“Si u vranë ushtarët tanë në Peshkëpi nga komandot grekë”

Apr 11, 2014 | 13:23
SHPËRNDAJE

Pllakata e ushtarëve të vrarë
Që prej vitit 1994 asnjë i arrestuar në Greqi

Dëshmitari i masakrës flet pas 20 vitesh: Hynë 4 km brenda në tokë shqiptare, i qëlluan në pabesi

Mbushen 20 vjet nga ngjarja e rëndë e Peshkëpisë në rrethin e Gjirokastrës, ku u ekzekutuan nga ekstremistët grekë dy efektiva të kufirit.
 Për këtë ngjarje të rëndë është zhvilluar një ceremoni përkujtimore nga familjarë të ushtarakëve dhe nga forumi patriotik “Djemtë e Gjirokastrës”. Ata kanë përkujtuar rënien në krye të detyrës të oficerit të Postës Kufitare të Peshkëpisë Fatmir Shehu dhe ushtarit Arsen Gjini. Ceremonia është organizuar në godinën ku 20 vjet më parë u bë arenë e vrasjes së dy ushtarakëve. Ky krim i ndodhur në tokën shqiptare u mor përsipër nga “Fronti për Çlirimin e Epirit të Veriut”, por dhe pse u arrestuan 7 veta, ata u lanë të lirë më vonë. Prej asaj kohe autorët e vrasjes mbeten mister, ndërsa ish-ushtaraku Aleksandër Basho tregon për momentet që përjetuan pas kësaj ngjarjeje të rëndë.
Çfarë mbani mend nga ajo mbrëmje?

Dëshmitari i masakrës, Aleksandër Basho
Ka qenë ngjarje e rëndë. Mbaj mend që kishte kaluar mesnata dhe të gjithë ushtarët dhe oficeri Fatmir Shehu ishin shtrirë në kapanon, përveç rojës që normalisht ishte jashtë dhe qenit të kufirit.
Ku ndodheshit ju në ato momente?
Unë nuk kam qenë brenda pasi isha në një tjetër pikë ushtarake, por kam ardhur më vonë duke parë se çfarë kishte ndodhur dhe si të thuash, kam qenë dëshmitari i parë i asaj ngjarjeje pas kryerjes së aktit kriminal. Por nga të thënat e të lënduarve kam mësuar se ushtarët dhe oficeri Shehu kanë qenë brenda në kapanon duke fjetur.
Në çfarë ore janë dukur personat e armatosur?
Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 02:40 të datës 10 prill 1994, kur një komando greke, e përberë nga tetë veta, midis të cilëve njëri fliste shqip me theks grek, të armatosur me armë zjarri, me uniformë ushtarake të ushtrisë greke, hynë në qendrën tonë stërvitore, këtu ku jemi në afërsi të fshatit Peshkëpi, pasi ishin futur në thellësi të territorit shqiptar. Prej këtej kufiri është 4 km larg dhe penetrimi në territorin tonë i terroristëve grekë ishte shumë i lehtë, kjo edhe falë njohjes së terrenit nga dy persona që ishin pjesë e grupit. Ata hynë nga pjesa e pasme e qendrës stërvitore.
Si u diktuan nga ushtarët personat e armatosur?
Ata më parë qëlluan në befasi në drejtim të ushtarit Arsen Gjini dhe në këto momente, pas dëgjimit të krismave, u çuan të gjithë në këmbë dhe një prej ushtarëve hoqi siguresën e dritave për të qenë errësirë. Pas kësaj, kapiteni i parë Fatmir Shehu merr në dorë revolverin dhe del për të parë se çfarë kishte ndodhur. Menjëherë ai është qëlluar nga komandot.
Po më pas çfarë ndodhi?
Me sa kam dëgjuar, terroristët, pasi kanë hyrë në brendësi të ambienteve, kanë qëlluar në drejtim të tre ushtarëve të gjendur në kapanon dhe fati i tyre që ata ngelën të plagosur. Më pas ata janë larguar andej nga kishin ardhur. Gjithçka ndodhi për pak minuta dhe kjo është shumë e çuditshme, pasi terroristët dinin gjithçka: numrin e ushtarakëve, numrin e armëve si dhe terrenin që i çoi deri këtu ku jemi.

Të akuzuarit për sulmin
1- Jorgo Anastasulis
34 vjeç, oficer i ushtrisë greke

2- Apostolos Karvelas
26 vjeç, punonjës i policisë greke

3- Mario Kutullas
25 vjeç, qytetar shqiptar, banues ne Athinë, punëtor

4- Fredi Beleri
23 vjeç, qytetar shqiptar në Athinë, hidraulik

5- Jorgo Kristo
26 vjeç, qytetar shqiptar banues në Athinë

6- Harallamb Papa
21 vjeç, qytetar shqiptar banues në Athinë, punëtor

7- Jorgo Papa
30 vjeç, qytetar shqiptar, teknik frigoriferësh

Përplasjet me deklarata të dy qeverive
Në ditën kur ndodhi vrasja qeveria shqiptare e cilësoi grupin e autorëve si “komando terroriste greke”, e përbërë nga 8 veta, mes të cilëve njëri fliste shqip me theks grek dhe ishin të armatosur me armë zjarri, me uniformë ushtarake të ushtrisë greke. “Ata hynë në territorin shqiptar në afërsi të fshatit Peshkëpi të rrethit të Gjirokastrës, 4 km larg kufirit, duke vrarë në befasi ushtarin Arsen Gjini, 20 vjeç, nga fshati Seman i rrethit të Fierit, dhe komandantin e stërvitjes, kapiteni i parë Fatmir Sali Shehu, nga Tepelena, banues në Gjirokastër. U plagosën tre ushtarë. Pasi kryen këto akte kriminale kundër tërësisë territoriale dhe ushtarakëve tanë, ata thërrisnin: Këto i kini për Vorio-Epirin”. Ndërsa qeveria greke i hodhi poshtë deklaratat për një grup terroristësh grekë, duke thënë se janë akuza të pabaza. “Kjo qeveri nuk ka asnjë informatë dhe se është njohur vetëm me akuzat e qeverisë shqiptare, të cilat janë jo të sakta me tendencë që t’ia përcjellin fajin palës greke”.

GJIROKASTER/ PIRO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura