Sigurimet, nis fshirja e gjobave për bizneset

Jul 31, 2015 | 11:19
SHPËRNDAJE

Tatimet nisin sot fshirjen e gjobave nga sistemi për bizneset që kanë deklaruar me vonesë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Ligji i miratuar në qeveri dhe që kaloi më pas gjithë hallkat e tjera të miratimit hyn në fuqi sot, duke u hapur “dritën e gjelbër” Tatimeve për të bërë efektive heqjen e gjobës.

Drejtoresha e Tatimeve Shehaj dhe Kryeministri Rama
Drejtoresha e Tatimeve Shehaj dhe Kryeministri Rama

Nga kjo nismë përfitojnë të gjitha subjektet që u është evidentuar një situatë e tillë deri më 31 dhjetor 2014. Gjithsesi, që bizneset të përfitojnë, duhet të kenë shlyer pjesën e detyrimit të papaguar brenda shtatorit të këtij viti.

PROCEDURA
Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve thanë për gazetën se tashmë ka një grup pune që po punon për evidentimin e listës së plotë të subjekteve që përfitojnë nga vendimi i qeverisë. Ky grup do të nxjerrë në fund edhe detyrimin që falet ndaj bizneseve që janë pjesë e kësaj faljeje. Deri më tani nuk ka një numër të saktë të bizneseve apo vlerës që do të falet, pasi kjo do të bëhet në fund pas përfundimit të procedurës. Për momentin, fshirja do të jetë graduale dhe e shtirë në harkun e tre muajve, ashtu sikurse e përcakton edhe ligji.

Në vazhdimësi të kësaj, nga ana e administratës tatimore do të publikohen në mënyrë periodike të gjitha ato subjekte që përfitojnë. Këtë e përcakton saktësisht neni 3 i ligjit. “Listat e subjekteve përfituese dhe vlera e gjobave përkatëse publikohen, brenda 3 muajve, në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, thuhet në ligj.

LIGJI
“Falen, në masën 100 për qind, gjobat e lidhura me kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat janë evidentuar deri më 31 dhjetor 2014, në zbatim të neneve 113, ‘Mosdeklarimi në afat’, pavarësisht vlerës së detyrimit, dhe 114, ‘Mospagimi në afat i detyrimit tatimor apo i kontributit’, të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, për subjektet juridike dhe fizike, kur kontributi dhe kamatëvonesa është paguar plotësisht deri në datën 30 shtator 2015″, përcakton ligji. Po kështu, në të përfshihen edhe të gjitha gjobat që janë në proces apelimi administrativ apo proces gjyqësor që sipas ligjit falen njëlloj, sikurse pjesa tjetër që nuk figurojnë të paguara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura