Sikur Kosovën ta njihte Izraeli…!

Sep 8, 2020 | 10:00
SHPËRNDAJE

ARTAN FUGA artanfugaa

Në nënshkrimin e mar rëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës, anës tavolinës së Presidentit Trump në Uashington, në tekst nuk kishte sigurisht një artikull që ta sanksiononte se Kosova do të kishte edhe njohjen nga Izraeli. Sigurisht, nuk mund ta kishte se çfarë hyn Izraeli në sherret mes serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan, mjaft ka të vetat atje ku është!

Por, njoftimi nga ana e Presidentit amerikan se Izraeli do ta bëjë këtë njohje për Kosovën, kishte një rëndësi të madhe me kuptimet dhe nënkuptimet e veta që diplomacia kosovare dhe mbase edhe ajo e Shqipërisë besoj duhet ta dijë t’i lexojë siç duhet. Realisht dhe jo sipas parimit të ëndërrimit. Semantikisht, shumë interesante që një anoncim jashtëtekstual integrohet komunikativisht në një nënshkrim teksti. Teksti dhe jashtëteksti plotësojnë njeri-tjetrin. Nuk thonë kot që asnjë tekst nuk kuptohet nëse nuk njihet konteksti. Ky bashkërendim i tekstit me jashtëtekstin është shumë i rëndësishëm. Ai tregon që çështja e Kosovës është globale dhe futet në të gjithë rrjetën e marrëdhënieve diplomatike dhe gjeopolitike globale. Premtimi i njohjes së Kosovës nuk u bë nga Izraeli vetë, por nga Shtetet e Bashkuara, që dhanë lajmin e mirë për shtetin e Kosovës. Ishte si një lloj guri peshoreje që vihet në balancë për të baraspeshuar më mirë dy anët. Kjo, ndoshta ka kuptimin që pranohet se ana kosovare në tekst mund të kishte më shumë sesa është e shkruar. Kjo, sepse as u ça territorialisht, por as u njoh nga Serbia aty. Dhe po qe se nuk merret premtimi i njohjes, aty vështirë se do ta marrë gjetiu së shpejti. Por, çfarë nuk bën vaki!

Një lloj disbalance në tekst u ekuilibrua me një premtim jashtë tekstit që Shtetet e Bashkuara si vlerë e “huazuan” nga Izraeli.

I keni parë ata tregtarët zemërmirë kur u blen pjeshkë a fiq? Kur shohin se ju jeni një klient i mirë dhe keni blerë shumë fruta, pra, marrëdhënia është e bollshme, jashtë peshores, të hedhin edhe nja dy a tri kokrra të mira pjeshke a fiqsh në trastë dhe ti je i gëzuar!!!

Tani të presim që Izraeli ta njohë zyrtarisht Kosovën me të gjitha procedurat e veta, sepse atëherë sigurohemi përfundimisht. Dhe pastaj ta forcojë dhe ta bëjë të qëndrueshme këtë njohje jo si ato shtete që pasi e njohën Kosovën, pastaj e tërhoqën këtë njohje. Nuk është sigurisht rasti, por në gjeopolitikë gjithçka mendohet.

Dhe pasi iu premtua Kosovës, edhe Izraeli duket sikur mori edhe ai shpërblimin e vet sepse Serbisë, anash tavolinës, në anën e djathtë të saj, u tha se ambasada e saj zhvendosej në Jerusalem!!! Ta shohim! Bëri teatër qeveritari serb kur u duk sikur u habit për këtë anoncim apo u habit vërtet?!

Pse njohja nga ana e Izraelit, nëse bëhet, ka kuptim global, pra, u bë aty si anoncim?

Sepse për Kosovën është shumë më tepër sesa njohja nga ana e çdo shteti tjetër. A do të dijë ta kuptojë dhe përfitojë ajo, kjo është pastaj çështje tjetër!

E para, sepse përtej retorikës që e konsideroi Kosovën si shtet mysliman a diçka e tillë, me njohjen nga Izraeli konfirmohet pastaj se është e kundërta, konfirmohet e kundërta e propagandës antikosovare që pretendon në opinionin masiv, se Kosova është shtet me prirje islamike. Është një argument i fortë në opinionin publik perëndimor, që, në fakt, nuk mendon gjatë, por i bie shkurt, dhe jo rrallë i ha rrenat për fiq a pjeshkë.

E dyta, sepse Izraeli është jo vetëm shtet, por edhe vend i një kombi me lidhje të çelikta të anëtarëve të tij kudo që ata ndodhen. Komunitetet e fuqishme hebre, në çdo vend të ndodhen, veçanërisht në Perëndim dihet se janë shumë sensibël ndaj politikës që ndjek vendi i tyre i adhurimit dhe “Jerusalemi Qiellor”.

E treta, sepse komuniteti hebre në të gjitha vendet e fuqishme të botës, kryesisht, ka ndikim të fuqishëm në media, shkencë, banka, financë etj. Njohja nga Izraeli e Kosovës i hap pika komunikimi me këto universe të pasurisë dhe vendimmarrjes.

E katërta, Kosova, sigurisht që tradicionalisht ka marrëdhënie shumë të mira me Turqinë, si edhe me vendet arabe. Në këtë mënyrë, me njohjen edhe nga Izraeli, Kosova do të paraqitet në imazh dhe në politikën reale si një vend e shtet normal në arenën politike botërore përtej ndarjeve myslimanë versus hebrenj, që nuk është një fushë tensionesh që të ketë arsye ta prekte atë. Dora diplomatike e Kosovës është më e çliruar sesa më parë!

Ja, këto mendoj, të dashur vëllezër kosovarë!

Të lexojmë tekstin dhe jashtëtekstin. Shtetet e sotme të Ballkanit nuk janë thjesht shtete kombëtare, por shtete kombëtare brenda një fushe influencash strukturuese aleancash ndërkombëtare. Kur Gjermania, Franca, Italia etj. e ushtrojnë sovranitetin e tyre duke u vetëkufizuar me mjeshtëri të fituar në qindra vite brenda Bashkimit Europian, mjeshtëria e shteteve ballkanike është të ushtrojnë politikën brenda dhe jashtë vendit me një sovranitet të vetëpërmbajtur, pra, të fuqishëm dhe efektiv.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura