Si u pushtua deti Jon i Shqipërisë në vitin 2009

Sep 10, 2018 | 13:01
SHPËRNDAJE

MYSLIM PASHA03_06_2016_6145097_myslim_pasha1

Historia regjistron dhe ruan faktet që kanë ndodhur; kjo është mbresë për breznitë që vijnë. “Edhe një çast i vetëm mjafton për t’i çelë të fshehtat e jetës. Por çelësi i vetëm i të gjitha të panjohurave është historia, kjo përsëritje e përjetshme dhe ky emër tërheqës i tmerrit”, thotë Borghes. Kujtesa e shtetit shqiptar dhe përpjekjet e tij për të gjetur vetveten në Integritetin Territorial dhe Sigurinë Kombëtare e ka një dëshmi të freskët, për të cilën ende tentohet për ta mbuluar e për ta fshehur.

Kjo është Marrëveshja për Delimitimin e hapësirave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë që mbetet të jetë një rast unikal, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor. Është dëshmi e rrallë kur pala shqiptare jo vetëm firmosi “pushtimin”, por edhe se ajo sot e kësaj dite, kur Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e ka “çliruar” hapësirën e pushtuar, përgjegjësit kryesorë të shtetit, ende në politikën intensive, e mbrojnë aktin e asaj tradhtie kombëtare.

Në historinë e kufijve të Shqipërisë, këto muaj po shkruhen faqe të tjera (të cilat tani për tani mbështillen me mister dhe fshehtësi të frikshme) kur Greqia dhe Shqipëria sërish ranë dakord që të rinegociojnë Paktin Detar famëkeq.

Ç’po bën grupi negociator i Ri?

Ne s’kemi të drejtë të ndërhyjmë në punën e tyre të epërme, edhe pse është e domosdoshme që të bëhet tejdukshmëri. Shqiptarët duhet të ndijohen se ç’u bë para dhjetë vjetësh dhe ç’po gatuhet tani, sepse bëhet fjalë për integritetin e hapësirave Detare, jo vetëm në një njësi të vogël hapësinore, por për gjithë hapësirën detare të Veriut të Detit Jon, që përmbyll gati 1/5 të kufijve shtetërorë të Shqipërisë.

Pushtimet janë pjesë luftërash, dëshmi mbijetese, pjesë e historisë së kombeve, luftë për hapësirë, për integritet, dinjitet dhe siguri kombëtare, ato janë pika kulmore jo vetëm për hapësirat tokësore, por dhe ato dhe detare. Në kujtesë ngelet edhe një piramidë kufiri, një mes lumi apo përroi, një shkrep, bregore apo një ujëndarje. Ndërsa ajo që shënon historia në vitin 2009, është e pazakontë, sepse u pushtuan urtë e butë 350 km2, det në një vijë gjatësore prej 115 km gjatësi të kufirit jugperëndimor të Shqipërisë së sotme. Ajo që duhet sqaruar për opinionin shqiptar është se e tërë kjo hapësirë është pjesë e Detit Territorial ( 12 m.d) në 85% të hapësirës ujore. Deti Territorial është, ashtu sikundër Dheu Kontinental, i njëllojshëm, i njëvlershëm.

Kjo duhet të kuptohet nga të gjithë.

Ajo që ka ndodhur me Marrëveshjen e parë, na afron imazhin më të mjegullt, më të pasigurt, më të paaftë të institucioneve shqiptare, në çështjen aq të epërme, atë të ruajtjes e Integritetit Territorial të Republikës. Se gjithçka iu besua Grupit Negociator…dhe më keq akoma, u la në dorë të një njeriu të vetëm. Kjo nuk mund të ndodhë kurrë në përvojën e njohur ndërkombëtare.

Në këto vite që shkuan, (se tani po përmbyllen plot dhjetë vjet nga ai pushtim), nuk u bë kurrë një workshop, as seminar, as rrahje mendimesh studimore, po vetëm diskutime politike, të cilat e kanë shtuar e kanë shtuar edhe më shumë mjegullinën.

Pushtimi i Detit Jon të Shqipërisë, që ndodhi në 2009-n, nuk i vë përgjegjësi Greqisë, mbasi aty gjejmë një pranim të plotë dhe kolaboracion të palës shqiptare. Pala greke ka bërë studimet e saj, siç është dëshmia e hartës së gjetur (e datës 4 mars 2009), e cila është identike me vijën e thyer delimituese që ndodhet e firmosur nga të dy palët, me koordinatat e 150 pikave të asaj kirurgjie tragjike e të atij pushtimi.

Është e dëshmuar tanimë se Pakti Detar i rrëzuar është zbuluar në mënyrë fare rastësore. Ka qenë ndofta, përvijimi përhapës si një fluks e kumt i veprës dhe synimit të së vërtetës, të drejtës dhe të ndershmes që shkon sipas asaj urtisë shqiptare “E vërteta zhytet për nuk mbytet! apo thënies aq ilustruese: “Hidheni një dëshmi, si një gurë apo ‘amanetin’, futeni në një shishe dhe hidheni në det”… Deti do ta nxjerr në breg.

Se Deti i takon Dheut.

Opinioni shqiptar sot kërkon tejdukshmëri. Rinegocimi ishte një fitore e madhe diplomatike se pala greke pranoi që të ulej në tavolinën e “betejës luftarake” për të fituar këto hapësira. Mirëpo në krahun tonë, fillimi i këtij akti diplomatik dypalësh, nisi si zakonisht (se ashtu kanë shqiptarët…) me “teori konspiracioni” për vlerësimet individuale të Negociatorëve, për të cilat siç thuhej kish gjasa që të ndrynin brenda tyre një pjesë të fshehtësisë dhe të dyshimit.

Kur në radhë të parë ishte e nevojshme Siguria e Institucioneve.

Freri politik mund të bëjë hatanë, të ndryshojë gjeometrinë, gjeografinë, gjeohistorinë e këtij vendi, të sjell inferioritetin dhe shitje të interesave kombëtare dhe përvojën aq të gjerë ndërkombëtare!

E ç’mund të ndodhë?!

Ne duhet që t’i mëshojmë nevojës jetësore për maturinë dhe kompetencën e këtyre Institucioneve (që sogjetojnë pas Grupit Negociator) ato që krijojnë siguri me studimet, oponencat e thella me fytyrë kombëtare. Studimet duhet të jenë pjesë të krahasimeve të secilit hap diplomatik apo tekniko-ligjor që do të hidhet. Se akti teknik-shkencor-diplomatik nuk është askurrë një akt politik. Ai shkon drejt aktit politik, pas vëzhgimit të përpiktë, oponencës dhe tejdukshmërisë.

Ne nuk e dimë se çfarë do të gatuhet, çfarë do të pritet dhe do të shpaloset në kirurgjinë e re që do t’i bëhet Veriut të Detit Jon të Shqipërisë, por gjer sot, në studimet e Sigurisë në Forcat e Armatosura apo në Institucionet shkencore të Universiteteve dhe Instituteve përkatës, nuk ka asnjë frazë të hedhur për vlerësime gjeopolitike, gjeostrategjike, gjeologjike, detare dhe hartografike.

A jemi të denjë, a jemi të zot, për të mbrojtur Integritetin Territorial apo do të ngelemi inferiorë dhe të përulur, siç ndodhi në vitin 2009?

Askush nuk është ndierë që të japë qoftë edhe një grimë opinion se si i ka paraprirë pala greke negocimeve të sotme.

Inspektimet e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë greke në ishullin Erikuza dhe Othonoi, ngritja në postërojë e flamurit grek kundruall Shqipërisë, prej këtyre dy ishujve është shëmbëllimi më mbresëlënës që na rrëfen fqinji ynë jugor, me synimet e tij aq shumë të lexueshme, përkundrejt nesh. A nuk e tha bukur znj. Bakojanis në 2009-n ” …se Greqia me atë Marrëveshje realizoi synimet e saj gjeopolitke dhe gjeostrategjike…”

Intervistat e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Kotzias, janë gjithashtu kuptimplote, të cilat ilustrojnë interesat e shtetit të tij. Ai e ka thënë aq qartë, jo vetëm për opinionin grek, por edhe atë shqiptar se targeti i shtetit të tij do të jetë jo vetëm ligjësimi i Detit Territorial në 12 m.d (sipas UNCLOS = United Nations Convention on the Law of the Sea = Konveneta e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit), por dhe për shtrirje të Hapësirës Ekonomike Ekskluzive, tej 12 m.d. (kuptohet kundruall Othonoit dhe Erikuza), çka është as më shumë e as më pak, por një deklaratë përgatitore “parapushtimi” të asaj hapësire që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e çliroi në vitin 2010.

Përse po bien këto kambana?

Një shtet i tretë, Greqia, kërkon që t’i afrohet pikës së mesme, largësisë më të shkurtër midis dy shteteve, Shqipërisë dhe Italisë (76,17 km = 43.1 md) kur largësia nga Othonoi deri te pika e mesme e cituar është (52,8 km = 28,52 m.d.) Synimi hapësinor është edhe interes i jashtëzakonshëm i gjasave për zbulim dhe shfrytëzim të shtresave të hidrokarbureve, naftëmbajtëse. E kësillojshme në trajtesë, është edhe fakti i shkëmbit Barketa si dëshmi e jashtëzakonshme se çfarë goditje pushtimi i është bërë Detit Territorial të Shqipërisë në Ksamil dhe kundruall gjirit të Sarandës.

Në delimitimin që presim, Barketa duhet të jete shkëmbi i provës dhe Othonoi do të jetë ishulli i provës së paktit të drejtë dhe të ndershëm midis të dy vendeve.

Opinioni shqiptar ende nuk di asgjë, nëse pala tjetër ka pranuar që të diskutohet për parimet themelore të delimitimit të kësaj hapësire, gjykuar në dritë të kushteve shumë të ndryshme që kanë të dy shtetet; e po kështu, vallë a janë pranuar apo jo rrethanat gjeografike dhe historike të nenit 15, të Ligjit të Detit!?

A duhet që për opinionin shqiptar të ketë tejdukshmëri apo kjo është tepri!?

Pozicioni i sotëm i Ilir Metës është shumë historik, mbasi qëndrimi i tij, do të jetë jo vetëm si roje e Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe si një ndjesë e vërtetë, e asaj që ndodhi dhjetë vjet më parë. Sepse asnjë vepër e negocimit të sotëm nuk mund të kalojë tinëz dhe fshehtas deri në pragun politik, pa një tejdukshmëri, oponencë shkencore, pa vëzhgimin e Shtabit të Përgjithshëm të FA, pa syrin vlerësues të Këshillit të Mbrojtjes dhe të Presidentit të vendit.

Se vetëm kështu, Deti Jon i Shqipërisë, nuk mund të pushtohet kurrë!

*)Myslim Pasha, Kolonel (L) dhe Profesor i Fotogrammetrisë & Remote Sensing në UPT.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura