“Siguria” e fëmijëve dhe shkelja e lirisë së tyre

SHPËRNDAJE

AV. DENISA DAKA/ AV. DENISA DAKANëse keni planifikuar të dërgoni fëmijët jashtë vendit te të afërmit tuaj, për  pushime apo në kampe verore, Policia Kufitare do t’ua ndalojë qarkullimin edhe nëse janë të pajisur me prokurë të posaçme”.

Është ky një lajm i publikuar në mediat vizive para pak kohësh, i cili penalizon çdo ditë dhjetëra fëmijë… Përmes mediave është njoftuar sërish, se dhjetëra fëmijë nga e gjithë Shqipëria po kthehen ditë pas dite nga të gjitha pikat kufitare pas çdo kontrolli rutinë, pasi një urdhër i Ministrisë së Brendshme, i papublikuar dhe i panjohur nga askush, i detyron të gjithë fëmijët të “djegin” pushimet, kurset verore, shkollat e gjuhës, mundësinë për t’u takuar me njërin nga prindërit apo me të afërmit e tyre jashtë vendit, duke djegur sakaq padrejtësisht dhe një pjesë të buxhetit të familjeve të tyre, përpos dramës që ky akt i shkakton secilit.

“Për shkak të masave që organet kompetente po marrin kundër azilkërkimit në vendet e Bashkimit Europian”, vijon të sqarohet në këtë urdhër..

Një urdhër, që sjell çdo ditë konfuzion e penalizon çdo ditë dhjetëra fëmijë, të cilët duhet për arsye të ndryshme të lëvizin jashtë vendit..

Një urdhër që nuk zgjidh “problematikën” kurrsesi, por vë në lëvizje prindërit e gjithë të interesuarit, të gjejnë forma e mënyra për të kaluar fëmijët jashtë kufirit, duke rritur pse jo edhe mundësinë për korrupsion.

E, në fakt, disa fëmijë “ia dalin” të kalojnë matanë kufirit, ndërsa shumë të tjerë jo..

Veç pak minuta përpara fluturimit, në mënyrë të përciptë e shpesh të paqartë, personat përgjegjës në pikat kufitare u sqarojnë fëmijëve dhe personave që i shoqërojnë “arsyet” e kthimit të tyre..

Padrejtësisht është vendosur të penalizohen fëmijë që janë të detyruar nga dhjetëra rrethana të mos lëvizin jashtë vendit me prindërit, shpesh edhe pa të afërm, nga një urdhër, i cili rezulton i pakonsultuar me grupet e interesit apo me profesionistë të fushës këtu, i cili nuk ofron asnjë zgjidhje, përkundrazi..

Nuk mësoi askush nga të interesuarit në u krye apo jo një studim për këtë shkak dhe çfarë elementesh rezultuan të dëmshëm paskëtaj?

Si rezultuan të provuara rastet e braktisjes pas studimit, me shoqërues familjarë apo më të tjerë shoqërues?

A solli ndryshime ky kufizim apo nuk u mor më njeri me këtë pjesë pas daljes së këtij urdhri..

A ia vlejti në fakt të penalizoheshin dhjetëra fëmijë e familje njëherësh për këtë shkak apo pati e solli më shumë manovra e korrupsion sesa rezultat?

Solli ndryshim ky penalizim apo më shumë konfuzion e ngatërresa sesa zgjidhje të mirëfilltë.. Këtë nuk e thotë askush, për fatin tonë të keq.. Pse nuk u vlerësua në këtë rast edhe dëshira dhe vullneti i fëmijëve lidhur me shoqëruesin apo në rastet kur ai nuk pranon të udhëtojë me të afërmit?

Po në rastet kur fëmija, për arsye shëndetësore apo për shkak të aktiviteteve të ndryshme, duhet të udhëtojë doemos jashtë vendit, duhet kufizuar rishtas se pse nuk shoqërohet me të afërm???

A mund të penalizohen në këtë formë qindra fëmijë, që për dhjetëra arsye nuk mund të udhëtojnë me prindërit apo me afërmit jashtë vendit??

Si mund të dënosh këtë kategori fëmijësh, të mos pushojë, të shkollohet apo të vizitojë të afërmit në çdo rast, vetëm për faktin se prindërit e tyre për dhjetëra arsye nuk mund t’i shoqërojnë..

Është fare e lehtë të vendosesh në Kodin Penal sanksione të rrepta për këto raste, për prindërit dhe shoqëruesit e fëmijëve, në çdo rast të konstatimit të shpërdorimit të këtyre të drejtave, por kurrsesi të pengosh lëvizjen e lirë..

Kufizimi i lëvizjes së lirë të fëmijëve është vendosur në këtë rast, duke cenuar standardet bazë të lëvizjes së lirë, përfshi këtu dhe të drejtat e fëmijëve si dhe të përfaqësuesve ligjorë apo familjeve kujdestare të tyre, duke u mohuar këtyre të fundit në mënyrë arbitrare aksesin dhe të drejtën që u njeh ligji, për të vepruar brenda tagrave përkatëse, në emër dhe për llogari të fëmijëve, çka do të thotë që prindi kufizohet në këtë rast padrejtësisht të zgjedhë shoqëruesin e fëmijës, pasi këtë e vendos shteti

Lëvizja e fëmijëve jashtë vendit bëhet e mundur në çdo rast veç me marrëveshjen e dy prindërve (me një deklaratë të posaçme, redaktuar përpara noterit) e në mungesë të saj apo arsye të posaçme apo specifike, me vendim të posaçëm gjykate.

Ne këtë kontekst, dhjetëra dispozita në ligjet respektive, normojnë dhe garantojnë të drejtat e fëmijëve të inkorporuara në akte të rëndësishme, si K. Civil, K. Penal, K. Familjes si dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, akti themeltar i shtetit, i cili adreson gjithashtu orientime bazë për çështje që kanë lidhje me fëmijët dhe kujdestarët ligjorë të tyre, ndërsa të gjitha këto norma së bashku, unifikojnë rregulla bazë më qellim garancitë gjithëpërfshirëse në aspektin e mbrojtjes së të drejtave eksplicite të fëmijëve, duke normuar në mënyrë të drejtpërdrejtë sakaq dhe detyrimet përkatëse të prindërve dhe organeve kompetente këtu.

Legjislacioni shqiptar si dhe aktet e ratifikuara nga Republika e Shqipërisë ofrojnë garanci të mjaftueshme për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve si dhe orientojnë njëkohësisht qartazi e pa ekuivoke mekanizmat përgjegjëse, për garantimin dhe realizimin me efektivitet dhe efikasitet të shërbimeve në favor të fëmijëve, bazuar në interesin me të lartë të tyre.

Lëvizja e lirë e fëmijëve është në diskrecionin absolut të prindërve apo familjeve kujdestare, ndërsa veç këta të fundit kanë të drejtën dhe autoritetin, sipas ligjit, për shkak të besimit apo mundësive, të zgjedhin shoqëruesin me të mirë apo të besuar për fëmijët e tyre, në të gjitha rastet kur këta të fundit nuk mund t’i shoqërojnë vetë fëmijët e tyre jashtë vendit, duke qenë përgjegjës njëkohësisht për çdo veprim të marrë në kundërshtim me ligjin dhe interesat parësore të fëmijëve.

Vëllezërit apo motrat si dhe të afërmit e prindërve të fëmijëve, nuk mund të jenë kurrsesi përveç të tjerave, alternative e vetme për të shoqëruar fëmijët, sa herë këtyre të fundit u duhet të lëvizin jashtë vendit.

Persona të afërt të secilit prej nesh, motra a vëllezër, apo shumë syresh, jetojnë e punojnë jashtë vendit, ndërsa të tjerë që jetojnë këtu, kanë në çdo rast angazhimet e tyre familjare e profesionale, të cilat nuk u mundësojnë të gjithëve bashke të shoqërojnë në kohën e duhur, fëmijëve tanë, jashtë vendit.

Personat e zgjedhur nga prindërit si shoqërues të fëmijëve, për të mundësuar lëvizjen e tyre jashtë vendit, janë përveçse e drejtë legjitime e tyre, edhe alternativa apo zgjedhja e duhur, referuar mundësive reale të secilit.

Lëvizja e lirë konsiderohet një e drejtë themelore e fëmijëve gjithashtu, ndërsa lehtësimi i masave përkatëse në këtë kontekst, duhet të jetë prioritet i të gjithë strukturave përgjegjëse këtu.

Bashkimi Europian ka përcaktuar qartazi detyrimet e të drejtat lidhur me lëvizjen e lirë brenda shteteve përkatëse e në këtë kontekst e drejta e çdo fëmijë për të lëvizur në zonën Shengen, nuk duhet kurrsesi të bjerë ndesh me shkeljen e çdo norme në përputhje me ligjin apo standardeve të përcaktuara për këtë qëllim.

Kodifikimi i të drejtave në aktet përkatëse lidhur me të drejtat e fëmijëve, të cilat përfaqësojnë në çdo rast interesin më të lartë të tyre, krijon në çdo rast, me nxjerrjen e urdhrave të tillë, precedentë të papranueshëm.

Zbatimi efektiv i ligjit në kontekstin ë garantimit dhe trajtimit të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët, është domosdoshmëri e kahershme për ndërtimin ë një demokracie të konsoliduar.

Urdhra të tillë, përveçse minojnë besimin e qytetarëve tek institucionet, i mohojnë dhe secilit prej nesh dobinë e vendimeve apo shërbimeve të duhura, duke rritur dhe shansin për korrupsion në raste të caktuara.

Fuqizimi i strukturave të Policisë së Shtetit në fushën e hetimit dhe informimit me qëllim rritjen e kontrollit mbi territorin dhe qytetarët e këtij vendi, përfshi këtu dhe fëmijët, mund të kryhet lehtësisht nëpërmjet veprimeve efikase, të cilat rrisin aftësitë parandaluese dhe goditëse ndaj krimit dhe rritjen e sigurisë këtu, ndërsa përmirësimi i jetës se qytetarëve të këtij vendi sigurohet nëpërmjet proceseve efikase të garantuara nga ligji, të cilat sjellin, përveç të tjerave, një garanci të besueshme në përballjen me faktorët e rrezikut këtu.

Përpos zbatimit të ligjeve në mënyrë korrekte e koherente, organet kompetente duhet të shohin si prioritet dhe të drejtën e informimit dhe konsultimit publik për akte të veçanta në kohen e duhur, për të gjitha aktet apo urdhrat që prekin drejtpërsëdrejti qytetarët a grupet e interesit, duke i dhënë mundësinë secilit individ apo grup, të japë mendimin apo gjykimin e tij, për akte që normojnë apo prekin marrëdhënie të caktuara.

Për këtë qellim, forcimi dhe evidentimi i mbrojtjes së të drejtave themelore të shtetasve këtu, në dritën e parimeve kushtetuese dhe konventës europiane “Për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore Njeriut”, si dhe garantimi i këtyre të drejtave në formën dhe mënyrën e duhur nga strukturat ligjzbatuese e ligjvënëse në favor të qytetarëve, duhet të konsiderohet në çdo rast përgjegjësi dhe detyrë parësore e tyre.

Duke përcjellë një reagim qytetar në këtë rast, shpresoj zgjidhjen e duhur të situatës nga ana e organeve kompetente, duke u bërë e mundur rishtas lëvizja e lirë ë fëmijëve jashtë vendit, sipas standardeve të përcaktuara nga ligji.

Ndërsa popujt e Europës, në krijimin e një bashkimi mes tyre janë të vendosur të ndajnë mes tyre një të ardhme paqësore të bazuar në vlera të përbashkëta të lirisë, barazisë e parimeve të demokracisë, ne jemi vite drite larg… më shume sesa duket…për fatin tonë të keq, ndërsa dëmin që u shkaktohet në të gjitha format qytetarëve të këtij vendi, rast pas rasti, nuk merr përsipër ta shlyejë askush…

[email protected]

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.