Si u ndalua historia e letërsisë që rikthente Fishtën e Konicën

Mar 26, 2016 | 14:00
SHPËRNDAJE

Ishin konsideruar armiq, fashistë, tradhtarë… Dhe vepra e tyre nuk mund të ishte e shkëputur nga jeta, e si e tillë u përjashtua. Në vitin 1968, një grup studiuesish si Mark Gurakuqi, Jup Kastrati, Vehbi Bala, nën drejtimin shkencor të Dhimitër S. Shuteriqit, bënë një tentativë të fusnin në tekstin e “Historisë së letërsisë shqipe” “të ndaluarit”. Përgatitën dhe çuan për shtyp vëllimin e tretë të “Historisë së letërsisë shqipe”, i cili parashikonte të ofronte një pamje të përgjithshme tërësore të zhvillimit të letërsisë shqipe në periudhën midis dy luftërave (1912-1939).

Nga promovimi i librit “Një histori letërsie e ndaluar”
Nga promovimi i librit “Një histori letërsie e ndaluar”

Por kur libri ishte futur në procesin e shtypshkrimit një urdhër “nga lart”, hodhi poshtë gjithçka. Por si u ndalua në vitin 1968 publikimi i vëllimit të tretë të “Historisë së letërsisë shqipe”, përgatitur nga Mark Gurakuqi, Vehbi Bala e Jup Kastrati: cili është roli i drejtuesit shkencor të projektit, Dhimitër S. Shuteriqit dhe redaktorit Koço Bihiku? Si dhe pse u bllokua libri në shtypshkronjë, kur për herë të parë dhe të fundit në regjimin komunist do të vlerësohej në mënyrë institucionale vepra letrare e Gj. Fishtës, F. Konicës dhe Z. Skiroit.

Mbi këtë sprovë të gati një gjysmëshekulli më parë, synon të hedhë dritë libri “Një histori letërsie e ndaluar” i Besa Hoxha-Beqirit, botimi më i ri nga shtëpia botuese “Naimi”. Studiuesja ka arritur të gjejë tekstin bazë të kësaj “Historie…”, por edhe recensionet e asaj kohe përgatitur nga Injac Zamputi, Ali Xhiku, Nasho Jorgaqi, Lefter Dilo etj., që analizonin paraprakisht veprën dhe jepnin vërejtje dhe sugjerime për të. Kjo vepër u promovua dje në ambientet e Akademisë së Shkencave nën praninë e akademikëve, studiuesve dhe historianëve të letërsisë shqipe.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Sipas prof. dr. Shaban Sinanit, redaktor shkencor i librit të studiueses nga Kosova, mund të thuhet se “Historiografia letrare e periudhës komuniste me këtë vëllim arriti shkallën më të lartë të lirisë së vet, një shkallë lirie që nuk dëshmohet as në botimin e viteve 1959-1960, aq më pak në botimin e vitit 1983”.

Në këtë histori të letërsisë shqipe (të vitit 1968) për krijimtarinë dhe veprën e Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Zef Skiroi e të tjerë shkrimtarë të viteve ’30, të gjithë të anatemuar dhe të censuruar nga regjimi komunist, shkruhej pothuaj me atë liri siç mund të shkruhet sot! Për fat të keq, kjo histori letërsie u ndalua në momentin e fundit të shtypshkrimit dhe dorëshkrimi u fsheh. Për më tepër, ekzistenca dhe fati i këtij teksti nuk u përmend kurrë as nga hartuesit në gjallje, madje, për çudi, as në studimet postkomuniste për letërsinë shqipe”. Libri i Besa Hoxhës- Beqirit rihap çështjen e historishkrimit të letërsisë shqipe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura