Siguracioni i makinave, sa do të paguani nëse s’keni shkaktuar asnjë aksident nga 3 marsi

Aug 21, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

Sistemi i ri për llogaritjen e siguracionit të makinave do të penalizojë të gjithë ata që kanë kryer një aksident nga data 3 mars. Në draftin e ri parashikohet që “historiku me qëllim vënien në zbatim të sistemit fillon nga data 3 mars 2015”. Gazeta zbardh formulën e llogaritjes së re të çmimit, i cili do të varet nga numri i aksidenteve dhe historiku i çdo shoferi.

trafik1
SI DO TË LLOGARITET ÇMIMI
Aktualisht çmimi i sigurimit të makinave, i detyrueshëm me ligj, është fiks. Pra, në rast se do të sigurosh automjetin, çmimi që ofrojnë kompanitë është përgjithësisht i njëjtë. Ai ndryshon vetëm nga cilindrata e makinës. Në draftin e ri parashikohet që çmimi të ndryshojë sipas sjelljes së shoferëve, ose siç njihet ndryshe, sistemi “Bonus-Malus”.

AMF parashikon që shoferët të ndahen në 18 kategori të ndryshme. Për çdo kategori është vendosur edhe një koeficient. Ky koeficient është më i lartë për ata shoferë që bëjnë aksidente dhe më i ulët për ata që nuk bëjnë të tilla. Në këtë mënyrë ndryshon edhe çmimi i siguracionit. Në draft parashikohet që një shofer i ri dhe përgjithësisht të gjithë shoferët, pas hyrjes në fuqi të ligjit, do të hyjnë në klasën e 13-të.

“Klasa hyrëse do të jetë ‘13’ për vitin e parë të zbatimit të sistemit ‘Bonus-Malus’, e cila do të aplikohet mbi primin e rrezikut me koeficient me vlerë të barabartë me 1″. Për klasat nga 1 në 12, koeficienti do të zvogëlohet, ndërsa për klasat nga 14 deri në 18 do të rritet. Në draft janë parashikuar edhe si do të bëhet zhvendosja e shoferëve nga një klasë në tjetrën.

“Ulja e klasës së riskut me një klasë në rastet e të siguruarit që nuk shkakton asnjë aksident gjatë vitit të kontratës. Rritjen e klasës së riskut me 2 klasë nëse i siguruari bën dëm gjatë vitit të kontratës dhe 5 klasë nëse bën dy dëme”. Gazeta boton edhe tabelën e koeficienteve sipas çdo klase. Për klasën e parë, koeficienti është 0.5, ndërsa për klasën e 18-të shkon në 2.

SHEMBULLI
Për ta bërë më të thjeshtë. Sot çmimi i sigurimit të një makine është 16 mijë lekë në vit. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, ai do të llogaritet sipas historisë së aksidenteve të shoferëve nëpërmjet formulës së mësipërme.

Kështu, në rast se një shofer nuk ka bërë asnjë aksident nga data 3 mars, ai klasifikohet në klasën e 13-të, që i përket koeficienti 1. Pra, siguracioni i tij do të jetë 16 mijë lekë (16.000 x 1).

Në rast se një shofer ka bërë aksident, ai do të rritet në klasë. Pra, në këtë rast shkon në klasën 15. Rrjedhimisht edhe çmimi i siguracionit rritet. Klasa e 15-të ka një koeficient 1.3. Shoferi do të duhet të sigurohet jo më për 16 mijë lekë, por për 20.800 lekë (16.000 x 1.3). Pra, 4.800 lekë më shtrenjtë.

Në rast se një shofer nuk bën asnjë aksident gjatë një viti, atëherë ai ulet një shkallë, dhe nga klasa 13 shkon në klasën 12. Koeficienti i klasës 12 është 0.94. Në këtë rast, çmimi i siguracionit do të jetë 15.040 lekë. Pra, më i ulët. Gazeta boton sot tabelën me koeficientet për të 18 klasat, si dhe tabelën me ndryshimin e klasave në rast se një shofer bën apo jo aksident gjatë një viti.

tabela me koeficent

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura