Sigurimi i Shtetit, dosjet e oferta morale e letërsisë

Feb 18, 2015 | 12:51
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

  “Fjalori udhëzues për misterin e dosjeve”, romani labirint i Bashkim Shehut, kujtesën e shndërron në një eksperiment, i cili është konceptuar si proces etik. Procesi tenton përcaktimin e  identitetit të individit dhe të shoqërisë në dy rrethana kohore të ndryshme, në një kontekst historik të afërt. Autori e ndien se identiteti ynë nuk është gjë tjetër veçse një harmoni në zgrip simbolesh, gjithmonë hipotetik, i vetëpërcaktuar prej nesh në lojën alternative mes të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes.
E shkuara e ka konsumuar trajektoren e vet tragjikisht edhe mbi të, por për dikë ajo është tashmë një kujtim mundues që duhet  fshehur, për të tjerë domosdoshmëri për t’u transformuar, ndërsa  për Shehun akt rrëfimi në kuptimin kristian të fjalës. Ata që bëjnë dy punët e para, janë të shumtë, ndërsa shkrimtari është i vetëm. Një vetmi reflektive, që e shtyn drejt modelit “Fjalori Kozar” të Milorad Paviçit, duke braktisur subjektin tradicional të prozës klasike. Kështu, ai bashkon enciklopedi të vogla me referenca të kryqëzuara për të na kujtuar se ofertat e mëdha morale ende i bën letërsia. Nëpërmjet saj horizonti i një katarsisi shoqëror është potencialisht më konkret.
Nuk janë të shumta rastet në letërsi kur sapo ke kryer punë me një tekst, fiksioni të duket i vërtetë. Ky perceptim të lind pasi ke lexuar “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”, të shfaqet ai  si një tejkalim caqesh, meritë sublime e “njeriut të ri” shqiptar, ndaj duhet një fjalor për ta rrëfyer dhe jo një fabul lineare, që do të vuante pamjaftueshmërinë e saj.
Një fakt kësisoj letërsinë e vë në provën e konkurrencës me realitetin si dhe e shtie në rrugë eksperimentale. Kemi të bëjmë me një fjalor, i cili na kujton se si “origjinaliteti” kombëtar në totalitarizëm  si “cilësi qytetërimore” apo si mungesë e këtij lloji i bashkëngjitet universales dhe se si kjo e fundit përsërit ligjësitë e saj kur bëhet fjalë për tiraninë, lirinë dhe njeriun. Thjesht kupola e diktaturës shqiptare, gjithashtu objekt fiksioni në këtë libër, bëhet e përveçme në këto ligjësi për detaje, siç është egërsia primitive, pasojë e moskultivimit të humanizmit, duke mos krijuar hapësira qetësie, pra ku mbaron dhuna, fillon po dhuna.
Personazhet e “Fjalorit”, Naum Gjika, Festim Diamanti, gazetari  Romeo G., Enver Hoxha, Sozia e tij, pasardhësi, organizata si  Sigurimi i Shtetit, KGB, Këshilli nokturn dhe fenomenet shqiptare të shpjeguara në dialektikën e tyre janë pikërisht ata që na i “ngatërrojnë” dhe davarisin bindjet, qartësitë dhe konfuzionin si një lojë me pasqyra, duke na krijuar iluzionin se letërsia qenkesh histori dhe historia letërsi.
Na krijohet ky përftim nga fakti se këto personazhe janë mes nesh çdo ditë, janë njëri prej nesh, janë këtu, jemi ne, janë shkrimtarë, kritikë, gazetarë, ish-hierarkë të Sigurimit të Shtetit, intelektualë e punëtorë, sot politikanë e biznesmenë që shfaqemi e fshihemi me ritmin e memories, të fajit, të nevojës, ambicies, mirëqenies dhe karrierës, duke mbjellë konfuzion mes kohësh dhe brezash me një pakt solemn të sakrifikimit të së vërtetës, kategori etike që letërsia e propozon duke manipuluar nëpërmjet fiksionit. Bashkim Shehun, të cilin erërat e Eolit e kanë hedhur ndërmjet skajesh dhe pasi në libra të ndryshëm ka rrëfyer segmente të këtij fluturimi, gjykon se duhet bërë një përpjekje për rrëfimin e madh, ndaj një diskurs multitematik si ky i tekstit të tij, veçse nëpërmjet një fjalori mund të përballohej.  
Bërthama të vogla tregimtarie, të pavarura që mund të bashkohen nga intuita dhe mund të bëjnë jetë të vetmuar po prej saj, i lejojnë ta shtrijë dhe ngushtojë sa të dojë gjeografinë e  perceptimit, e lejojnë gjithashtu ta përdorë historinë si një rrëfim funksional, e lejojnë atë të tregojë gjithë ç’di dhe ai nuk di pak!
Ai ka parë nga afër rrudhat e trurit të diktaturës dhe transformimin e qenieve njerëzore në kthinat e tij. Këta njerëz ai i ka parë edhe në liri, të njëjtët të njëjtë, të vërtetët të vërtetë, të transformuarit të transformuar, dëshmitarët dëshmitarë, viktimat viktima dhe të gjithë në vendet e veta sikur asgjë të mos paskësh ndodhur, të lidhur përmes një labirinti dosjesh. E di, Bashkim Shehu mund të jetë i lodhur nga gjykime sociologjike, por libri që na ka mbledhur sot, revokon statusin e tij si dëshmitar që rrëfen amzën e dy njësive kohore, statusin e tij si shkrimtar, që shquhet për akte morale dhe për moralin e shkrimit.
Njeriu shndërrohet në dosje dhe dosja është sozia e njeriut dhe gjithë kjo nga nevoja e totalitarizmit për ta dominuar atë.   Imagjinoni një shoqëri që komunikon përmes dosjesh, d.m.th.  imagjinoni Shqipërinë e arkivit në dy kohë, e cila nga reale ia ka dalë të shndërrohet në surreale, d.m.th. reale në dosje dhe surreale në përditshmëri. Një Shqipëri që padit tjetrën, domethënë vetveten e rënë në kurthin pervers të mekanizmit totalitar. Sa e kemi rënduar dhe kursyer njëri-tjetrin, sa fuqi kemi pasur të kërkojmë sakrificën në emër të ndershmërisë dhe të mirës!? A janë të fajshëm dhe sa të gjithë fajtorët? A ka hierarki virtyti në plojën e madhe morale ku na kanë përfshirë dosjet?! Sa të kursyer dhe të përfshirë kemi qenë në jetën e tjetrit!? A kemi fuqi morale të kërkojmë falje me zë apo në heshtje!? Urrejtja a e ka mundur dashurinë njerëzore, vjen si pyetje e fundme.
E tashmja e ngritur mbi ato dosje dhe e shërbyer prej tyre sa e pavërtetë është, sa tension psikologjik, sa shantazh prodhon dhe mbi të gjitha sa paqe të rreme, themeluar mbi fajin kolektiv dhe individual si ndërthurje nevojash për të ruajtur fasadën e një humanizmi të rremë.
Na ka bërë kureshtarë me shumëçka shkrimtari, me bashkimin në një temë të aktualitetit dhe historisë në emër të identitetit me të cilin i afrohemi të nesërmes, me të kuptuarit e fuqisë prapaveprues të së keqes, me dëshirën për të shpjeguar ose rrëfyer misterin, me surprizën kompozicionale, por më shumë me përmasën etike të veprës së tij, e cila personalisht me pulson në ndërgjegje si thirrje për katarsis, për ndarje me të shkuarën nëpërmjet hapjes së dosjeve, përballimit të së vërtetës pa të cilën mbetemi hipokritë dhe të manipulueshëm e si të tillë fatkeqë të pakrahasueshëm. Kur të dalim nga dosjet si individë dhe shoqëri ndoshta edhe kokulur, atëherë jemi më në fund të lirë. Liria mbetet një aspiratë e letërsisë, po aq sa dinjiteti njerëzor. Me këtë libër Bashkim Shehu e ka bërë betejën e tij për të dyja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura