Si u zbulua magazina me 1 ton drogë në Skrapar, pronarët u “zhdukën”

Mar 24, 2017 | 11:38
SHPËRNDAJE

Prokuroria për Krimet e Rënda në bashkëpunim me sektorin e Antidrogës në Berat, ka bërë të mundur zbulimin e një sasie të konsiderueshme kanabis sativa në një operacion të përbashkët, raporton “Panorama”.

kanabis-kurbin-640x356

Aksioni u finalizua pas një informacioni të siguruar prej disa ditësh në rrugë operative nga agjentët e Antidrogës se në një magazinë të braktisur, në fshatin Lapan, fshihej lëndë narkotike.

Më pas, ky informacion mbërriti deri në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke bërë që menjëherë të nisnin hetimet intensive. Nga hetimet e para u mësua se magazina e braktisur ndodhej në fshatin e largët Lapan, të njësisë administrative Çepan, në Skrapar, në një magazinë që dikur kishte shërbyer për një biznes konservimesh.

Pas një sërë hetimesh, u sigurua që informacioni ishte i saktë dhe mesditën e djeshme u finalizua aksioni i ndërhyrjes së forcave të Policisë. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Beratit, është sekuestruar një sasi prej mbi 1 ton kanabis stativa, e cila ishte gati për t’u transportuar.

Në momentin e zbulimit të lëndës narkotike, mësohet se magazina ka qenë e braktisur, çka ka vështirësuar hetimet për identifikimin e personave që janë përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike. Nga hetimet e para, sasia e zbuluar dyshohet se është kultivuar rreth fshatrave të njësisë administrative Çepan dhe më pas ishte përgatitur për tregtim.

Policia zbuloi gjithashtu dhe pajisje të tjera, mbetje kanabis, çka hedh dyshimet se magazina shërbente për përgatitjen e kanabisit me qëllim trafikimin e saj. Policia e Beratit nuk ka bërë ende të ditur asgjë në lidhje me personat e përfshirë në këtë rrjet, por deklarohet se janë marrë në pyetje banorë të zonës, si dhe persona që ushtrojnë aktivitet në këtë zonë.

Nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe nga Policia e Beratit vijojnë hetimet për zbulimin e personave të përfshirë në trafikun e lëndës narkotike, që dyshohet se mbahej e magazinuar me qëllim trafikimin e saj jashtë kufirit të Shqipërisë, drejt shteteve fqinje, si Greqia apo Italia.

Gjithashtu, autoritetet ligjzbatuese njoftojnë se po hetohet gjithashtu edhe për personat përgjegjës që janë marrë me tharjen dhe paketimin e lëndës narkotike.

Nga ana e saj, Policia ka shoqëruar disa persona në kuadër të hetimeve për zbulimin e përgjegjësve. Mësohet se kjo është sasia më e madhe e kanabisit që është zbuluar në Qarkun e Beratit vitet e fundit.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura