Siguria kombëtare, përballë sigurisë politike

May 2, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE

alban-zeneliALBAN ZENELI

Situata e sigurisë në rajon dhe brenda Aleancës pas sulmeve të ISIS në Turqi, Francë dhe Belgjikë është e përkeqësuar dhe kërcënuese. Kjo ka bërë që shumë liderë të vendeve anëtare të NATO-s dhe të tjerë të jenë më të vëmendshëm ndaj reformave në fushën e sigurisë dhe në institucionet e sigurisë, duke i mbështetur dhe financuar më shumë.

E kundërta ka ndodhur me Shqipërinë, ku qeveria ka ulur buxhetin e shtetit për Forcat e Armatosura në nivelin skandaloz nën 1 për qind, duke i radhitur Forcat tona të Armatosura të fundit në rajon për sa u përket pagave dhe trajtimeve të tjera financiare. E njëjta gjë ndodh dhe me shërbimin informativ kombëtar, ku buxheti i institucionit nuk përmbush prioritetet e vendit tonë përballë këtij kërcënimi të shtuar.

Vendi ynë është i ekspozuar përballë terrorizmit, pasi merr pjesë aktive në aleancën kundërterror në Afganistan, si dhe ka një numër të konsiderueshëm luftëtarësh xhihadistë në ISIS. Këta luftëtarë të radikalizuar mund të kthehen dhe ta vazhdojnë luftën e tyre në trojet shqiptare, siç edhe janë shprehur publikisht. Ka gjithashtu edhe një proces gjyqësor në vazhdim kundër grupit të imamëve të akuzuar për mbështetje dhe rekrutim për llogari të ISIS.

Qeveria shqiptare është e pavëmendshme ndaj këtij kërcënimi në rritje dhe nuk bën asgjë për të ulur këta faktorë të riskut, por kujdeset për imazhin dhe makijazhin përballë opinionit, kryesisht ndërkombëtar. Vizita e kortezisë në SHBA dhe takimi me Presidentin Obama përpiqet të tregohet si sukses, ku nuk është gjë tjetër veçse një rutinë takimesh të një presidenti në largim, i cili nuk premton dhe nuk ka asnjë mundësi për të diskutuar për të ardhmen e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA.

Presidenti Obama falënderon Shqipërinë për mbështetjen në luftën kundër terrorizmit, e cila ka më shumë se 10 vjet që ka filluar. Kryeministri Rama nuk ka bërë asgjë konkrete për të përditësuar angazhimin tonë kundër radikalizmit islamik, por për të fituar kredo politike përballë aleatëve strategjikë pa asnjë konsultim me institucionet e sigurisë premton se do të strehojë në Shqipëri mbi 3 mijë opozitarë iranianë, kundërshtarë të regjimit.

Të pranosh 3000 luftëtarë iranianë në vendin tonë, të vogël dhe të varfër, me institucione të sigurisë të mbushur me militantë dhe të kriminalizuar (sipas informacioneve të publikuara), është më shumë se i pamenduar. Kryeministrit Rama nuk i intereson çfarë mund të ndodhë nesër, ai mjaftohet me faktin që sot po jep një kontribut në krah të aleatëve amerikanë. Rama nuk e mbështet këtë iniciativë me reformim të thellë, të studiuar dhe cilë- sor të institucioneve të sigurisë, por vetëm në rritjen e sigurisë së tij politike në sy të ndërkombëtarëve.

Irani i konsideron muxhahedinët opozitarë terroristë, armiq potencialë të regjimit, që kërkojnë ta rrëzojnë atë. Nuk përjashtohet mundësia që ata të jenë objekt i akteve subversive nga Shërbimet Sekrete iraniane. Shërbimet tona të antiterrorizmit janë njoftuar vitin e kaluar nga shërbimet sekrete të vendeve partnere, që në Shqipëri kishin hyrë dy gra, të njohura si ekzekutore, për të ekzekutuar drejtues të grupit të muxhahedinëve që strehohen në Shqipëri.

Misioni i tyre u dekonspirua dhe ato dolën nga territori shqiptar. Të eksportosh drejt Europës më shumë se 3 mijë refugjatë të dëshpëruar shqiptarë në vit dhe ta “popullosh” Shqipërinë me iranianë, qoftë edhe miqë- sorë, përsëri është pa logjikë dhe pa sens. Të marrësh iniciativa pa u konsultuar me institucionet e sigurisë, të cilat do të kenë peshën kryesore në përballimin e këtij angazhimi, nuk është profesionale.

Pranimi i rreth 3 mijë anëtarëve të “Muxhahedine Khalk” në Shqipëri, si të përndjekur nga regjimi i Teheranit, është një akt bamirësie dhe ndikon në forcimin e miqësisë mes SHBA-ve dhe vendit tonë. Nga ana tjetër, numri i madh i tyre e bën gati të pamundur kontrollin, vëzhgimin, monitorimin e eksponentëve të rrezikshëm të këtij grupi, pasi dihen mundësitë reale dhe niveli i institucioneve të sigurisë në Shqipëri si Policia, SHISH dhe AISM.

Numri i madh i grupit “Muxhahedine Khalk”, që pritet të vijë në vazhdimësi, është thellësisht i radikalizuar dhe vija e ndarjes me shtetin dhe eksponentët e ISIS në Shqipëri është shumë e hollë. Mjafton vetëm 10% (300 veta) e tyre të jenë të lidhur me ekstremistët ISIS në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni? mund të krijojë cenim serioz të sigurisë dhe rendit publik në Shqipëri.

Kemi pasur një rast konkret para 4 vjetësh, ku një egjiptian azilant, ish-burgosur i Guantanamos i strehuar në Shqipëri, gjatë një takimi të NATO-s organizuar në “Sheraton”, humbet nga vëzhgimi i SHISH. Për herë të fundit ishte parë afër hotelit ku zhvillohej takimi me përfaqësues të NATO-s, SHBAve dhe Shqipërisë. Situata u bë alarmante dhe u mendua të ndërpritej takimi dhe të evakuohej hoteli. SHISH pranoi se humbi nga vëzhgimi egjiptianin dhe sugjeroi masën ekstreme të evakuimit… Për fat të mirë, brenda 13 minutash situata u zgjidh dhe subjekti u mor përsëri në vëzhgim.

Pyetja shtrohet: A i kemi kapacitetet të SHSH, Policia dhe AISM për të monitoruar një grup kaq të madh? A ka një plan të qartë detyrash, ndarje përgjegjësish dhe burime të mjaftueshme të këtyre agjencive tona? Unë mendoj se është e vështirë me këtë sasi dhe me këtë cilësi personeli që këto struktura kanë. Përveç kësaj, Irani ka filluar fushatën për manipulimin e situatës në Shqipëri lidhur me strehimin e “Muxhahedine Khalk”.

Iranianët kanë qëllim vërtetimin e teorisë së tyre, pasi e quan këtë grup terrorist të pastër dhe jo opozitë. Irani është një shtet i madh totalitar islamik dhe që investon shumë në gardën revolucionare dhe shërbimet sekrete, çfarë më bën të gjykoj se iranianet nuk do të rrinë duarkryq përballë kësaj sfide që i bën Shqipëria. Ata do të përdorin burimet e tyre për ta transformuar situatën në favor të tyre.

Deri tani, shërbimet sekrete iraniane kanë burimet e tyre dhe dinë me saktësi ku ndodhen dhe çfarë bëjnë këta refugjatë në Shqipëri. Irani ka botuar në shtypin e tyre zyrtar foto të banesave dhe vendndodhjeve të tjera të këtyre personave. Iranianët për arsye të krenarisë së tyre kombëtare do të përpiqen ta sabotojnë këtë proces për të vërtetuar teorinë e tyre të grupit terrorist.

Në Tiranë dhe Kosovë ka kolegje të sponsorizuara nga Ambasada Iraniane (vajzash dhe djemsh), si dhe deri tani është një numër i konsiderueshëm që kanë studiuar në Iran në degë të ndryshme dhe punojnë në sektorë të ndryshëm në Shqipëri. Disa nga këta ish-studentë iranianë kanë marrë influencat, si dhe pse jo, disa prej tyre janë të rekrutuar nga Shërbimet Sekrete iraniane.

Të mendosh ndryshe, është naivitet. Përzierja dhe miksimi i grupeve dhe personave të ndryshëm me origjinë nga Irani, dhe shqiptarë simpatizantë të Iranit, do ta bënte situatën jo të thjeshtë për t’u menaxhuar. Këta eksponentë do të kërkojnë të kenë objektet e tyre të kultit, xhamitë ku të falen, të cilat do t’i rrisin kontaktet dhe mundësinë për të bashkëpunuar me radikalët e brendshëm. Me këtë dua atë them që situata me këta opozitarë iranianë është më komplekse seç paraqitet dhe duhet merret shumë seriozisht.

Kjo nuk është aspak një emergjencë humanitare, është plotësisht situatë që ka lidhje me sigurinë kombëtare. Përveç kësaj, kohëve të fundit burimet mediatike kanë bërë të ditur se po bëhen përpjekje të mëdha që në Shqipëri të transferohen edhe disa pjesëtarë të grupit terrorist “Muxhahedine Khalk” që janë të përndjekur edhe nga Interpoli.

Disa prej tyre janë persona shumë të afërt me Masud Raxhafi, kreun e grupit terrorist “Muxhahedine Khalk”: 1. Fatemeh Vatankhah Rahmanie, njohur me nofkën “Sima Vatankhah. Ajo është shefja e gardës së sigurisë së Masud Raxhafi. 2. “Zhaleh Mahram Nia, anëtare e zyrës së Masud Raxhavi. 3. “Roqaieh Abbasi”, e njohur me nofkën “Raana”. Nëse edhe këta eksponentë terroristë do të vijnë në Shqipëri dhe nuk do të mund të kontrollohen, atëherë ata do të bëjnë atë çfarë dinë më mirë, biznesin e tyre që është “terrori”.

*Deputet, Anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura