë për atë që është ngopur nga qeverisja e partisë së tij, por dëmshpërblimi është mallkim i plotë për ata që, edhe pse mbartin të njëjtat bindje politike me partinë në pushtet, nuk arrijnë dot të mbushin stomakun dhe detyrohen të marrin arratinë. Si demokrate, si në çdo familje tjetër politike në Shqipëri, nuk mund të mburrem për nivelin e demokracisë së brendshme të partisë sime përgjatë këtyre 25 vjetëve, por PD-ja brenda “sulltanatit” të saj nuk ka promovuar asnjëherë krimin e organizuar apo njerëz me dy, tri apo katër identitete, trafikantë lëndësh narkotike apo, akoma më keq, qeniesh njerëzore, të cilët të hakërrohen haptazi dhe të kërcënojnë nëse u kujton me letra në dorë vitet e burgut. Ky është soji i rilindësve, por jo i socialistëve. Socialistët që kanë ngritur pak zërin kundër Ramës, ose janë përjashtuar nga partia, ose janë në prag përjashtimi. Ata që nuk u binden urdhrave të partisë, nënshtrohen para arrestimeve politike dhe hapjes së dosjeve penale nga Prokuroria e pavarur e Ramës. Mendimi ndryshe, një tezë e hershme e Ramës, është hedhur përfundimisht në koshin e plehrave dhe, bashkë me të, edhe shpresa e socialistëve për një rilindje të vërtetë të vendit. Rilindja po i zë frymën Partisë Socialiste.   
Ditët e fundit, kryetari i Partisë Socialiste, pas një procesi që jo vetëm sipas Blushit nuk ishte proces, me një frazë të vetme na informoi se kandidat për Tiranën do të jetë ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj. Rama doli para kamerave dhe me të njëjtën gjakftohtësi që njoftoi se në zgjedhjet e 23 qershorit socialisti Malaj do të përjashtohej nga partia dhe vendin e tij do ta zinte rilindësi Koço Kokëdhima, njoftoi kandidimin e Veliajt. Kandidim që e kishte përjashtuar publikisht në shtatorin e shkuar. Tirana është para faktit të kryer dhe do të kërkojë kryetarin e saj midis Halim Kosovës dhe ish-mjaftistit Veliaj. Një mjek që ka ditur të ndërtojë një karrierë dhe profil të lartë profesional, kundër Erit, delfinit të Ramës. Veliaj nuk u zgjodh nga anëtarësia po ashtu si zoti Kosova, por ka një ndryshim të madh midis të dyve; Halim Kosova i siguron PD-së vota përtej militantëve të saj, ndërsa Veliaj është zgjedhur nga Rama vetëm sepse është një ushtar i bindur i kryetarit, një ushtar besnik deri në ferr. Rama ka zgjedhur kandidatin për nënkryetar besnik të Bashkisë. Ministri i suksesshëm i Mirëqenies individuale po shpërblehet sigurisht për shërbimin ndaj kryetarit, por jo për shërbimin ndaj qytetarëve, të cilët kanë nisur eksodin e dytë të madh drejt Europës.
Shqiptarët po arratisen vetëm disa muaj pasi ministri i suksesshëm ia doli të organizonte dy dasma madhështore me kursimet e mamit, pasi iu desh të restauronte një kala të tërë me shpenzimet e taksapaguesve shqiptarë. A ka midis azilkërkuesve ish-votues të Partisë Socialiste, të cilët kanë votuar për Rilindjen që do të hapte 300 mijë vende të reja pune? A është kjo rilindja e 1 milion shpullaxhinjve, të cilët sollën në pushtet dyshen Rama-Meta? Kreut të Rilindjes dhe patericës së tij nuk i bëri asnjë përshtypje eksodi i shqiptarëve dhe as produkti kriminal që kanë sjellë me duart e tyre në Parlament dhe që po promovojnë në zgjedhjet lokale. Ata vazhdojnë të promovojnë figura me të kaluar të dyshimtë dhe të glorifikojnë tendencat minimaliste në përzgjedhjen e kandidatëve vendorë. Zoti Balla tërsëllen me të madhe kundër Bylykbashit dhe përbetohet se kandidati i PS-së për Krujën, z. Bushi, nuk është marrë ndonjëherë me trafik droge. Balla, gjithashtu, akuzon opozitën se Elvis Roshi nuk e ka ndryshuar asnjëherë emrin e tij dhe nuk ka ndonjë lidhje me malavitën. Kaq në pikë të hallit paska shkuar PS-ja, sa nuk u gjetkan dot disa kandidatë normalë për të përfaqësuar këtë forcë të madhe politike? Sikur të isha socialiste, besoj si të gjithë socialistët e arsyeshëm, nuk do të preferoja kurrë ish-mjaftistin Veliaj kundrejt ish-kryeministrit Majko, të cilin kam frikë se mund ta votoja edhe si demokrate. Të më ndiejë Kryeministri Rama, por është për të ardhur keq që ka përvetësuar kaq shpejt kriteret e LSI-së në përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore, të cilat ngjajnë me ato të “Lizës së famshme” të Drejtorisë Arsimore në Lushnjë. Sikur të isha socialiste, natyrisht nuk do të ndihesha e përfaqësuar nga Rilindja e sotme, e cila nëpër dhëmbë i kërcënohet të gjithë anëtarësisë socialiste. S’ka më zgjedhje midis socialistëve, po ka vetëm byro politike të udhëhequr nga Koço dhe Eri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura