Si u vra babai i 3 fëmijëve teksa ndihmonte mikun që po i grabisnin lokalin

Feb 14, 2016 | 12:05
SHPËRNDAJE

I shkon në ndihmë shokut pasi po i vidhnin lokalin, por hajduti e vret me plumb në ballë. Ngjarja ndodhi në fshatin Shkallë të Konispolit, ndërsa viktima është 44-vjeçari, Pajtim Shehu, baba i tre fëmijëve.

Viktima12Sipas Policisë, krimi i rëndë ka ndodhur gjatë natës, rreth orës 03:00, në dalje të fshatit, me drejtim pikën e kalimit Kufitar të Qafë-Botës, në anën e poshtme të lokalit të Arqile Poçit, banor i Shkallës.

THIRRJA ME TELEFON

Mësohet se Arqile Poçi, shok me viktimën, 44- vjeçarin Pajtim Shehu, ka dëgjuar zhurmë në lokalin e tij që ndodhet ngjitur me banesën ku ai banon.

Ai ka ngurruar të dilte i vetëm për të parë se çfarë po ndodhte, ndaj ka telefonuar mikun e tij, Pajtimin. Ky i fundit është ngritur nga krevati për t’i ardhur në ndihmë shokut, i cili e ka vënë në dijeni se hajdutët ishin futur në biznesin e tij dhe po e vidhnin. Shtëpia e viktimës, një banesë dykatëshe, ndodhet rreth 500 metra larg lokalit të Arqile Poçit.

Pas pak minutash, viktima është gjendur në pjesën e poshtme të lokalit, (dyshohet që hajduti të ketë hyrë jo nga dera kryesore, por nga dritarja e pjesës mbrapa).

Në këtë moment, 44-vjeçari është ndeshur me hajdutin, i cili ende nuk është identifikuar. Pasi ka marrë shumën e parave në lokal (rreth 10 mijë lekë të rinj), ai po nxitonte të dilte në momentin që është përballur me Shehun.

Autori ka pasur edhe armë zjarri me vete, ndaj duket se kur është përballur me rezistencën e 44-vjeçarit, e ka qëlluar atë me plumb në kokë. Për pasojë, viktima ka ndërruar jetë në vend, ndërsa autori duke shfrytëzuar edhe natën e terrenin ka arritur të largohet.

Krisma e armës ka alarmuar të pronarin e lokalit, por edhe banorë të tjerë. Ata e kanë gjetur viktimën pa jetë me plagën e dukshme të plumbit në ballë.

HETIMI

Ka qenë pronari i lokalit, Arqile Poçi, ai që ka njoftuar policinë, e cila ka shkuar në vendngjarje. Burime të Policisë së Sarandës bënë të ditur se është ngritur një grup i posaçëm hetimor, si dhe janë ngritur postblloqe për kapjen e autorit.

Deri më tani, policia ka shoqëruar 30 persona (disa prej të cilëve, edhe si të dyshuarit kryesorë në atë zonë), si dhe është bllokuar një automjet, i cili mendohet se mund të ketë lidhje me autorin.

Gjithë strukturat e policisë, specialistë të Kriminalistikës dhe të Krimeve të Rënda të Policisë Vlorë, në bashkëpunim edhe me ata të Sarandës, janë duke punuar për dokumentimin e ngjarjes dhe kapjen e autorit.

Në fshatin Shkallë për të ndjekur nga afër hetimin e ngjarjes ka qenë edhe vetë drejtori i Policisë i Qarkut Vlorë, Jaerd Çela. Paraprakisht, dyshohet se autori nuk ka qenë i vetëm, por ai ka pasur edhe bashkëpunëtorë në vjedhje dhe krimin e vrasjes.

SHPRESA DINE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura