Siguria kombëtare dhe vrasja e ekstremistit në Bularat

Oct 31, 2018 | 11:28
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO*

Ngjarja e ndodhur në fsha tin Bularat të Gjirokastrës, ku forcat policore RENEA vranë një shtetas shqiptaro-grek, është tashmë e njohur nga opinioni publik i të dy vendeve. Fill pas saj, ndërmjet tyre kanë filluar replikat dhe kundërreplikat e niveleve më të larta. Tensioni është rritur, aq sa mediat njoftojnë se qeveria greke ka rritur forcat e sigurisë në ambasadën dhe konsullatat shqiptare në Greqi. Në të gjitha mediat, personi i vrarë paraqitet me profilin e një ekstremisti të ashtuquajtur “vorio-epirot”.

pellumb nako

Në fakt, po të kthejmë kokën pas, ngjarje apo personazhe të tilla kanë ndjekur njëra-tjetrën. Kanë ndodhur edhe më parë. Me përmasa të ndryshme. Ndërkohë, organet tona kompetente të sigurisë reagojnë kur ndodh incidenti dhe pak punojnë të marrin disa masa parandaluese. Të punojnë në mënyrë ritmike, në vazhdimësi. Madje, edhe duke bashkëpunuar me shtetin grek. Kjo gjë do të eliminonte ose të paktën do të reduktonte mundësitë e incidenteve. Elementët ekstremistë të këtij lloji vazhdojnë të jenë aktivë. Kjo nuk është e re. Edhe në nivele më të larta. Kujtojmë këtu disa deklarime të një politikani grek të Agimit të Artë, dhënë medias shqiptare disa kohë më parë, me qëndrime ekstremiste dhe pretenduese ndaj sovranitetit të vendit tonë. Madje, pas ngjarjes së fundit, në vendin fqinj janë raportuar edhe grumbullime të tyre me parulla dhe simbole që tashmë njihen.

Ka një fakt që mbetet thuajse i pandryshuar. Në çdo aktivitet të lidhur me shtetin grek dhe të zhvilluar në territorin e minoritetit të tyre në vendit tonë, përveç frymës dhe pjesëmarrjes paqësore e dashamirëse nga qytetarë e personalitete të të dy vendeve, ka pasur edhe individë, të cilët kanë tentuar ose kanë mundur të depërtojnë duke krijuar trazira. Edhe në raste zgjedhjesh. Ata përbëjnë rrezik për të dy vendet. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur ekstremistët e shtetit fqinj janë përpjekur të hyjnë edhe në formë të organizuar në Shqipëri, por nuk janë lejuar nga vetë Policia greke, duke u kthyer mbrapsht.

Ngjarje të tilla si në Bularat duhen parandaluar maksimalisht. Vërtet personi në fjalë ishte banor i fshatit, por në media u raportua se ai mbështetej nga një grup individësh, po ashtu ekstremistë, të cilët Policia e vendit tonë fillimisht i bllokoi, pastaj i lejoi të hyjnë. Të paktën kjo gjë u deklarua edhe nga ndonjë kryetar partie. Pra, bëhet fjalë për individë të tjerë të së njëjtës markë, që kanë mundur të hyjnë në territorin e vendit tonë në mënyrë të rregullt. Shteti shqiptar dhe organet e tij kompetente duhet të shfrytëzojnë të gjitha hapësirat që u jep legjislacioni kombëtar për të mundësuar pikërisht parandalimin e ngjarjeve të tilla, që çojnë jo vetëm në acarime ndërmjet dy vendeve, por edhe krijojnë rreziqe në fushën e sigurisë publike e kombëtare. Legjislacioni i vendit tonë i ka hapësirat e duhura. Madje, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Ajo që mungon është koordinimi dhe vullneti i institucioneve të sigurisë për të punuar së bashku dhe sistematikisht. Për të punuar me veprime afatgjata dhe jo vetëm me reagime pasi ngjarja ka ndodhur.

Nëse do të shihnim shtetin grek në këtë drejtim, secili prej nesh, ndër të tjera, do të kujtonte faktin e njohur se një numër shtetasish shqiptarë me origjinë çame nuk lejohen të hyjnë në territorin grek. Pra, bëhet fjalë për një kategori që nuk lejohet të hyjë dhe jo që prapësohet në kufi si rrjedhim i mangësive të ndryshme në përmbushje të detyrimeve për të hyrë ne zonën Shengen. Motivacioni për të cilin u ndalohet hyrja është se “përbëjnë rrezik për rendin publik” të vendit fqinj. Nuk mund të gjykoj se sa këta individë përbëjnë rrezik për shtetin grek, as se sa të drejtë kanë autoritetet e këtij shteti për individë me origjinë çame të konsideruar si të tillë. As se sa është numri i tyre. Por thelbi mbetet në çmimin e autoriteteve të sigurisë kombëtare të shtetit fqinj dhe ata kanë motivet e tyre për ta konsideruar një shqiptar me origjinë çame si “rrezik për rendin publik” ose jo. Çështje sovraniteti. Veprimi në fjalë ka të bëjë me veprimtarë nga shtetit shqiptar me orgjinë çame, që militojnë për problemin e njohur nga publiku si “çështja çame”. Në këtë kontekst, organet kompetente të shtetit fqinj, me rrugët dhe mënyrat e tyre e kanë identifikuar këtë grup personash dhe nuk kanë dëshirë t’i lejojnë për të hyrë në territorin e vendit të tyre. E gjitha kjo, nëpërmjet një procedure administrative kombëtare të centralizuar. Çdo individ shqyrtohet rast pas rasti dhe për secilin merret një vendim, i cili e shpall “non grata”. Në këtë mënyrë, personi nuk lejohet të hyjë në territorin grek. Ky vendim nuk merret as nga polici i thjeshtë në pikat kufitare e as nga drejtoritë policore në kufi me Shqipërinë. Personat identifikohen në bashkëpunim edhe me organe të tjera të sigurisë. Vendimi merret në Athinë dhe emrat e tyre futen në sistemet informatike të kontrollit kufitar njëlloj si kategoritë apo sinjalizimet e tjera. Duhet kuptuar qartë se kjo procedurë nuk ka të bëjë me ata shtetas shqiptarë emigrantë që kanë thyer rregullat e qëndrimit në Greqi e më pas nuk lejohen të hyjnë. Kjo është tjetër gjë. Personave, të cilëve u ndalohet hyrja me motivacionin e mësipërm, mund të mos kenë shkelur ndonjëherë në shtetin fqinj.

Po vendi ynë? E ushtron ai këtë të drejtë? Jo!!! Thuajse aspak. Në sistemin informatik të kontrollit kufitar të vendit tonë numërohen me gishta personat, të cilëve nuk u lejohet hyrja si të padëshirueshëm, me motivin se përbëjnë rrezik për sigurinë e tij. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për reciprocitet. Por thjesht zbatimi i një ligji që ekziston dhe në mbrojtje të sigurisë kombëtare e publike të vendit tonë. Është mëse normale se për të gjithë shtetasit grekë dhe të shtetësive të tjera ( dhe të tillë ka me shumicë në vendet tona fqinje), të cilët shprehin hapur dhe direkt tendencat e tyre ekstremiste në drejtim të sovranitetit të shtetit shqiptar, ky i fundit duhet të aktivizojë gjithë mekanizmat që ka në dispozicion për t’i evidentuar. Dhe për secilin syresh të marrë vendimin për të mos e lejuar të hyjnë në territorin shqiptar. Është edhe çështje e dinjitetit të shtetit, edhe çështje e sigurisë së tij. Ligji “Për shtetasit e huaj në Republikën e Shqipërisë” i parashikon raste të tilla. Madje, ekzistojnë edhe procedurat administrative në zbatim të tij, ku paraqiten të tria institucionet që duhet të punojnë së bashku.( Ky rekomandim është cituar edhe në një shkrim të mëparshëm). Në rast se kjo procedurë do të ishte kryer, ndonjë nga personat që shoqëronte ekstremistin nga Bularati do të ishte evidentuar si rrezik që përpara se të hynte në kufi dhe organet e tjera të sigurisë në territor do të kishin marrë masat e duhura që ngjarja të mos ndodhte. Ndoshta edhe nuk do të ishte e mundur, por puna parandaluese e imët duhet kryer. Organet tona duhet të kryejnë një punë milingonash që me durim, disiplinë, çdo ditë të mbledhin informacion për individë apo persona të huaj që përbëjnë rrezik për sigurinë e tij. T’i evidentojnë në sistemet informatike të kontrollit kufitar të vendit, në mënyrë që rreziku të parandalohet para hyrjes në territor. Ose të paktën të minimizohet. Madje në të tilla raste, edhe shteti fqinj do të ndihej më i sigurt.

Gjëra të tilla nuk mund të lihen në gjykimin e një punonjësi policie në kufi dhe më pas të ndodhemi përballë situatash që askush me mendje normale nuk dëshiron të ndodhin në të dy anët e kufirit. *Ish-drejtor në Policinë e Shtetit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura