“Siç vrava ata do ju vras edhe ju”/ Shihte lajmet e kërcënonte nga ballkoni, kur i prenë dritat kërkoi…detaje të reja para ekzekutimit të 71-vjeçarit

Sep 25, 2020 | 14:30
SHPËRNDAJE

Informacionet që jepeshin në media për të gjithë situatën ku ishte përfshirë Elbasani një ditë më parë, detajet që publikoheshin për të, e bënë Lefter Zhidrun të acarohej dhe të mos pranonte asnjë moment të dorëzohej në duart e Policisë.

As në fund nuk u dorëzua, por mbeti i vrarë pas një shkëmbimi zjarri kur forcat RENEA ndërhynë për ta neutralizuar pas pesë orësh rezistencë brenda në shtëpinë e tij.

Sipas informacioneve që raporton gazetarja e Panorama, 71-vjeçari nuk u dorëzua se mendonte që i kishte vrarë dy kalimtarët që mbetën të plagosur prej plumbave të tij, kur nisi qëllonte mbi uniformat blu.

“Siç vrava ata do iu hedh trutë në erë dhe ju”, mësohet të kenë qenë fjalët e tij drejt forcave speciale.

Gjatë orëve të rezistencës dhe negociatave, Zhidru shihte lajmet në media dhe dilte në dritare ku thoshte herë pas here “nuk është e vërtetë, ju gënjeni”.

Në këto momente, u bë edhe ndërprerja e energjisë elektrike, gjë që e acaroi dhe më tepër të moshuarin, duke kërkuar që t’ja rilidhnin energjinë elektrike.

Këtë kohë, i moshuari dilte në dritare dhe kërcënonte me tritol.

Panorama mëson se vetëm një orë para se RENEA ta ekzekutonte të moshuarin, bashkeshortja e tij i kishte thënë policisë “kemi tritol dhe municione në shtëpi”.

Ndërsa në momentin që policia i hodhi gaz lotsjellës, mësohet se Zhidru kishte vendosur në kokë peshqir të lagur që të mos mbytej dhe ekspertët i gjetën në dorë tritolin dhe çakmakun, gati për shpërthim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura