Si u la Teatri të shembej, flet Genci Fuga: Çfarë bisedova me Veliajn

Feb 19, 2018 | 19:24
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ “Është një projekt i bukur, pa kullë, në vendin ku ngrihet sot Teatri Kombëtar”. Kështu është shprehur për gazetën “Panorama” aktori Genc Fuga, pas zhurmnajës që ka shkaktuar takimi që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka zhvilluar me disa artistë për çështjen e ndërtesës së re të Teatrit Kombëtar.

genc-fuga

Genc Fuga, të cilin me të drejtë e kemi parë ndër më aktivët dhe më të shqetësuarit jo vetëm për godinën e TK, por edhe për projektligjin “Për Artin dhe Kulturën”, është një ndër artistët që ka zhvilluar një takim me Veliajn. Përpos gjithë hamendësimeve për këtë takim, Fuga sqaron se çfarë ai personalisht ka diskutuar me të.

“Po, kam qenë në këtë takim. Kryebashkiaku e ka në praktikë pune që takon shumë njerëz, ndër ta edhe artistë. Kanë qenë 5-6 syresh që ai i ka takuar në lidhje me këtë çështje. Nëse është folur për ‘blerje’, mund të them se ka qenë ‘blerje mendjesh’, pra një takim-test, për të marrë mendime mbi këtë projekt. Veliaj më paraqiti një projekt fasadë dhe normalisht jam interesuar për detaje në lidhje me këtë projekt dhe mbi të gjitha i kam kërkuar që ai të diskutohet me komunitetin”, tha Fuga.

veliaj keshilli bashkiak

“A është i bukur, a ia vlen, unë them se po. Më pëlqeu, ishte intrigues, kishte një simbolikë të gjetur. Por duke qenë një projekt-ide, e kisha të paqartë se ku do të ishin ambientet ndihmëse për teatrin, por edhe elementë të tjerë shumë të rëndësishëm që nga dyshemeja, shtangetat, oxhaqet, etj.”, tha Fuga, teksa shton edhe shqetë- simin tjetër se kujt do t’i dorëzohen çelësat e këtij teatri, kur ai të përfundojë.

VENDNDODHJA

Por ndërsa infrastruktura e brendshme janë çështje shumë teknike, për të cilat janë të interesuar më së shumti njerëzit e teatrit, ata që do të punojnë aty, për opinionin publik çështja më e rëndësishme është ajo e vendndodhjes. Edhe pse ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e ka thënë disa herë që teatri i ri do të ndërtohet aty, mosbesimi është i madh.

“Nga konfigurimi i ndërtesave përreth mendoj se bëhet fjalë për atë vend”, thotë Fuga, teksa shton se nuk u fut në detaje për çështje të metrave katrorë në dispozicion, nëse janë 9 mijë metra katrorë e nevojitet edhe një tjetër… Këto janë çështje që një artisti nuk i interesojnë, përveç se të ngrihet një teatër ashtu siç e meriton komuniteti artistik dhe publiku. Madje, nëse do të ishte e mundur të gjendeshin edhe të tjera hapësira për salla teatri, për një kryeqytet gjithnjë e në rritje. Sa i takon kullës së famshme, Fuga thotë se “Nuk ka kullë. Ka shumë spekulime. Sa herë flitet për tri P-të e famshme, na shkon gjithnjë mendja te rasti i ‘Qemal Stafës’, por jo gjithçka funksionon me kulla”.

PROJEKTI

Vetëm pak ditë më parë, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, është shprehur publikisht se nuk ka një projekt për Teatrin Kombëtar, ndërkohë që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u ka treguar një projekt-ide disa artistëve, që vjen si propozim nga arkitekti danez Bjarke Ingels.

“Edhe mua si qytetar më bën çudi që ideja e ndërtimit të Teatrit Kombëtar është amplifikuar te Kryeministri i vendit dhe kryetari i bashkisë, duke evituar Ministrinë e Kulturës, që është përfituesi kryesor i këtij projekti. Kjo, ndoshta sepse në punën e Ministrisë së Kulturës nuk ka mangësi vetëm një studim fizibiliteti për teatrin, por edhe për legjislacionin, jo vetëm për teatrin. A ka kjo Ministri një strategji afatmesme dhe afatgjatë për mungesën e hapësirave teatrore, në një kohë që Tirana po shkon te 800 mijë banorë dhe nevojat janë shumë të mëdha… apo mjaftohet vetëm me ndonjë projektligj të hedhur në faqen e vet on line apo duke na thënë që do të zhvendosemi nga teatri, që aty të vijë Teatri i Operës.

Në këtë konfuzion të madh legjislativ, nuk do të çuditesha aspak që ka hartuar raporte për gjendjen alarmante të teatrit, në një kohë që nuk hedh asnjë hap konkret për të shmangur rrezikun që i kanoset artistëve. Dhe unë i kam ndjekur të gjitha këto me shqetësim. Siç më shqetëson edhe fakti që në hapësirën ku do të ngrihet TK, ndodhet edhe një institucion tjetër, në skenën e të cilit unë kam luajtur. Atëherë, çfarë do të ndodhë me këtë institucion? Apo do t’i ndërrohet vetëm emri?

Cila është perspektiva për të?! Dhe mund të them që fakti që Ministria e Kulturës nuk i ka paraprirë me një projekt kësaj situate, është vetëm një pikë në oqean përkundër gjithë mangësive të mëdha ligjore të saj”, tha Fuga. Sa i takon projektit, ai tha se nga ana e kryebashkiakut u premtua që projekti në fjalë do të fillojë të prezantohet dhe diskutohet me komunitetin artistik, me përfituesit e drejtpërdrejtë, duke filluar që nga java në vijim. “Do të ishte mirë që edhe vetë arkitekti të zhvillonte takime me artistët, sepse sado arkitekt i zoti të jetë ai, nuk i njeh nevojat e artistëve dhe të profesionit”, tha Fuga.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura