Sigurimsat jashtë politikës, PS drejt ndryshimit të ligjit për dekriminalizimin

Aug 11, 2022 | 8:01
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Socialistët janë gati për miratimin në shtator të ndërhyrjeve ligjore për rishikimin e certifikatës së pastërtisë të çdo politikani. 

Kuvendi-debati-pd-ps

Miratimi i nismës në nisje të sesionit të ri parlamentar, e cila erdhi me kërkesën e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit u lajmërua dje nga kreu i deputetëve të PS-së, Taulant Balla. Ai paralajmëroi rishikimin e certifikatës së pastërtisë të kujtdo sipas tij që ka hyrë në politikë me përgjues në trup, si shërbëtor i Sigurimit.

“Ngjitja e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, një shërbimi sekret terrori, në të gjitha majat e piramidës shtetërore, ka bërë të domosdoshëm miratimin sa më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, në sesionin e ri që nis në shtator, të ndërhyrjeve ligjore që janë depozituar tashmë sipas propozimit të Autoritetit të Dosjeve, për të rishikuar certifikatën e pastërtisë të kujtdo që ka hyrë në politikë me përgjues në trup, si shërbëtor i Sigurimit të Shtetit”, deklaroi Balla.

Në një postim në rrjetet sociale në emër të shumicës Taulant Balla garanton po ashtu se Kuvendi i Shqipërisë do të adresojë gjatë sesionit të ri edhe situatën e papranueshme dhe absurde siç e quan të krijuar nga ana e Sali Berishës pas shpalljes “non grata” dhe nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar.

“Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të adresojë gjatë sesionit të ri edhe situatën e papranueshme dhe absurde prej një viti se si një sekretar partie i shpallur ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, vazhdon të përdhosë këtë institucion me praninë dhe gjuhën e tij.

Ne nuk ia drejtojmë dot bishtin as ‘non grata’-s as bashkëpunëtorëve, por ne nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë të keqen të vazhdojë të bëjë moral me shpresën se do të hajë kokën e vet, madje absurdi të shkojë deri aty sa këta lloj të bërtasin për drejtësi, kur janë vetë ata që kanë hesapet më të mëdha me drejtësinë dhe Shqipërinë”, shprehet Taulant Balla.

Por, për rastin e certifikatës së pastërtisë ka të depozituar nga ana e socialisteve prej fundit të Korrikut dy nismat ligjore, Balla nuk sqaron nëse edhe për rastin e politikanëve të shpallur “non grata” shumica do të ndërmarrë një nismë ligjore për të ndaluar kandidimin apo mbarimin e mandateve qoftë si të zgjedhur ashtu dhe të emëruarit në poste publike.

Por burime brenda mazhorancës bëjnë me dije se mes juristëve socialistë është duke u diskutuar ideja që të ketë një amendim të ligjit të dekriminalizimit ku të specifikohen dhe kufizimet për personat e shpallur “non grata” nga shtete aleate.

Debati për dosjet e ish-bashkëpunëtorëve u rindez, pasi Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit informoi kuvendin mbi një email të mbërritur në adresën e tij ku kërkohej të verifikohej figura Ilir Metës në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit.

Por, ish-Presidenti i ka mohuar këto akuza si lojëra politike të Edi Ramës. Paralelisht me nismën e socialistëve në Kuvend janë depozituar edhe disa nisma ligjore të grupimit të Alibeajt.

E përbashkëta e nismave të mazhorancës dhe te demokratëve që ndjekin linjën pro amerikane është qëllimi, që t’i mbyllin derën e parlamentit Sali Berishës, por edhe politikanit me inicialet I.M, i cili pretendohet se është ish-Presidenti Ilir Meta.

Debati për dosjet, çfarë synojnë PD dhe PS përmes nismave në Kuvend

Socialistët e demokratët e mbyllën sesionin parlamentare me prezantimin e dy nismave, atë për dosjet e ishSigurimit të Shtetit dhe për dekomunistizimin.

Nisma e socialistëve mori shkas nga dyshimet e hedhura nga Autoriteti i Dosjeve se Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Duke reflektuar këtë kërkesë të Autoritetit të Dosjeve, socialistët kërkojnë shfuqizimin e pikës 4 të nenit 29 të ligjit për informimin për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Nëse Autoriteti në kërkesat e dorëzuara Kuvendit në 2018, 2020 dhe në kërkesën e fundit nuk nënkupton efekte prapavepruese të ndryshimeve ligjore, socialistët duan ta përfshijnë këtë pjesë në ligj, duke detyruar të gjithë politikanët e zyrtarët që janë të pajisur me certifikata pastërtie figure që të kalojnë në filtër. E thënë më thjesht, një formë vetingu ku të pajisurit me këto certifikata duhet të provojnë që nuk kanë dosje të ish-Sigurimi i Shtetit.

PD-ja nga ana tjetër, ka sjellë në vëmendje nismën e prezantuar fillimisht që në 2018-n për dekomunistizimin e shoqërisë. Nisma, sipas Enkelejd Alibeaj jo vetëm që nuk bie ndesh me propozimin e socialistëve, por është përplotësuese me të. Si draft jozyrtar, edhe kjo nismë mund të pësojë ndryshime gjatë rrugës për miratim në Kuvend, siç kanë ndodhur shpesh në të shkuarën projektligje të ngjashme.

Megjithatë, varianti jozyrtar i PD-së është shumë më i ashpër se ai i socialistëve në ndëshkimin e bashkëpunëtorëve të komunizmit. Nëse PS-ja me propozimin e vet shënjestron vetëm punonjësit, apo bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, nisma e PD-së kërkon bërjen publike të këtyre dosjeve dhe është më e zgjeruar, duke u shtrirë efektin në të gjithë shoqërinë.

Hapi i dytë, sipas konceptit të PD-së është shtrirja e efektit të dekomunistizimit përmes arsimit dhe kulturës në vend, duke ndryshuar kurrikula, programe mësimore, e deri te ndalimi i muzikës e filmave që promovojnë propagandën komuniste. Si qëllim final nismat e PS-së dhe të PD-ja kanë ndalimin e bashkëpunëtorëve të komunizmit nga e drejta për t’u zgjedhur si përfaqësues të popullit, qoftë në nivel vendor, qoftë në nivel qendror.

Dallimi është se PS-ja synon të kushtëzojë këtë ndalim vetëm te ish-punonjësit, apo ishbashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, ndërsa PD-ja ta shtrijë edhe tek ithtarët e regjimit, apo ish-zyrtarë e funksionarë të regjimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura