Siguria dhe Zgjerimi, perspektiva e Politikës së Jashtme për Evropën Juglindore

Feb 15, 2018 | 8:47
SHPËRNDAJE

bush

DITMIR BUSHATI 

Faleminderit që më ftuat në Institutin “Europa” të Universitetit Leiden! Është një privilegj dhe nder të jem sot këtu pasi ky është vërtet një nga institucionet më të vjetra akademike i specializuar në të Drejtën Evropiane e veçanërisht në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Jetëgjatësia e Institutit “Europa” dhe ajo e Bashkimit Evropian janë të ndërlidhura, pasi Instituti është themeluar në të njëjtin vit me Komunitetin Ekonomik Evropian. Gjatë aktivitetit të tij 60-vjeçar, Instituti “Europa” në Universitetin Leiden ka kontribuar në kuptimin dhe zhvillimin e integrimit të shpejtë në Evropë.

Unë kam një pjesëzë historie personale nga ky vend. Para 18 vjetësh kur lëvizja me biçikletë në rrugët e këtij qyteti, deri në kafenenë “Ajnshtajn” për të pirë diçka e për të biseduar me grupin gjithnjë të ndryshueshëm të studentëve ndërkombëtarë dhe teksa përthithja me padurim njohurinë e gjeneratave të profesionistëve të së drejtës ndërkombëtare dhe evropiane, u mahnita me atë që unë e konsideroj si themelin e kulturës politike evropiane: sundimin e së drejtës.

Sot, përjashto faktin se biçikleta më është zëvendësuar me autokolonë policie që më shoqëroi këtu, ende kam të njëjtën magjepsje si asokohe për sundimin e së drejtës.

Nuk duhet shumë mend të kuptuar se Evropa e sotme nuk është Evropa e Grotiusit, i cili në jetën e tij ishte poet, dijetar i së drejtës, diplomat, Avokat i Përgjithshëm, në të vërtetë një paraardhës i studentëve ndërkombëtarë të ditëve tona.

Fatkeqësisht, Europa e ditëve të sotme është ndryshe edhe nga Evropa e viteve të mia kur studioja në Holandë, kur perspektiva e një Evrope të pandarë dukej më e afërt dhe më frymëzuese për të dyja palët, si për ata që vinin nga Evropa Juglindore, si unë, dhe për ata që jetonin brenda BE-së. Ndërsa sot Evropa është më egoiste dhe më pak e hapur ndaj të huajve.

Më lejoni të ndaj disa mendime rreth pjesës time të Evropës dhe sfidave tona më të mëdha. Evropa Juglindore dhe Ballkani Perëndimor sot janë krejt ndryshe nga 28 vite më parë, kur vendet e rajonit dolën nga regjimet autoritare ose përjetuan procesin e shpërbërjes, si në rastin e vendeve të ish-Jugosllavisë. Dikur rajoni ishte i njohur për konfliktet ndëretnike dhe dhunën e pashembullt që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa sot ne jemi një rajon që synon para së gjithash zhvillimin, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit, paqen e sigurinë. Megjithatë, trashëgimia e ngjarjeve tragjike gjatë viteve 1990, ende përbën një pengesë të madhe politike dhe psikologjike për arritjen e normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis vendeve të rajonit.

Marrëdhëniet midis vendeve dhe shoqërive në rajonin tonë kanë vuajtur përgjithësisht nga mungesa e besimit, qoftë ndaj vetes apo ndaj institucioneve dhe marrëveshjeve e pakteve. Gjatë njëzet viteve të fundit janë bërë disa përpjekje politike për ta çuar përpara procesin e pajtimit, siç shihet në përpjekjet politike të BE-së për të lehtësuar marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë, marrëdhëniet serbo-kroate dhe së fundmi marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Bullgarisë. Përpjekje të tilla kanë qenë sigurisht të dobishme dhe kanë ndihmuar në përmirësimin e atmosferës politike, por në shumë raste ato nuk kanë arritur ta zëvendësojnë përgjithmonë paradigmën nacionaliste dhe mosbesimin mes shteteve, popujve dhe bashkësive, që janë ende shumë të pranishme.

Rritja e nacionalizmit apo ringjallja e tij është kërcënimi i parë më i spikatur i sigurisë me të cilin përballemi sot në Ballkanin Perëndimor dhe anë të tjera të Evropës.

Në janar të vitit 2017, nëpërmjet një xhesti të hapur provokativ, një tren i nisur nga Beogradi për në Mitrovicën e Veriut në Kosovë ishte i mbuluar me shenja në më shumë se një duzinë gjuhësh ku deklarohej se “Kosova është Serbi”. Disa muaj më vonë në Maqedoni, një grup banditësh, i lejuar nga anëtarët e partisë qeverisëse nacionaliste, hyri me forcë në Parlament, duke vënë në rrezik jetën e deputetëve dhe kërkuan të ndalonin formimin e qeverisë së re. Vetëm pak javë më parë, një politikan i shquar serb i Kosovës, Oliver Ivanoviç, u qëllua për vdekje në mes të ditës në Mitrovicë nga persona të armatosur ende të paidentifikuar.

Këto episode tregojnë brishtësinë e shoqërive dhe institucioneve tona demokratike si dhe paqëndrueshmërinë e paqes dhe stabilitetit në këtë kënd të Evropës. Ato përbëjnë edhe një mesazh të qartë për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian që lënia e vendeve të Ballkanit jashtë strukturave euro-atlantike mbart rreziqe të konsiderueshme jo vetëm për këtë rajon, por për të gjithë komunitetin euroatlantik.

Kur nacionalizmi ose populizmi fillon të rritet në një cep të Evropës, atëherë nuk mund të flitet më për imunitet të vlerave liberale në të gjithë kontinentin.

Grupi i dytë i kërcënimeve të brendshme me të cilat ballafaqohemi buron nga dobësia strukturore e institucioneve tona. Sundimi i dobët i së drejtës, demokracitë e dobëta dhe shoqëritë jo të qëndrueshme.

Dhe qëndrueshmëria është fjala kryesore ku dua të ndalem pak. Në dallim nga demokracitë tashmë të qëndrueshme liberale të shumicës së shteteve anëtare të BE-së – përfshirë këtu edhe Holandën – vendet tona vuajnë nga dobësi afatgjata strukturore të institucioneve dhe nga përvoja mjaft e vogël, aty ku ka, nga demokracia.

Siç mund ta dini, tranzicioni demokratik i Shqipërisë u karakterizua, ndër të tjera, nga një sistem gjyqësor mjaft i varur, joefikas dhe me cilësi të ulët. Ky sistem, i cili supozohet të garantojë sundimin e ligjit, e ka rrënuar besimin e njerëzve në sundimin e ligjit dhe në institucionet e drejtësisë.

Për këtë arsye, qeveria jonë e konsideron reformën e gjyqësorit si ‘kryereformën’ me pasoja dhe ndikime në të gjitha fushat e tjera, duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmirësimin e ekonomisë, mjedisin e sipërmarrjes dhe të drejtat themelore të njeriut. Kur ligji nuk zbatohet si duhet apo zbatohet në mënyrë selektive, atëherë nuk ka garanci për të drejtat dhe liritë e askujt.

Pas votimit të Kuvendit për ndryshimin e 1/3 së Kushtetutës dhe krijimin e një arkitekture krejt të re të drejtësisë, në muajt e fundit ne kemi lëvizur me shpejtësi për zbatimin e elementit kyç të reformës së drejtësisë – që është rivlerësimi ose verifikimi i rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve.

Kjo është reforma më e thellë dhe më gjithpërfshirëse e sistemit gjyqësor, e krahasuar jo vetëm me vendet e rajonit të cilat po negociojnë me BE-në, por edhe me vendet e reja anëtare të BE-së, të cilat u anëtarësuan me rregulla shumë më pak strikte sesa ne. Është gjithashtu reforma në të cilën BE-ja ishte më e angazhuar, jo vetëm në ofrimin e mbështetjes, por ishte partnere nga ngjizja e reformës deri në procesin e zbatimit.

Për ne, përparimi në rrugën tonë evropiane nuk nënkupton vetëm progres në ndryshimet tona të brendshme, por gjithashtu do të thotë vijimi i këtij investimi të madh të BE-së dhe shteteve anëtare të saj, veçanërisht të Holandës, në transformimin tonë të brendshëm.

Pasi fola për dy nga kërcënimet më të mëdha të brendshme në rajonin tonë sot, më lejoni të flas për kërcënimet e jashtme me të cilat përballemi së bashku, nga lindja në perëndim, nga veriu në jug të Evropës.

Këto kërcënime përfshijnë: ekstremizmin e dhunshëm dhe aspektet e lidhura me të; fluksi i kthimit të Luftëtarëve të Huaj Terroristë, lulëzimi i trafikimit dhe ndërhyrja e aktorëve të tretë në rajon.
Ekstremizmi i dhunshëm dhe fenomenet që lidhen me të mbeten një sfidë. Edhe pse kërcënimi nga radikalizimi dhe ekstremizmi i dhunshëm që çon në terrorizëm është shumë më i ulët, rajoni ende përballet me fenomenin e fluksit të Luftëtarëve të Huaj të kthyer, i cili paraqet një sfidë ligjore dhe sociale. Përpjekjet tona drejt një bashkëpunimi më të mirë dhe koordinimi më të madh në harmonizimin e përpjekjeve rajonale në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, janë një domosdoshmëri pasi shqetësimet për sigurinë po rriten çdo ditë e më shumë.

Shqipëria ka miratuar një Strategji Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në nëntor të vitit 2015. Një plan veprimi për vitet 2017-2019 u miratua në tetor të 2017-s. Ky plan veprimi trajton një qasje gjithëpërfshirëse në adresimin e çështjes së luftëtarëve të huaj përmes ndërmarrjes së masave të ashpra dhe të buta. Në dhjetor të vitit 2017, Shqipëria miratoi ngritjen e Qendrës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, me fokus kryesor parandalimin e ekstremizmit dhe ndikimin e ideologjive ekstremiste kundër terrorizmit, e cila me kalimin e kohës do të shërbejë si pikë rajonale për t’ju përgjigjur ekstremizmit të dhunshëm, duke identifikuar praktikat më të mira për masa parandaluese.

Gjatë vitit 2017, presioni migrator nga jugu vazhdoi. Shqipëria ofroi shpejt kontributin e saj në misionin detar të NATO-s në Egje, në bashkëpunim me operacionin “Sophia” të BE-së, me FRONTEX dhe me dy fqinjët tanë, Greqinë dhe Turqinë, si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta evropiane për të trajtuar krizën e emigrantëve dhe refugjatëve.

Përballë këtyre kërcënimeve të sigurisë dhe duke pasur parasysh pozicionin tonë gjeostrategjik, një perspektivë e besueshme e anëtarësimit të rajonit, një bashkëpunim i zgjeruar ndërmjet vendeve tona në Ballkanin Perëndimor si dhe midis nesh dhe BE-së në frontin e sigurisë, përbëjnë dy zgjidhje afatgjata dhe strategjike.

Në vitin 2016, në përgjigje të sfidave aktuale të sigurisë Bashkimi Evropian miratoi një Strategji Globale. Ky dokument siguron një bazë solide dhe ushtron presion të mjaftueshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor për të zgjidhur çështjet bilaterale në mënyrë të qëndrueshme para se të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Ajo gjithashtu kërkon që BE-ja të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis institucioneve të vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe midis këtyre vendeve dhe shteteve anëtare.
Për më tepër, ky dokument njeh domosdoshmërinë e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet shteteve anëtare dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, në veçanti me vendet kandidate me një perspektivë të qartë të pranimit në BE, në fusha të tilla si parandalimi i konflikteve, ndërtimi i paqes, reagimi ndaj krizave dhe gjithashtu stabilizimi përmes misioneve dhe operacioneve të përbashkëta të politikës së përbashkët për sigurinë dhe mbrojtjen (CSDP).

Në një botë me kriza të ndërlikuara dhe pasiguri në rritje, ku bëjnë pjesë edhe sfidat e karakterit humanitar dhe të sigurisë që vijnë nga rajonet kufitare me BE-në, bashkëpunimi i ngushtë me BE dhe trajtimi i çështjeve në kohën e duhur përbën një domosdoshmëri të përbashkët.
Ne kemi treguar përkushtim të plotë për të kontribuar në iniciativat e sigurisë së BE-së dhe për të forcuar bashkëpunimin me shtetet anëtare në fushën e sigurisë.

Dëshiroj të theksoj faktin se Shqipëria për më shumë se një dekadë e ka linjëzuar plotësisht politikën e saj të jashtme me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, duke treguar vendosmëri të qartë për të mbështetur dhe ndjekur qëllimet e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Ky orientim nuk mbështetet në ndonjë slogan retorik, por në vendimet e përditshme që marrim: votat e dhëna prej nesh në forume shumëpalëshe, pozicionet e mbajtura në nismat rajonale e kështu me radhë.

Krahas shteteve anëtare si Holanda, ne jemi përkrahës të vendosur të multilaterizmit, duke punuar ngushtë në një numër fushash të politikave që lidhen me të drejtat e njeriut dhe qeverisjen e mirë. Ky është më shumë sesa një qëndrim moral. Është para së gjithash një qasje pragmatike, sepse jemi një vend i vogël, siguria e të cilit është e lidhur ngushtë me sigurinë e kontinentit dhe bashkësisë Euro-Atlantike në tërësi.
Kontributi ynë për sigurinë evropiane lidhet në mënyrë të pandashme me përpjekjet tona për të forcuar bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Si një vend kandidat për në BE, Shqipëria qëndron e vendosur në vizionin e saj për përmirësimin e sigurisë në rajon dhe më gjerë. Ne jemi përkrahës të vendosur të bashkëpunimit rajonal në të gjitha aspektet, por sidomos në çështjet e sigurisë, sepse e dimë se trajtimi i çështjeve pa vonesë dhe në bashkëpunim me fqinjët, do të na kursejë nga pasojat afatgjata të rreziqeve dhe sfidave të mundshme. Përvoja e bashkëpunimit ndërmjet shteteve anëtare të BE-së, edhe pse jo e përsosur, përbën shembullin më të mirë.

Kjo është arsyeja pse ne po hulumtojmë çdo mundësi për të rritur ndërveprimin me vendet e tjera në rajonin tone. Ne takohemi rregullisht në një format ndërqeveritar me Kosovën, e kemi bërë këtë kohët e fundit me Maqedoninë dhe së shpejti do të takohemi me Malin e Zi. Kemi krijuar platforma specifike të bashkëpunimit siç është Takimi vjetor trepalësh i Shqipërisë, Serbisë dhe Italisë, Takimi vjetor trepalësh i Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi, apo kuatrilaterali i Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, e kështu me radhë.

Forcimi i bashkëpunimit tonë në kuadër të NATO-s është gjithashtu kritik. Angazhimi serioz dhe i vendosur i NATO-s në Ballkanin Perëndimor me të drejtë është përshkruar si një histori suksesi për rajonin. NATO, si në Uells ashtu edhe në Samitin e Varshavës, nënvizoi rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor në Aleancë.

Politika e “dyerve të hapura” të NATO-s mbetet një mjet i fuqishëm për të “siguruar dhe fshirë plotësisht zonat gri” nga kjo pjesë e Evropës si dhe për të nxitur reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis vendeve tona. Aleanca mund të kontribuojë në mënyrë të dukshme duke rritur praninë dhe aktivitetet e saj në rajon, duke përfshirë vizitat, ushtrimet dhe veprimtarinë e diplomacisë publike në mënyrë që të kundër-balancojë ndërhyrjen e fuqive të treta në rajon.

Unë me të vërtetë besoj se një rinisje dinamike e politikës së zgjerimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe një njohje objektive e përpjekjeve të vendeve që kanë kaluar nën reforma transformuese drastike, si në rastin tonë, është në interesin afatgjatë të Evropës si një e tërë.
Përveç efektit transformues që procesi i pranimit ka në institucionet dhe shoqëritë tona, rigjallërimi i politikës së zgjerimit do të rriste sigurinë në Evropë. Politika e Përbashkët e Sigurisë dhe e Mbrojtjes e BE-së do të përfitonte nga një qasje e tillë dhe BE do të kishte mundësinë të tregonte se është një aktor i besueshëm në arenën ndërkombëtare nëpërmjet fuqisë së saj të butë.

Prandaj është jetike për Brukselin (dhe Uashingtonin të punojnë së bashku dhe) të rrisin përpjekjet e tyre për të ri-përfshirë rajonin. Përtëritja e angazhimit të BE në Ballkan mund ta ndalojë spiralen e autoritarizmit dhe krizat e përshkallëzuara si dhe mund të rivendosë besimin në modelin e BE-së, të cilin vendet e kanë zgjedhur si garancia më e mirë për të ardhmen e tyre.

Sikundër na mësojnë edhe shkrimet e Grotiusit, nuk ka rend botëror të mirë pa praninë e Evropës. Dhe që Evropa të luajë një rol qendror në vendosjen e rregullave të bashkëpunimit me pjesët e tjera të botës dhe në luajtjen e një roli më të fortë në sigurinë ndërkombëtare, siç e kërkon konteksti sot, ajo duhet të konsolidohet jo vetëm nga jugu në veri, por edhe nga lindja në perëndim.

Bashkëpunimi më i mirë politik dhe i sigurisë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe hapja e negociatave për vendet që janë gati, do të ishte një dëshmi e fortë e ndërgjegjësimit të Evropës për këtë nevojë.

*Fjala e mbajtur nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme në Institutin ”Europa” të Universitetit Leiden. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura