Si u zhduk i burgosuri që ishte në dhomë me të ndjerin Astrit Dehari

Jan 13, 2020 | 17:19
SHPËRNDAJE

Vazhdon procesi i hetimeve të reja për vdekjen e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Pas raportit zviceran, shteti u detyrua ta ndërrojë komplet ekipin hetues, duke nisur dhjetëra intervistime tjera. Gjatë javës së kaluar është intervistuar ish-drejtori i Policisë Rajonale të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i cili tani e pranon se ka folur me gazetarë rreth shkakut të vdekjes së Deharit, që fillimisht e mohonte. Teksa hetimet po zhvillohen është raportuar se ish-i burgosuri tjetër që ndodhej në dhomën e Deharit është zhdukur pa gjurmë.

82200233_1996618363817341_6068904332458196992_n-600x360

Tri vjet më parë, vendi u trondit nga vdekja e cila ende sot vazhdon të jetë një enigmë. Institucionet e Kosovës të cilat nuk arritën t’i japin epilog rastit të Astrit Deharit, që vdiq në qelinë e paraburgimit më 5 nëntor 2016 sërish e kanë në dorë atë.

Por si nisi e gjithë ngjarja nga e cila Astrit Dehari u arrestua për t’u dërguar pastaj në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, nga e cila u nxor i vdekur?

Më 4 gusht të vitit 2016, objekti i Kuvendit të Kosovës u sulmua me një granatë dore. Tre javë më vonë, 30 gusht të atij viti, Policia e Kosovës kishte arrestuar gjashtë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, si të dyshuar për kryerjen e sulmit. Një nga ta ishte Astrit Dehari.

Bashkë me të tjerët, Astriti kishte përfunduar në paraburgim në Prizren, teksa priste një aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit, ngritjen e së cilës nuk e përjetoi. Disa muaj më vonë, derisa po qëndronte në burg, saktësisht më 5 nëntor të vitit 2016, Astrit Dehari u gjend i vdekur në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Kjo vdekje qysh në minutat e para kur u dha lajmi, e tronditi gjithë vendin. Por e gjithë ngjarja që vërtetoi brishtësinë e institucioneve u kthye në diçka të panjohur. Konstatimet e organeve të hetuesisë kosovare e akterëve të tjerë të ndryshëm bënë që e vërteta për vdekjen e Astrit Deharit të mos zbardhet as pas tre viteve.

Organet e hetuesisë kosovare në vazhdimësi që nga vdekja e Astritit e deri në tetorin e vitit që shkoi kishin deklaruar se Dehari kishte kryer vetëvrasje. Aludime e konkluzione këto të cilat familja e të ndjerit bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje – parti kjo në të cilën Dehari ka qenë anëtar – po i kundërshtonin në vazhdimësi. Në shumë raste edhe me protesta. Vetëvendosja e familja e Astritit e kanë akuzuar shtetin e Kosovës për vrasjen e tij.

Por, hetimet për vrasjen e Astritit që disa vite i kanë nisur zyrtarët kosovarë. Në raportin e autopsisë që është bërë publik nga autoritetet vendore, “Dehari ka bërë vetëvrasje dhe vdekja e tij është shkaktuar nga pengesat në organet e frymëmarrjes”.

Por, me raportin asnjëherë nuk është pajtuar familja e të ndjerit 26-vjeçarit, Astrit Dehari, e njëkohësisht as Lëvizja Vetëvendosje, të cilët e kanë vlerësuar raportin “të pabesueshëm”.

Babai i të ndjerit, Avni Dehari ka treguar se për të hetuar mënyrën e vdekjes se Astrit, kanë angazhuar ekspertë dhe hetues të pavarur ndërkombëtarë.

Raportin me të gjitha të dhënat për autopsi, këtë herë familja e Astritit kishte vendosur gjatë vitit 2017 që ta dërgojë në Lozanë, aty ku do të punohej nga ekspertët mjeko-ligjorë të Zvicrës, vend ky të cilin familja Dehari e kishte braktisur për të jetuar në Kosovë qysh në vitin 2000.

Nuk vonoi gjatë dhe në tetor të vitit 2019, Lozana e ktheu mbrapsht raportin, në të cilin jepeshin detaje rreth vdekjes dhe mënyrës se si ka vdekur Astrit Dehari.

Në raportin 45-faqësh, thuhet se “në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje e z. Dehari Astrit, përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë duhet të kihet parasysh”.

E pikërisht ky raport i Lozanës ka qenë arsyeja që autoritetet kosovare ta kthejnë lëndën rreth zbardhjes së vdekjes së Deharit, në pikën zero.

Lënda tash për hetimin e vdekjes së Deharit, ka kaluar në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Kjo e fundit me kërkesën e avokatit të familjes të së ndjerit ka nisur me intervistimin e disa personave të cilët kishin dhënë deklarata por edhe si dëshmitarë rreth asaj se çka mund të dinë rreth vdekjes së Astrit Deharit.

Në javën e dytë të janarit të vitit 2020, në departamentin e veçantë të Prokurorisë Speciale të Kosovës është intervistuar ish-Drejtori i Policisë Rajonale të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi. Ai u mor në pyetje në cilësinë e dëshmitarit në kuadër të hetimeve të rinisura për vdekjen misterioze të ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren në nëntor të vitit 2016.

Intervistimi i Krasniqit zgjati për më shumë se 2 orë e gjysmë. Krasniqi ishte ndër të parët i cili deklaroi se Astrit Dehari, kishte përdorur medikamente. E pikërisht për këto deklarata të dhëna për media në vitin 2016, të enjten u intervistua ish-drejtori i Policisë së Rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi.

Express e ka siguruar deklaratën e Krasniqit dhënë hetuesve policorë sot, në të cilën vetë ai e pranon se kishte thënë që Astrit Dehari para vdekjes ka përdorur medikamente.

“Pasi më kanë pyetur për rastin, unë e kam kontaktuar në telefon drejtorin e burgut, Destan Zogaj, dhe nga ai kam kërkuar informacione lidhur me vdekjen e Astrit Deharit. Drejtori i burgut më tha se nga informacionet që ai i posedonte, dyshohet që Astrit Dehari kishte përdorur medikamente dhe kishte gërvishtje në damarët e dorës. Të njëjtat informacione unë ia kam dhënë gazetarit Petrit Kryeziu, pra sipas drejtorit Destan Zogaj dyshohet se i paraburgosuri Astrit Dehari kishte përdorur medikamente dhe kishte lëndime në duart e tij”, ka deklaruar Krasniqi para prokurorisë.

Por në qelinë e burgut, me Astrit Deharin, po qëndronte edhe një i paraburgosur tjetër. Bëhet fjalë për Adonis Gashi, i dënuar si i përfshirë në vrasjen e një polici.

Ai disa muaj pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore ishte lënë i lirë, ndërsa Gjykata e Apelit ia kishte rritur dënimin në 8 vjet. Tani kur Gjykata po kërkon që ai të kthehet në qeli, nuk ka asnjë gjurmë për të njëjtin.

Për arratisjen e tij, informata nuk kanë në stacionin rajonal të Prizrenit.

E në lidhje me arratisjen e Adonis Gashit, ka reaguar edhe deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu. Megjithëkëtë, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka treguar se Krasniqi në asnjë moment nuk e kishte mohuar se i kishte dhënë deklaratë ish-gazetarit, por shton se informacionet që ia kishte dhënë ish gazetarit fillimisht i kishte marrë nga ish-drejtori i Burgut të Prizrenit, Destan Zogaj.

“Nexhmi Krasniqi nuk e ka mohu që ka dhënë një deklaratë sqaruese për gazetarin Petrit Kryeziu dhe për Petrit Kryeziun e ka dhënë këtë deklaratë pasi që paraprakisht ka folë me drejtorin e atëhershëm të Burgut në Prizren, Destan Zogaj. Nexhmi Krasniqi ka thënë se këtë deklaratë për gazetarin në mënyrë sqaruese e ka dhënë pasi që të gjitha informatat i ka marrë nga Destan Zogaj dhe ky i fundit është ai që i ka thënë Nexhmi Krasniqit se Astrit Dehari ka vdekur si pasojë e marrjes së medikamenteve. Do të thotë në bazë të Nexhmi Krasniqit burimi i informacionit është deklarimi që ka marrë nga Destan Zogaj”, ka deklaruar avokati Gashi.

Deri më tani Gashi tregon se nga 17 persona të propozuar janë intervistuar 14, ndërsa tre priten të intervistohen ditëve të ardhshme.

E ndërkohë në muajin tetor të vitit 2019, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kishte marrë vendim që rasti i Astrit Deharit të kalojë nga Prokuroria Themelore në Prizren në juridiksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

“Pas analizimit të prononcimeve në media të familjes së të ndjerit, Astrit Dehari, dhe përfaqësuesit të tyre ligjor, natyrës specifike dhe urgjente të këtij rasti, si dhe në funksion të zhvillimit me efikasitet të procedurës penale dhe evitimit të mëdyshjeve rreth mundësisë së shkeljes së parimit të paanshmërisë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës caktohet të bëjë trajtimin e mëtejshëm procedural të kësaj çështjeje penale”, thuhej në njoftimi e Prokurorisë së Shtetit.

Po ashtu, në njoftim thuhet se bartësi i kësaj lënde autorizohet të kërkojë që i tërë rasti penal të bartet nga Departamenti i Hetimeve të Krimeve të Rënda në Prizren në Drejtoratin Qendror të Policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë.

Më 24 tetor, Prokuroria Themelore në Prizren ka publikuar konkluzionet e ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, për rastin e Astrit Deharit, i cili kishte vdekur më 5 nëntor 2016, teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, në gusht të vitit 2016.

Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria tha se do të vazhdojë hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

Me këtë konstatim, Prokuroria e ktheu rastin në hetim, pas përfundimeve të mëparshme se bëhej fjalë për vetëvrasje. /Gazeta Express/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura